Ish-deputeti i LSI, Luan Rama, komenton deklaratën e Prokurorit të Përgjithshëm, Olsjan Çela, se në vitin 2019 ka pasur rritje të sasisë së kultivimit të kanabisit, krahasuar me vitin 2018, si dhe propozimin e kryeministrit Edi Rama për legalizimin e hashashit për arsye mjekësore.
Në një mesazh të gjatë në “Facebook”, Luan Rama shkruan se Prokuroria dhe institucionet e tjera duhet të kishin vepruar, të analizonin në detaje situatën kriminale të kultivimit të drogës, të zbulonin shkaqet që kanë çuar në rritjen e sasisë së kanabisit, por sipas tij, mosveprimi është i qëllimtë, është ortakëri apo bashkërendim dhe bashkëveprim kriminal.
Mesazhi i Luan Ramës:
Pas deklarimit zyrtar të Prokurorit të Përgjithshëm:
RRITJA E PRODHIMIT TË DROGËS,
SI PARATHËNIE ASAJ QË PRITET TË NDODHË …
Përkundër asaj se çfarë trumbeton me përdhunë makina e propagandës së qeverisë dhe nën avujt e idesë së Kryeministrit Edi Rama për të ligjëruar kultivimin e kanabisit, kinse për arsye mjekësore, na shfaqet Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, i cili mu në komisionin e ligjeve të Kuvendit, deklaroi se ka një rritje të dukshme të sasisë së kultivimit të kësaj droge në disa qarqe të vendit, krahasuar me vitin 2018.
E duke e qartësuar më tej informimin e vet, Prokurori i Përgjithshëm evidentoi gjithashtu edhe mungesën e bashkëpunimit mes prokurorisë dhe Policinë e Shtetit, ç’ka në fakt na jep mundësinë të kuptojmë edhe një prej arsyeve se përse pandëshkueshmëria vazhdon të jetë problemi i madh i institucioneve të zbatimit të ligjit në Shqipëri.
Në rrethana të tjera, pra në kushtet e përgjegjshmërisë në përmbushjen e detyrës dhe me seriozitetin e reagimit që do të duhej të shfaqte qeveria pas deklarimit të Prokurorit të Përgjithshëm, do të ishte dhënë alarmi e menjëherë do të ishte mbledhur të paktën Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit të Luftës Kundër Drogës, i cili drejtohet nga Kryeministri.
Në atë komitet ku anëtar është edhe Prokurori i Përgjithshëm, edhe Ministri i Brendshëm, edhe Drejtori i Shërbimit Informativ, edhe Drejtori i Policisë së Shtetit e shumë pjesëtarë të tjerë të qeverisë, do të duhej të analizohej në detaje situata kriminale e kultivimit të drogës; cilat janë shkaqet që kanë çuar në rritjen e sasisë së kanabisit në vitin e fundit, çfarë ka ndodhur dhe përse është zbehur forca zbuluese dhe ndëshkuese e kësaj veprimtarie, ku çalojnë në rastin më të mirë institucionet që kanë përgjegjësi për të mos lejuar kultivimin e drogës, e në rastin më të keq, mosveprimi është i qëllimtë, është ortakëri apo bashkërendim dhe bashkëveprim kriminal, siç për fat të keq ka ndodhur edhe më parë?!
E për më shumë se kaq, ky komitet dhe Kryeministri që e drejton atë dhe që është përgjegjës për veprimtarinë e tij, do të duhet të përcaktojë masat që duhet të merren dhe detyrat që duhet të përmbushë çdo institucion.
Mirëpo mjerisht, jo vetëm Kryeministri nuk reagoi, por gjithçka u kalua në heshtje, dëshmi e një mosveprimi të kahershëm të qeverisë, kur është fjala për luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike dhe ndëshkimin ligjor të grupeve kriminale që e ushtrojnë këtë veprimtari.
Pa dashur të akuzoj drejtpërdrejt qeverinë e më drejtpërdrejt akoma Kryeministrin, pasi mosveprimi është aq evident dhe i pakontestueshëm edhe prej atyre vetë, më duhet të nënvizoj se bashkëjetesa e qeverisë me drogën në kultivimin e paligjshëm dhe trafikimin e saj duke e bërë Shqipërinë portën kryesore tē kësaj veprimtarie kriminale, është tashmë prej kohësh e evidentuar dhe e konfirmuar edhe prej raporteve zyrtare të agjencive dhe shërbimeve partnere, sidomos atyre të SHBA dhe të Italisë.
Deklarimi zyrtar i Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, por edhe shembujt konkretë të asgjesimit të disa parcelave me fidanë që po bëhen gati të mbillen, siç kanë raportuar gazetarë të ndryshëm, janë parathënia e asaj që pritet të ndodhë dhe që mosveprimi i qeverisë e inkurajon.
Pa e zgjatur më tej komentin, ajo që duhet bërë është:
Kryeministri të mbledhë menjëherë Komitetin Kombëtar të Bashkërendimit të Luftës Kundër Drogës dhe të informojë publikisht se kush mban përgjegjësi për realitetin që denoncoi në komisionin e çështjeve ligjore të Kuvendit Prokurori i Përgjithshëm.
Dhe nga ana tjetër, Prokurori i Përgjithshëm, pavarësisht pamundësisë ligjore që ka për të urdhëruar prokurorët e tjerë të cilët me ndryshimet e bëra nga reforma në drejtësi nuk janë më vartësit e tij, dhe për rrjedhojë, nuk mund të urdhërohen, të paktën, nëse nuk e ka bërë, duhet ta informojë zyrtarisht me shkrim Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin e vendit e për dijeni, edhe Ministrin e Brendshëm, siç është praktika ligjore dhe zyrtare e komunikimit ndërinstitucional.
Nuk kam asnjë arsye të dyshoj në deklarimet publike të Prokurorit të Përgjithshëm, ndërkohë që historia apo precedentët e mëparshëm, realiteti shqiptar i veprimtarisē kriminale të kultivimit të drogës dhe kanabizimi i vendit, nuk janë në anën e qeverisë!
Ndërsa qeveria, shpeshherë na ka dëshmuar se nuk është në anën e zbatimit të ligjit.