Meta shpërndan apelin e ministrave francez e gjerman për Kosovën: “Rifillojeni tani dialogun e udhëhequr nga BE-ja!”

Saturday, 23 May 2020 11:25

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka shpërndarë në “Facebook” një qëndrim të përbashkët të ministrit të Jashtëm, Jean-Yves Le Drian, dhe ministrit të Jashtëm federal, Heiko Maas për Kosovën, ku kërkojnë rifillimin e dialogut me Serbinë të udhëhequr nga BE-ja.

Ministri francez, Jean-Yves Le Drian, dhe ai gjerman, Heiko Maas, kanë thënë se janë të vendosur që të zgjidhin të gjitha pengesat e mbetura mes Serbisë e Kosovës.

Ata e shohin situatën e pazgjidhur mes vendeve si faktor destabilizues për tërë Ballkanin Perëndimor dhe si çështje të sigurisë evropiane.

Artikull i përbashkët i ministrit të Jashtëm, Jean-Yves Le Drian, dhe ministrit të Jashtëm federal, Heiko Maas
Koronavirusi ka përmbysur jetën tonë të përditshme duke rrezikuar kësisoj të nxjerrë më shumë në pah konfliktet, dobësitë dhe pabarazitë që në Evropë dhe në botë ekzistojnë prej vitesh tanimë. Ne jemi mjaft të vetëdijshëm për këtë rrezik dhe të gatshëm që ta adresojmë atë bashkërisht përmes një bashkëpunimi edhe më të fortë në nivel ndërkombëtar dhe evropian.

Ky virus i vendos gjithashtu disa prej konflikteve tona të vjetra dhe betejave të brendshme në një perspektivë të re. Ai na tregon se ku duhet të ndryshojmë. Dhe me “ne” nënkuptojmë Evropën si një të tërë – vendet anëtare të BE-së dhe vendet që janë në rrugën për t’u bërë anëtare të tij. Asnjë rajon nuk është më afër BE-së sesa gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – gjeografikisht, historikisht, politikisht dhe në rrafshin e lidhjeve njerëzore mes nesh.

Kjo është arsyeja që ne u drejtohemi sot partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor. Jemi në këtë përpjekje të gjithë së bashku. Ky virus nuk njeh kufij. As përgjigjja jonë nuk do të duhej ta bënte. Që në mars Bashkimi Evropian njoftoi një pako mbështetëse për Ballkanin Perëndimor për të adresuar nevojat e menjëhershme të sektorit të shëndetësisë dhe në mbështetje të rimëkëmbjes socio-ekonomike të rajonit. Samiti mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, i mbajtur nën Presidencën kroate më 6 maj, e përforcoi edhe më shumë këtë sinjal të fortë solidariteti. Mbi 3.3 miliardë euro janë mobilizuar deri më tani në dobi të Ballkanit Perëndimor. Kjo mbështetje tejkalon ndjeshëm atë që çdo partner tjetër i ka dhënë rajonit. Në krye të kësaj pakoje të paprecedente, BE-ja ofron edhe ndihmë përmes lehtësimit të lëvizjes së lirë të mallrave. Kjo përfshin qarkullimin pa kufizime të tregtisë së pajisjeve mbrojtëse, si maska apo doreza dhe vendosjen e korridoreve të gjelbra për të lehtësuar kalimin e kufijve midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Shtetet anëtare janë duke plotësuar në nivel dypalësh mbështetjen e BE-së. Gjermania po planifikon të mbështesë rajonin me një fond tjetër prej 10 milionë eurosh dhe Agjencia Franceze e Zhvillimit po planifikon të rrisë angazhimet e saj financiare për të adresuar pasojat e krizës.

Reagimi ynë thekson përkushtimin tonë për Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën evropiane të këtij rajoni. Me gjithë bllokimin më 25 mars, liderët evropianë ranë dakord për një metodologji të re dhe më efikase të zgjerimit me një angazhim të shtuar politik nga të gjitha palët e interesuara për të mbështetur më mirë procesin e reformës, i cili duhet të ndërmerret nga të gjitha vendet, përpara se ato të anëtarësohen në BE. Dhe liderët evropianë vendosën të hapnin bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Së bashku me Serbinë dhe Kosovën, ne jemi të vendosur për të zgjidhur të gjitha pengesat e mbetura. Situata e pazgjidhur midis të dyja vendeve mbetet një faktor destabilizues për tërë Ballkanin Perëndimor dhe është si e tillë një çështje e sigurisë evropiane. Ajo pengon zhvillimin aq të nevojshëm ekonomik dhe pengon njëkohësisht edhe përparimin politik. Për këtë qëllim shtetet anëtare të BE-së emëruan një nga diplomatët më të aftë të Evropës, Miroslav Lajçak, si të dërguar special për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe për çështje të tjera rajonale. Franca dhe Gjermania janë të gatshme të mbështesin atë dhe ekipin e tij me të gjithë potencialin politik, diplomatik dhe ekonomik. Në prill të vitit 2019, kancelarja Merkel dhe presidenti Macron ftuan udhëheqësit e rajonit në një samit në Berlin. Tani që Miroslav Lajçak ka marrë detyrën, është koha që dialogu të rifillojë. Qëllimi duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, juridikisht detyruese midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila i zgjidh të gjitha çështjet e hapura dhe kontribuon në stabilitetin e rajonit. Presidenti Macron ka deklaruar gatishmërinë e tij për të mbajtur një samit të dytë në Paris. Sidoqoftë, gatishmëria për dialog është një parakusht për këtë.

Ne jemi të vetëdijshëm për shumësinë e çështjeve të hapura që duhet të zgjidhen para se të arrihet një marrëveshje. Nuk ka rrugë të shkurtër apo zgjidhje të shpejta. Një qasje serioze kërkon negociata të strukturuara mirë, të thella, me BE-në si ndërmjetës luajal. Nevojitet një ndërmjetësim më solid dhe vendosmëri politike – gjë që mund ta prisni nga Miroslav Lajçak dhe ekipi i tij – me mbështetjen nga ana e përfaqësuesit të lartë Borrell, si dhe atë të Berlinit dhe Parisit.

Është inkurajuese të shohësh se me sa shumë pragmatizëm e kanë trajtuar virusin korona Kosova dhe Serbia në dimensionin ndërkufitar. Ne gjithashtu përshëndesim vendimin e kryeministrit Kurti për të pezulluar taksën 100 % ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë- Hercegovinës. E, nga ana tjetër, presim që Serbia të kryejë pjesën e saj të përpjekjeve. Krahas kësaj ne presim që të gjejnë zbatim të gjitha marrëveshjet e arritura përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës që nga viti 2011.

Kjo nuk është koha për manovra politike. Përndryshe kriza e tanishme do të rrisë tensionet sociale dhe pakënaqësinë politike. Marrja seriozisht e kërkesave të qytetarëve nënkupton forcimin e institucioneve, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe zhvillimin e mundësive ekonomike për të gjithë. Kjo është rruga e progresit që ne sugjerojmë. Këtu do të jemi në anën tuaj.

(Ky shkrim i përbashkët i ministrave të jashtëm të Gjermanisë dhe Francës i është dërguar KOHËS për botim ekskluziv në shqip, në Kosovë)

Login to post comments