Çlirim Gjata, Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, ka dhënë një intervistë sot për problemet themelore që çuan deri në mbetjen pezull të Reformës. Gjata akuzoi direkt kryeministrin Edi Rama se po bën çmon për ta dështuar këtë Reformë dhe një arsye më shumë ishin negociatat e pritshme.
“Përveç të tjerave, - tha Gjata, - Rama do ta ngecë Reformën edhe për një gjë tjetër. Po ngecën negociatat, ai do të përdorë Reformën zgjedhore dhe do të thotë: “Ja, faji i opozitës”. Sepse ai kurrë nuk merr përgjegjësi. A keni dëgjuar ndonjëherë të marrë përsipër përgjegjësi?! Tërë problemi është se ai do të ngecë negociatat!
Opozita ka luajtur një rol shumë konstruktiv, i ka paraqitur të gjitha propozimet. Më thoni një pikë që Rama ia ka pranuar opozitës. Sa herë kemi qenë afër kompromisit, afër konsensusit, ai ka shkatërruar gjithçka.
Kam qenë i pari në KQZ që kam thënë se administrata zgjedhore duhet të reformohet. Po nuk janë më ato probleme që kishim dikur, se Edi Rama e spostoi problemin tek kriminelët, tek blerja e votës, votimi familjar etj etj.
Ku t’i gjejmë ne ato probleme që kanë qënë! Se atëherë ankoheshe shkallë – shkallë. Por tani nuk është më problemi tek administrata zgjedhore.
Po tjetra?! Ku do të ankohesh tani?! A gjen kund ndonjë gjykatës të pavarur?! Sepse kanë shpatën e Vetingut mbi kokë dhe a ka njeri që të guxojë t’i kthejë fjalën atij?
Ai e di se me zgjedhje të lira e të ndershme nuk fiton kurrë, por ama fut këto: krimin e organizuar, paratë e pista, Policinë, të gjitha i përdor.”