Antimafia Italiane ka vënë nën hetim me akuzën e bashkëpunimit me grupe mafioze e përvetësim të paligjshëm fondesh, ish kryetarin e bashkisë së Veronës, Flavio Tosi, i cili ka drejtuar këtë qytet për më shumë se 10 vite deri më 2017.
Hetimet kanë zbardhur lidhjet e menaxherëve të kompanisë publike të komunës së Veronës Amia, me aktivitet në administrimin e mbetjeve urbane, me eksponentë të klanit Arena-Nicosia të mafias kalabreze Ndrangheta me bazë në ishullin Capo Rizzuto në provincën e Krotones (Kalabri).
Po çfarë lidhje ka me Shqipërinë ky operacion i rëndësishëm antimafia? Kompania publike Amia e komunës së Veronës ka nënshkruar në qershor të 2016 një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës për krijimin e dy ndërmarrjeve AGSM Albania e Eco Tirana për pastrimin e menaxhimin e mbetjeve urbane e të diferencuar në qytetin e Tiranës.
Në korrrik të vitit 2018 këshilltari i këshillit Bashkiak të Veronës Michele Bertucco, me një notë zyrtare të titulluar "Të djegur në rrugën e Tiranës" kërkon të hedhë dritë mbi bashkëpunimin me shumë hije mes Bashkisë së Tiranës dhe kompanisë publike të mbetjeve Amia, menaxherë të së cilës rezultojnë me lidhje të fortë me eksponentë të Ndranghetas.
Në vijim do të sjellim lidhjen mes Bashkise së Tiranës drejtuar nga Erion Veliaj dhe ish kryebashkiakut të Veronas Flavio Tosi, e kjo përmes dokumentave zyrtarë të kompanive dhe aksionerëve që kanë pasur në dorë që prej 2016 pastrimin e kryeqytetit si dhe menaxhimin e mbetjeve.
Pas nënshkrimit të memorandumit në vitin 2016, 4 kompani të krijuara në një hark kohor të shkurtër e që kanë lidhje të ngushta me njëra tjetrën, në fakt kanë pasur në dorë gjithçka për menaxhimin e mbetjeve apo pastrimin e kryeqytetit.
Kështu në 3 maj të 2016 themelohet kompania AGSM Holding Albania me aksionore 75% AGSM Verona dhe 25% AMIA Verona, qe do të bashkëpunojë me Bashkinë e Tiranës, pa informacion të saktë sa është kapitali dhe në mungesë transparence mbi procedurat.
Në 3 vite AGSM Holding Albania bën xhiro, fillimisht në vitin 2016 me vlere 215 mln lek dhe vitet që vijnë më pas ulja bëhet drastike, dëri sa në vitin 2019 xhiro vjetore llogaritet ne 0 lek.
Tabelë
AGSM HOLDING ALBANIA
2016 215 mln LEK
2017 10 mln LEK
2018 4 mln LEK
2019 0 LEK
Vetëm pak muaj më vonë një tjetër kompani themelohet me datë 17 nëntor të 2016, Global Eco e që kishte për aksioner Global Eco S.R.L, kompani e cila ka kryer veprimtarinë e saj në 21 nëntor duke lëshuar 12 fatura tatimore në të njëjtën ditë, me një vlerë afro 270 milion lekë të reja për një tjetër kompani në kryeqytet, atë të Eco Tirana, ne pronësi 51% te Bashkisë së Tiranës dhe 49% Asgm Holding Albania.
Më pas lëshon dhe një faturë të vetme për Eco Tiranën më datë 21 shkurt 2017. E pas këtyre veprimeve Global Eco pezullon aktivitetin.
Po ECO Tirana kur është themeluar? Vetëm pak muaj përpara themelimit të GLOBAL Eco, në 8 korrik të 2016 e që për aksionerë kishte pikërisht AGSM Holding Albania me 49% të aksioneve si dhe Bashkinë e Tiranës me 51% të aksioneve me objekt pastrimin e plehrave te Tiranës.
Në 2017 del në skenën e menaxhimit të mbetjeve një tjetër kompani me emrin ECO Recycling, e që për aksionerë ka Eco Tiranën e cila ka si aksionere bashkinë e drejtuar nga Erion Veliaj me 51 % të aksioneve si dhe MEG Albania me aksioner Vladimir Fezga, qe ka qenë ndërmjetësi i marrëveshjes midis Bashkisë së Veronës dhe asaj të Tiranës për themelimin e kompanisë së pastrimit të kryeqytetit Eco Tirana në 2016.
Agjencia e njohur investigative BIRN, në vitin 2017 në një raportim të hollësishëm mbi veprimtarinë e MEG Albania në landfillin e Sharrës, ka verifikuar ekstraktet në Qendrën Kombëtare të Biznesit ku rezulton se Eco Tirana dhe Eco Recycling ndanin të njëjtën zyrë të Gjergji Center, ndërkohë që Meg albania është regjistruar në të njëjtën godinë në katin e 8.
Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN nëse krijimi i kompanisë Eco Recycling me aksioner MEG Albania dhe administrator Vladimir Fezgan përbënte konflikt interesi, pasi ky i fundit kishte negociuar marrëveshjen me Bashkinë e Veronës.
Në vitin 2018 Eco ReCycling ndryshoi aksioner me sërish administrator Vladimir Fezgon, por tashmë me një kompani që mban emrin Intergrated Energy BV SPV.
Shumë kompani, derdhje të çuditshme, faturime të pashpjegueshme, humbje të konstatuara herët në Itali për llogari të kompanive në pronësi të Bashkisë së Tiranës.
Kompani të lidhura ngushtë me njëra tjetrën e që mes tyre kanë 2 eksponentë kryesor Bashkinë e Tiranës me ECO Tirana dhe Amia Verona. Një nga përfaqesuesit kryesorë të kompanisë “AGSM Holding ALBANIA” sh.a , që ka në pronësi Eco Tirana, Andrea Miglioranzi, akuzohet se ka përdorur kompaninë komunale të Bashkisë së Veronës “Amia Verona” të pastrimit të plehrave, për qarkullimin e parave të pista të organizatës Ndragheta.
Po ashtu akuzohet edhe miku personal i Veliajt, Flavio Tosi, për bashkëpunim me Ndragheta për pastrimin e parave nëpërmjet plehrave.