Presidenti Ilir Meta teksa ka argumentuar planin e integrimit me 15 pika të qeverisë, akuzon këtë të fundit për një skenar të ri për bllokimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Metës, kjo masë paragjykon procesin aktual të shqyrtimit nga KED dhe le të kuptohet se vendimmarrja e KED është e paracaktuar politikisht nga ekzekutivi.
“KED përjashtoi Avokatin e Popullit nga diskutimet për vlerësimin e kandidaturave me arsyetimin e “ruajtjes së konfidencialitetit të këtij procesi”.
Mesa duket i njëjti rregull nuk është i zbatueshëm për ekzekutivin, i cili duket se është në dijeni të procesit konfidencial të KED, edhe pse me ligj është plotësisht i përjashtuar nga ky proces. Kujtojmë gjithashtu se KED 2020 e ka zhvilluar mbledhjen e tij të fundit në 6 shkurt 2020!!!”, thuhet në analizën e kreut të shtetit, referuar planit të integrimit.
PJESE NGA ARGUMENTI I METES
Së treti, secili nga 15 kushtet, duhet të zbërthehet një për një, në terma konkretë e të matshëm veprimi, të përcaktojë qartë afatet kohore, aktorët përgjegjës si dhe kostot financiare për çdo zë.
Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet një gjurmim i përparimit të arritur dhe të identifikohen përgjegjësit që e zvarrisin, cenojnë apo minojnë këtë proces.
Konkretisht, Institucioni i Presidentit të Republikës sugjeron:
Prioriteti 2 i plan veprimit nuk korrespondon me prioritetin 2 të BE që thotë “Të sigurojë vazhdimësinë e zbatimit të reformës në drejtësi, përfshirë sigurimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën ndërkombëtare përkatëse përfshirë opinionet e Komisionit të Venecias”
Sigurimi i vazhdimësisë së zbatimit të reformës në drejtësi duhet të përfshihet si prioritet i veçantë, bashkë me sugjerimet për masat dhe hapat konkrete/përkatëse nga institucionet e reja të drejtësisë dhe afatet e realizimit të tyre:
Masat:
Rikonfigurimi i hartës së re gjyqësore;
Vlerësimi i ngarkesës së Gjykatës Administrative të Apelit;
Përshpejtimi i procesi i rivlerësimit kalimtar (vetting);
Përfundimi i procedurave për plotësimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit me trupën e nevojshme të gjyqtarëve të përcaktuar nga KLGJ;
Plotësimi me stafin e nevojshëm të organikës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Hapat:
Hartimi dhe miratimi i menjëhershëm/pa vonesë i hartës së re gjyqësore të rishpërndarjes së burimeve njerëzore brenda sistemit gjyqësor të Gjykatave të Apelit dhe Gjykatave të Shkallës së Parë;
Plotësimi i vakancave të krijuara për shkak të dorëheqjeve ose procesit të vetting-ut;
Marrja e masave për të mundësuar realizimin e një procesi të rregullt ligjor dhe brenda afatit ligjor (1 mujor) në Gjykatën e Apelit Administrativ;
KPK dhe KPA të procedojnë pa vonesë shqyrtimet e çështjeve dhe të përcaktojnë listën prioritare të subjekteve, duke u fokusuar tek subjektet që kandidojnë për anëtarë të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, Prokuroria e Posaçme, Gjykatat e Posaçme;
Përfundimi i procedurave të rekrutimit për plotësimi me stafin e nevojshëm sipas organikës të miratuar për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë;
Mbështetja llogjistike dhe infrastrukturore e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me qëllim funksionimin pa pengesa administrative.
Institucionet e Përfshira:
Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisioneri Publik, ONM, ILD.
Prioriteti 2: Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese.
Masat:
Ndjekja e procedurave kushtetuese dhe ligjore për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.
Hapat:
Dorëzimi i detyrës nga Kryetari i KED, dhe vijimi i punës së KED nën drejtimin e nënkryetarit, sipas ligjit;
Publikimi i Opinionit të Komisionit të Venecias mbi emërimin e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese (18 qershor 2020);
Përmirësimi i akteve nënligjore të KED, në zbatim të gjetjeve dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias;
Pjesëmarrja e Avokatit të Popullit me të drejta të plota në veprimtarinë e KED;
KED përfundon pa asnjë vonesë procesin e verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për 3 (tre) vende vakante të shpallura nga organet e emërtesës (President-Kuvend-President), jo më vonë se korrik 2020;
Sigurimi i transparencës së veprimtarisë së KED, përmes publikimit të procesverbaleve;
KED i përcjell listën përfundimtare të kandidatëve për secilën vakancë organit të emërtesës, sipas radhës kushtetuese, President-Kuvend-President;
Organi i emërtesës emëron/zgjedh/emëron anëtarin e Gjykatës Kushtetuese;
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese i emëruar/zgjedhur/emëruar betohet përpara Presidentit të Republikës dhe fillon zyrtarisht ushtrimin e mandatit.
Institucionet e Përfshira: KLGJ, KED, Avokati i Popullit, President, Kuvend.
Pika 4 dhe 5 e masave të këtij prioriteti duhet të hiqen nga teksti.
Koment: pika 4 e hapave të parashikuara në prioritetin 2, përgatitur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme: “Ri-shpallje (me shumë probabilitet) e vendeve vakante nga KED-Shtator 2020 nëse ka probleme konfirmimet nga KPK dhe KPA”.
Kjo masë përveçse paragjykon procesin aktual të shqyrtimit nga KED, le qartësisht të kuptohet se vendimmarrja e KED është e paracaktuar politikisht nga ekzekutivi. Kujtojmë se KED përjashtoi Avokatin e Popullit nga diskutimet për vlerësimin e kandidaturave me arsyetimin e “ruajtjes së konfidencialitetit të këtij procesi”.
Mesa duket i njëjti rregull nuk është i zbatueshëm për ekzekutivin, i cili duket se është në dijeni të procesit konfidencial të KED, edhe pse me ligj është plotësisht i përjashtuar nga ky proces. Kujtojmë gjithashtu se KED 2020 e ka zhvilluar mbledhjen e tij të fundit në 6 shkurt 2020!!
Koment: pika 5 e hapave të parashikuara në prioritetin 2, përgatitur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme: “Marrja e Opinionit të Komisionit të Venecias për statusin e një anëtareje (qershor 2020).
Përsëritet e njëjta tendencë abuzive për shtrembërimin e Opinionit të Komisionit të Venecias, i cili po shqyrton veprimtarinë e të gjitha organeve KED-KUVEND-PRESIDENT, për gjithë procesin e “Emërimit të Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, dhe JO statusin e një anëtareje të Gjykatës, siç sugjeron MEPJ!
Pioriteti 3: Funksionimi i Gjykatës së Lartë
Masat duhet të përfshijnë plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën gjyqësore brenda shtatorit 2020.
Hapat duhet të përfshijnë:
Ndjekja e procedurës administrative të dorëzimit të detyrës sipas ligjit të anëtarit të Gjykatës së Lartë, nga rradhët e jo-gjyqtarëve;
Përfundimi brenda muajit qershor 2020 i procedurave për kualifikimin, pikëzimin dhe përzgjedhjen e anëtarit të katërt dhe të fundit jo-gjyqtar nga KLGJ;
Betimi përpara Presidentit të Republikës dhe fillimi i ushtrimit të detyrës së anëtarit të Gjykatës së Lartë;
Përfundimi brenda muajit korrik 2020 i procedurave të verifikimit, vlerësimit, pikëzimit të kandidatëve që kanë aplikuar për në procedurat e ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë për 6 (gjashtë) pozicionet e shpallura në shkurt 2020 dhe propozimi për emërim i kandidaturave të përzgjedhura;
Betimi përpara Presidentit të Republikës dhe fillimi i ushtrimit të detyrës së 6 anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë;
Shpallja menjëherë e thirrjes për aplikim për procedurat e ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë për 8 (tetë) vendet vakante në Gjykatën e Lartë për t’u plotësuar nga rradhët e Gjyqësorit;
Investimi i të gjitha burimeve për verifikimin, kualifikimin, pikëzimin, dhe propozimi për emërim të kandidaturave;
Betimi përpara Presidentit të Republikës dhe fillimi i ushtrimit të detyrës së 8 anëtarëve të Gjykatës së Lartë;
Marrja e masave proporcionale për dosjet e mbartura në Gjykatën e Lartë, për shqyrtimin e tyre brenda një afati të arsyeshëm;
Shpallja nga Gjykata e Lartë, e thirrjes për aplikim për plotësimin e tre vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese që i përkasin për emërim Gjykatës së Lartë si organ emërtese.
Institucionet e Përfshira: KLGJ, Gjykata e Lartë, President.
Prioriteti 4: Të përfundojë ngritja e strukturave të posaçme kundër krimit të organizuar dhe anti-korrupsion (SPAK dhe BKH).
Masat:
Plotësimi i SPAK me 3 anëtarë (12/15 kanë nisur detyrën);
Ngritja dhe nisja nga funksionimi i BKH.
Hapat:
Verifikimi, pikëzim dhe renditja e kandidatëve për 3 vende vakante për Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme;
Betimi i anëtarëve të rinj përpara Presidentit të Republikës dhe fillimi i ushtrimit të detyrës.
Institucionet e Përfshira: KLP, SPAK, President.
Prioriteti 5: Të forcojë më shumë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë përmes bashkëpunimit me vendet anëtare të BE dhe përmes plan-veprimit në përgjigje të rekomandimeve të FATF (Financial Action Task Force).
Masat: Të përfshihen masat që lidhen me veprimtarinë e SPAK, BKH, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe gjurmimi i rezultateve lidhur me to.
Të rishikohet pika 1 e masave, në dritën e faktit se Akti Normativ i datës 30.1.2020 dhe çdo nismë ligjore e lidhur me të janë masa që shkelin kompetencat kushtetuese të organeve të reja të drejtësisë, siç është ngritur me shqetësim nga Presidenti i Republikës dhe organizatat e shoqërisë civile.
Gjithashtu të përfshihen si pika të veçanta secili prej rekomandimeve të FATF, duke zbërthyer hapat konkrete për realizimin e tyre, bashkë me institucionet përgjegjëse.
Prioriteti 6: Trajtimi i fenomenit të azilkërkuesve dhe sigurimi i riatdhesimit të shtetasve shqiptarë.
Tek Masat të trajtohet me përparësi trajtimi i shkaqeve që detyrojnë shtetasit shqiptarë të kërkojnë azil në vendet anëtare të BE, dhe ndihma ndaj komuniteteve më vulnerabël;
Të trajtohen masat që lidhen me riatdhesimin e shtetasve shqiptarë, si dhe kosto financiare përkatëse;
Të trajtohen masat që lidhen me riintegrimin e shtetasve të kthyer, sipas strategjisë dhe planit të veprimit përkatës, bashkë me kostot financiare.
Prioriteti 7: Amendimin e ligjit të medias sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias
Masat: Të rishikohet nisma ligjore për median, në vijim të rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe të Komisioneres për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës (depozituese e kërkesës pranë Komisionit të Venecias).
Prioriteti 8: Nisjen e procedimeve penale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjetur me shkelje penale gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar.
Masat: Të renditen rastet e identifikuara gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar, dhe ndjekja për secilin rast nga institucionet e gjyqësorit. Të përcaktohen qartë institucionet e ngarkuara me këtë proces dhe hapat që parashkohet të meren në këtë kontekst.
MUNGON prioriteti 9: Nisja e procedimeve penale kundër personave të akuzuar për blerjen e votes.
Ndjekja e dosjeve penale që lidhen me krimin zgjedhor, nga institucionet e gjyqësorit. Të përcaktohen institucionet që ndjekin këto procese, dhe specifikohet gjurmimi i ecurisë së tyre.
Prioriteti 9: Të ketë një gjurmim solid të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë nisjen dhe përfundimin e procedimeve të para kundër zyrtarëve të lartë dhe politikanëve;
Masat e parashikuara duhet të përfshijnë të dhënat konkrete që gjurmojnë ecurinë e proceseve gjyqësore në zinxhirin Polici-Prokurori-Gjykatë.