Nga Luan Rama*
Nuk më ka befasuar aspak qëndrimi i pamend i zonjës ministreshë të arsimit, e cila, pa asnjë drojë e krejt në kundërshti etike, më sëpaku me detyrën që duhet të kryejë, e quajti të politizuar protestën e maturantëve kundër mënyrës së organizimit të provimeve të maturës shtetërore dhe përmbajtjes së testeve, teksa u rrek ta bënte pis atë protestë me gjoja “gjetjen” e vet, se në të paska parë që “kishte studentë të vitit të fundit në universitet, pjesë e strukturave të partive opozitare…”.
Përveçimi apo diferencimi në këtë mënyrë është shenja e parë e paragjykimit, që e artikuluar prej vetë zonjës ministreshë na dëshmon “armiqësinë” e saj ndaj të tjerëve, ndaj atyre që janë pjesë e “strukturave të partive opozitare”, pra që nuk janë pjesë e të njejtës vathë politike ku mrizon edhe ajo vetë. Ajo është ministre e arsimit dhe si e tillë për të nuk duhet të ketë “ata” dhe “ne”, nuk duhet të ketë “të atyre” dhe “tanët”, nuk duhet të ketë të “partive të opozitës” dhe të “partisë time”, por nxënës, maturantë, studentë, mësues dhe pedagogë që nuk duhet dhe nuk mundet të gjykohen politikisht apo prej partisë që votojnë apo simpatizojnë, por vetëm prej punës që bëjnë dhe rezultateve që arrijnë.
Në Shqipëri ligji nuk i ndalon as maturantët dhe as studentët që të zgjedhin të jenë pjesë e strukturave të partive politike, pra as e strukturave të partive të opozitës, ashtu sikundër, ligji nuk i ndalon studentët dhe madje as prindërit e tyre të protestojnë, qoftë edhe përkrah maturantëve, anipse mund të mos jenë maturantë.
Për rrjedhojë, paragjykimi e më keq akoma, stigmatizimi e përçmimi prej këtij fakti, është tregues i një deformimi kulturor, që i veshur me arrogancë si konstante e sjelljes publike të shumë prej ministrave, e bën më të mjerë pozitën e një funksionari shtetëror, që detyrë të parë ka të shërbejë dhe jo të etiketojë.
Tendenca për të përcaktuar vijësjelljen e të tjerëve dhe për të ndarë sinoret se kush duhet të marrë pjesë në debatin për shkollën, për gjuhën a për letërsinë shqipe dhe kush jo, siç kumtoi zonja ministreshë, është një tjetër tregues i të njejtit deformim kulturor, që nuk ka shumë lidhje me shkollën që mund të kesh kryer e as mund të mbulohet me cilësinë e diplomës që mund të kesh marrë.
Unë nuk marr përsipër të them se si duhej të sillej zonja ministreshë e arsimit teksa maturantët ishin në protestë, se ndryshe do t’i thoja që ajo më shumë se sa të përpiqej të gjente se cilët janë studentët e strukturave partiake të opozitës, do të bënte mirë të shkonte dhe ti takonte maturantët, të bisedonte me ta dhe ti dëgjonte për shqetësimet që kanë.
Mirëpo, përkundër maturantëve dhe shqetësimit të tyre të drejtë, zonja ministreshë e arsimit zgjodhi të mbrojë Turin e testit dhe të mbajë anën e tij.
Pra, zgjodhi të identifikohej me personazhin e testit që u bë emri simbol i injorancës, i gjetur si masë inteligjence për të vënë në provë dijet e maturantëve
Është zgjedhje e saj, edhe pse për ndjeshmëri njerëzore, por edhe për përgjegjshmëri e seriozitet të detyrës që kryen, do të duhej të paktën të mos bëhej palë.
Mirëpo ajo shkretane nuk e ka kuptuar që problemi dhe shqetësimi që ka nxjerrë maturantët në protestë nuk është vetëm problem i tyre.
Problemi i maturantëve është problem i të gjithë shoqërisë shqiptare, e cila fatalisht nuk po ia del të kuptojë dëmin e madh që po i bëhet të ardhmes së këtij vendi me rrënimin e dhimbshëm të shkollës, me niveli mjeran të cilësisë së mësimdhënies, me rënien e autoritetit të mësuesit dhe trajtimin skandaloz që i bëhet atij nga shteti, me reformat e imponuara prej mediokritetit dhe interesave politike dhe me politikat arsimore të ushqyera prej injorancës dhe arrogancës.
*Zëvendëskryetari i LSI