Meta nderon me titullin ‘Nderi i Kombit’ etnomuzikologun e shquar Ramadan Sokoli

Tuesday, 23 June 2020 10:50

Presidenti Ilir Meta vlerësoi kompozitorin dhe pedagogun e shquar Ramadan Sokoli (pas vdekjes) me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. Titulli në fjalë kishte motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje si themelues i etnomuzikologjisë shqiptare, muzikolog, kompozitor e pedagog. Vepra e tij studimore e muzikore është pjesë e patjetërsueshme e identitetit kulturor evropian të shqiptarëve. Kontributet e tij të jashtëzakonshme kanë bërë që të flasin shqip zbulimet e arkeologjisë sonë muzikore, duke dhënë përgjigje shteruese për mënyrën e organizimit dhe tipologjisë bazë të folklorit muzikor shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të vendit tonë”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, në ceremoninë solemne të organizuar, Meta shprehu kënaqësinë dhe privilegjin që po nderon një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës dhe artit kombëtar.


“Profesor Ramadan Sokoli lindi 100 vjet më parë në qytetin e Shkodrës, ndërsa në Vlorë kishin nisur krismat për të hedhur në det pushtuesit e fundit që kishin mbetur në tokën tonë. Viti 1920 është një vit i bekuar në historinë e kombit e të shtetit shqiptar. Nis me një ngjarje të madhe siç ishte Kongresi i Lushnjes. Vazhdoi me një ngjarje tjetër në Paris, shumë të madhe që gjithashtu ishte një akt shtetformues. Dhe përfundoi me hedhjen në det të pushtuesve të fundit, duke i dhënë kështu jetë shtetit shqiptar dhe kurorëzuar me sukses ato tetë vite aq të mundimshme, të lodhshme e rraskapitëse që nga 28 Nëntori 1912. Profesor Ramadan Sokoli kaloi nëpër shumë sfida jetësore duke u shndërruar në një shtyllë të patjetërsueshme referimi për zbulimin dhe shpalosjen e vlerave të jashtëzakonshme kulturore të kombit tonë. Ai rridhte nga një familje atdhetare dhe qytetare shkodrane, i mëkuar që në djep me patriotizëm nga familja historike e Sokolëve, si pasardhës i denjë i Hodo Pashë Sokolit, njërit prej komandantëve kryesorë të Lidhjes së Prizrenit. I kthyer plot me ëndrra nga studimet në atdhe, pas Luftës së Dytë Botërore ai u burgos padrejtësisht nga diktatura komuniste, që u mundua më kot të thyente karakterin e paepur të këtij burri kryelartë e fisnik shqiptar. Profesor Sokoli pavarësisht kalvarit personal dhe persekutimeve si familje ia doli të ngrihej mbi presionin dhe vështirësitë e kohës falë talentit, dinjitetit, formimit kulturor, pasionit dhe trashëgimisë shpirtërore të familjes! Në moshën 16 vjeç Profesor Ramadani filloi të sjellë në jetë këngët e para si: ‘Blegëron delja’, e më pas, këngën ‘Lulja me erë’, që në demonstratat e viteve ‘80-‘82 në Kosovë e në mbarë viset ku jetonin shqiptarët, u përhap si hymn frymëzues kushtuar lirisë. Në vitin 1954, si pedagog i ri në Liceun Artistik ‘Jordan Misja’, ai trajtoi për herë të parë lëndën e Folklorit Muzikor duke hapur një kapitull të ri në etnomuzikologjinë shqiptare, që nuk ekzistonte deri në fillim të viteve ‘50-të. I gjithë kontributi etnomuzikologjik i profesor Sokolit është një enciklopedi e mbartjes dhe e shpjegimit të dukurisë së folklorit muzikor shqiptar në kohë dhe hapësirë shumë të gjerë. Talentin dhe kapacitetin profesional Profesor Sokoli e tregoi edhe në udhëheqjen e ekspeditave hulumtuese, bashkë me studiues gjermanë, rumunë, etj., në krahina të ndryshme të Shqipërisë, me të cilat pasuroi Fonotekën e Institutit të Folklorit shqiptar.” – vuri në dukje Presidenti Meta.

 

Ai shtoi mes të tjerash se; “Vlerat e veprës së Profesor Sokolit janë ravijëzuar së bashku me rritjen profesionale, shkencore dhe artistike të vetë autorit.
Ajo çka i ka ngjizur ato në një unitet të vetëm rrezatues, është shpirti, puna dhe përkushtimi i tij prej rilindësi të vërtetë. Falë kontributit të tij të jashtëzakonshëm dhe interpretimeve të tij shkencore, kanë folur shqip zbulimet e arkeologjisë sonë muzikore sikurse janë të mëdhenjtë Niketë Dardani, Jan Kukuzeli e Danush Lapacaja si edhe figura e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut në muzikë.
Gjithashtu janë kryer studime thelbësore për mënyrën e organizimit dhe tipologjitë bazë të folklorit muzikor shqiptar duke filluar prej veglave tona muzikore e deri te përgjigjet e ndërlikuara të origjinës së muzikës sonë popullore, brenda dhe jashtë kufijve tanë shtetërorë. Po kaq të rëndësishme e konsiderojmë edhe krijimtarinë e tij muzikore të të gjitha llojeve dhe gjinive mbështetur në vlerat e etnomuzikës; e po aq edhe konstatimi se në studimet e tij albanologjike, vështrimi etnomuzikologjik i problemit albanologjik është më se origjinal. Duke theksuar se puna e tij e jashtëzakonshme u krye pa mbështetjen e duhur dhe pa kujdesin e veçantë që meritonte ky kolos i trashëgimisë sonë shpirtërore kombëtare, vepra e tij bëhet edhe më e çmuar sot. E gjithë vepra e tij mban vetëm vulën e punës së palodhur, të kryer jashtë ambienteve të institucioneve zyrtare të studimit të traditave, nën kujdesin e veçantë edhe të zonjës Lili, gruas së tij të dashur dhe të përkushtuar ndaj tij deri në çastet e fundit. Asaj ai i ka kushtuar veprën ‘16 Shekuj’, për shkak të dashurisë dhe kontributit të saj për veprën e përbashkët.
Vepra e tij studimore dhe muzikore tashmë është pjesë e identitetit kulturor europian të shqiptarëve. Emri i tij renditet në enciklopeditë e huaja krahas më të mëdhenjve etnomuzikologë të botës. Pas viteve 1990-të vlerat e kontributit të tij u rivendosën në piedestalin e merituar, i kërkuar në gjithë hapësirën shqiptare si udhëheqës e drejtues artistik i shumë festivaleve folklorike kombëtare e rajonale. Krijimtaria e tij studimore vazhdoi deri në çastet e fundit të jetës. Me veprën e tij të jashtëzakonshme profesor Ramadan Sokoli është bërë tashmë pjesë e panteonit të personaliteteve më të shquara të kombit tonë. Për profesor Ramadan Sokolin do të ketë vetëm ditëlindje! – theksoi Presidenti Meta, duke i dorëzuar zonjës Linda Sokoli-Duma dekoratën e lartë për babain e saj.
Në ceremoninë solemne, ku ishin të pranishëm familjarë e të afërm, miq e kolegë, muzikologë, artistë dhe personalitete, fjalën e hapjes e mbajti Zhani Ciko, dhe më pas u luajtën disa pjesë muzikore nga veprat e Ramadan Sokolit, të interpretuara nga artistët Shqipe Zani dhe Kastriot Tusha.

Modifikuar më Tuesday, 23 June 2020 10:55
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...