Regjisori i njohur, Edmond Budina, ka shpërthyer me tone të ashpra ndaj qeverisë dhe organeve të shëndetësisë, që i nxorën emrin si i infektuar me koronavirus, së bashku me vëllanë e tij regjisor, Robert Budina.
Në një lidhje me “Skype” për News24, Budina tha se do të bëjë dhe një tampon të dytë, për të zbuluar nëse është infektuar vërtet, por do ta bëjë jashtë Shqipërisë.
Nga ana tjetër, regjisori paralajmëroi se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore, pasi sipas tij, askush nuk mund të tallet me dinjitetin e qytetarëve, kushdo qoftë ai.
“Unë nuk do të doja të bëja një tampon të dytë, se ku e di unë që s’mund të më fusin një infektim, sikur vepruan dhe me Teatrin, që e shembën teksa njerëzit ishin akoma brenda. Kjo është e frikshme në këtë vend. Unë tamponin do ta bëj, por jashtë Shqipërisë. Këtë çështje do ta ndjekim nga pikëpamja ligjore, bashkë me Robertin, pasi edhe mënyra si vepruan ishte skandaloze. Ata nuk janë padronë, që na nxjerrin emrat, na bëjnë të sëmurë, nuk mund të bëjnë gjithçka me jetët tona. Duhet respektuar dinjiteti jonë, në bazë të ligjeve që ka vendi, dhe jo të merremi nëpër këmbë. Ne duhet të mësohemi që qytetari i thjeshtë duhet të respektohet në tërë dinjitetin e tij. Nuk është paraja që i jep dinjitet atij, por sjellja.
Ne kemi treguar qytetari duke protestuar prej dy vitesh te Teatri Kombëtar. Të merresh nëpër këmbë nga kryeministri, që të përmend emrin 2-3 herë, të bën të mendosh se vërtet unë mund të jem aktor i dorës së dytë, por mbi të gjitha jam qytetar. Dua t’i them kryeministrit se unë kam çmim të barabartë me Pikason, Salvatoren, Tornatoren, etj. Ndërsa kryeministri të merr nëpër këmbë. Çdo qytetar, qoftë dhe ai që lyen këpucët në rrugë apo që punon në fabrikë, ka dinjitetin e tij dhe duhet respektuar. Ky është turp i madh, që na drejtojnë disa njerëz që janë të pacipë, të paskrupullt. Edhe nëse nesër dikush merr nëpër gojë familjen e Edi Ramës, do të jem kundër kësaj gjëje. Ai mund të jetë kryeministër, por nuk është padron as i Shqipërisë, as i joni”, tha Budina me tone të ashpra.
A i janë nënshtruar testit të COVID anëtarët e Aleancës për Teatrin?
Me ç’di unë jo, se nuk kanë asnjë arsye të bëjnë tamponin, pasi nuk kanë asnjë shenjë. Përderisa nuk kam dhe unë, që isha në kontakt direkt me një njeri të sëmurë, atëherë ata nuk kanë arsye pse të bëjnë tamponin.