Presidenti i republikës, Ilir Meta, tha se i ka dërguar një shkresë kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, për një takim urgjent, pas raportit final të Komisionit të Venecias për Gjykatën Kushtetuese.
Presidenti Meta tha në komunikimin e përjavshëm me gazetarët se është i gatshëm për bashkëpunim për zbatimin kushtetues të Reformës në Drejtësi.
Sipas Kreut të Shtetit, ngritja e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë kushtetuese duhet të bëhet urgjentisht, pasi ky është kryekushti i Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Dua të përqendrohem mbi tre elementë kryesorë. Së pari po e nis me Komisionin e Venecias, për arsye të urgjencës që ka ngritja e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë Kushtetuese. Si President i Republikës, siç kam qenë gjithmonë i palodhur në kërkim të bashkëpunimit për zbatimin kushtetues të reformës në drejtësi, do të vijoj të jem kështu edhe pas raportit final të Komisionit të Venecias dhe sot i kemi përcjellë shkresën zyrtare kryetarit të kuvendit për të zhvilluar një takim sa më parë që ai të ketë mundësi, duke filluar nga e hëna që vjen.
Kjo është shumë e rëndësishme, sepse Gjykata Kushtetuese duhet të jetë sa më shpejt funksionale në interes të shqiptarëve, por edhe sa i takon procesit të integrimit, sepse është kryekusht nga PE. padyshim që edhe Bundestagu dhe KE, PE, Parlamenti Danez, etj, do ta marrin në variantin origjinal raportin e Venecias.
Shpreh vendosmërinë e Presidentit për të qenë gjithmonë bashkëpunues me të gjitha institucionet, siç kam qenë përherë, në mënyrë që në Shqipëri Reforma në Drejtësi të fitojë shpejtësinë e humbur dhe të rifitojë besimin e qytetarëve. Kjo realizohet jo përmes interpretimeve sipas dëshirave apo interesave të secilit, por vetëm përmes respektimit të Kushtetutës dhe ligjit nga të gjithë.
Së dyti, implementimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias është e vetmja rrugë për të ecur përpara. Rekomandimet janë të qarta edhe në shqip”, tha Meta.