Zëri i Amerikës:Në Shqipëri situatë serioze nga koronavirusi

Hënë, 29 June 2020 15:16

Nga “Zëri i Amerikës”

Në Shqipëri përhapja e koronavirusit vijon të mbetet shqetësuese me viktima të përditshme, shifra të larta të rasteve të reja dhe rritje të pacientëve të shtruar. Edhe vetë autoritetet shëndetësore folën sot për “një situatë serioze të rasteve të konfirmuara pozitive me Covid19, të rasteve që kanë kërkuar shtrim në spital apo rasteve në terapi intensive. Një tjetër trend në rritje janë edhe rastet që kanë pësuar humbje jete. Të gjithë këta indikatorë tregojnë që virusi po vijon me të njëjtin intensitet transmetueshmërie dhe po paraqet raste me shenja klinike”, deklaroi Eugena Tomini, drejtuese e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në Institutin e Shëndetit Publik.

 

Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot për dy persona të tjera që kanë humbur jetën në 24 orët e fundit. Bëhet fjalë për një 78 vjeçare nga Tirana, e cila kishte qenë shtruar më parë në një spital privat, dhe një 83 vjeçar nga Durrësi i cili vuante nga hipertensioni. Vetëm në 4 ditët e fundit janë 9 persona që kanë humbur jetën, ndërsa në total janë 58 viktima.

Në Spitalin Infektiv vijojnë të rriten shifrat e të shtruarve. Deri mesditën e some po trajtoheshin 84 pacientë nga të cilët 11 në terapi intensive dhe 2 të tjerë të intubuar. Mes këtyre të fundit edhe një mjek i njohur hematolog.

Mbeten në nivele të larta rastet e reja të konfirmuara. Gjatë 24 orëve të fundit janë zbuluar 64 të infektuar rishtazi, në 14 qytete të ndryshme, me një shtrirje të gjerë gjeografike: 15 raste në Tiranë, 13 në Krujë, 11 në Shkodër, 7 në Durrës, 4 në Lezhë, nga 3 raste në Kukës, Pukë, 2 në Kurbin, dhe nga 1 rast përkatësisht në Korçë, Elbasan, Vlorë, Berat, Mat, Pogradec.

Rastet e reja prej disa javësh janë më të larta se shifrat e të shëruarve, duke bërë që numri i personave aktiv të jetë në rritje. Deri më sot janë 970 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

Për situatën e krijuar foli sot dhe presidenti Ilir Meta. “Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga COVID-19, veçanërisht të numrit të viktimave, krahasuar me periudhën e fillimit të pandemisë dhe të karantinës, kërkojnë urgjentisht një reflektim serioz, të përgjegjshëm dhe transparent”, shkroi kreu i Shtetit në një postim në Facebook, duke shtuar se sipas tij “nevojitet një strategji konkrete afatgjatë, jo sporadike dhe mediatike, për përballimin dhe vënien nën kontroll të përhapjes së kësaj pandemie që po rrezikon seriozisht shëndetin dhe jetën e qytetarëve”.

Presidenti Meta theksoi “domosdoshmërinë për respektimin me rigorozitet nga të gjithë të protokolleve shëndetësore dhe masave parandaluese”, ndërsa vuri në dukje se “është me rëndësi jetike rritja e efikasitetit të këtyre masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët duhet të jetë vetëm mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe ekonomisë kombëtare. Në veçanti është e domosdoshme të rritet besueshmëria e menaxhimit të pandemisë, tani kur po hyjmë në pikun e sezonit turistik, në mënyrë që të përfitojmë maksimalisht prej tij”, nënvizoi kreu i Shtetit.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...