Ish-Zv/Kryetarja e Gjykatës së Strazburgut: Vettingu, KED, incidenti procedural i Dvoranit, tre faktorët që sollën krizën në Shqipëri

Hënë, 29 June 2020 17:33

 

Ish-Zv/Kryetarja e Gjykatës së Strazburgut: Vettingu, KED, incidenti procedural i Dvoranit, tre faktorët që sollën krizën në Shqipëri
Prof. Angelika Nusberger, është anëtare gjermane e Komisionit të Venecias, më parë zëvendëspresidente e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, drejtoreshë e Institutit për Ligjn Europiano Lindor në Universitetin e Kölnit. Në një intervistë për DW ajo shpjegon vendimet e Komisionit të Venecias për Shqipërinë dhe arsyet që kanë sjellë krizën institucionale dhe politike në Tiranë.

Deutsche Welle: Prof. Nußberger, ju jeni anëtare gjermane e Komisionit të Venecias dhe merreni edhe me çështjet e hapura juridike në Shqipëri. A keni qenë vetë në Shqipëri?

 

Prof. Angelika Nußberger: Herën e fundit kam qenë në shkurt me delegacionin e Komisionit të Venecias në Shqipëri, pak kohë para shpërthimit të Coronës.

E cila ishte përshtypja nga takimet tuaja?

Prof. Angelika Nußberger: Në takimet e shumta me përfaqësues nga politika dhe shoqëria civile pata përshtypjen se është shumë urgjente që reforma e drejtësisë të përmbyllet sa më shpejt dhe me sukses.

Së fundmi Komisioni i Venecias ofroi rekomandimet e tij për shqetësimet ekzistuese në Shqipëri lidhur me Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri. Cili është hapi tjetër që duhet ndërmarrë tani?

Prof. Angelika Nußberger: Për Shqipërinë ka një rëndësi të jashtëzakonshme të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Kështu që hapi tjetër i nevojshëm është të ecet përpara me emërimet e tjera të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Mbi bazën e opinionit të Komisionit të Venecias rruga përpara tani duhet të jetë e qartë.

Por edhe më parë Komisioni i Venecias ka publikuar rekomandimet e veta për mosmarrëveshje të tjera. Rezultati ka qenë shpesh interpretimi politik, ku secila palë thotë, se Komisioni i jep të drejtë dhe grindjet vazhdojnë. Çfarë efekti kanë atëherë rekomandimet tuaja? A përbën një problem fakti që opinionet tuaja nuk janë të detyrueshme?

Prof. Angelika Nußberger: Është e vërtetë që teknikisht opinionet e Komisionit të Venecias nuk janë të detyrueshme; ato ofrojnë atë që shpesh quhet si “soft law” – “ligji i butë”. Por kjo nuk do të thotë, që ato mund të neglizhohen. Përkundrazi, të dy, kryetari i Parlamentit të Shqipërisë edhe Presidenti i Shqipërisë e kanë kërkuar opinionin, që do të thotë ata që kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese Opinioni i Komisionit të Venecias jep një përgjigje për pyetjet e kërkuara. Prandaj nuk mund të ketë asnjë dyshim që do të merret seriozisht. Përgjigjet e dhëna përfaqësojnë komunitetin ligjor europian; ato kanë një autoritet të veçantë.

Pas dëgjimit të të gjithë aktorëve relevantë, Komisioni i Venecias e shpjegon pozicionin e tij ligjor sa më qartë të jetë e mundur. Kështu që nuk ka vend për interpretime.

Ka kohë që Gjykata Kushtetuese nuk funksionon në Shqipëri. Çfarë duhet bërë për të përshpejtuar procesin e emërimeve të Gjykatës Kushtetuese?

Prof. Angelika Nußberger: Kushtetuta e Shqipërisë vendos një mekanizëm të komplikuar për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Parashikimet kushtetuese çuan në mosmarrëveshje, se si kuptohen ato në kushte të caktuara – në një situatë, ku ka shumë vende bosh në të njëjtën kohë, ku procedura e vetting-ut është ende në vazhdim e sipër dhe ku ka vetëm shumë pak kandidatë. Komisioni i Venecias ka dhënë shpjegimin si të operohet në kushte të tilla. Kështu, bazuar në këtë opinion, aktorët e ndryshëm politikë duhet të fillojnë bashkëpunimin në mirëbesim. “Për të kapërcyer krizën kërkohet dhe është thelbësore arritja e një konsensusi të gjerë për një dialog konstruktiv, ndërinstitucional dhe bashkëpunimi mes institucioneve të shtetit.”

Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese do të ketë një efekt pozitiv në zhvillimin e vendit. Çështjet e diskutueshme mund të zgjidhen kështu mbi baza ligjore. Në një rast të mosmarrëveshjeve mes aktorëve të ndryshëm politikë Gjykata Kushtetuese do të jetë arbitri që do të tregojë rrugën përpara.

Komisioni dha rekomandime për disa ndryshime kushtetuese. Megjithatë nuk është i vogël rreziku, që ju të dëgjoni sërish për grindje politike lidhur me to, me rezultatin e një bllokade të re politike. Cila është qasja juaj në këtë rast?

Prof. Angelika Nußberger: Rekomandimet mbi ndryshimet kushtetuese prekin rregullat e paqarta. Njëherë për njëherë, megjithatë Komisioni i Venecias ka shpjeguar si funksionojnë mekanizmat kushtetues. Kështu që edhe nëse nuk ka konsensus për ndryshimin e Kushtetutës, nuk ka asnjë arsye për një bllokadë politike.

A e ndiqni ju edhe implementimin e rekomandimeve tuaja, apo puna juaj merr fund sapo të jepet opinioni?

Prof. Angelika Nußberger: Po, Komisioni i Venecias gjithmonë i ndjek nga afër deri në ç’pikë janë implementuar opinionet e tij. Sekretariati i raporton mbledhjes plenare mbi zhvillimet gjatë takimit në Venecia.

Reforma e drejtësisë në Shqipëri është një sfidë që po zgjat me vite, e po të flasësh me njerëzit në vend ata janë të lodhur, sepse institucionet kryesore të ligjit nuk funksionojnë prej vitesh. Çështje të rëndësishme ende presin përgjigje. A ka diçka që do të thonit tani më pas, për reformën, se kjo do duhej të ishte organizuar më mirë vitet e kaluara në Shqipëri?

Prof. Angelika Nußberger: Komisioni i Venecias i ka analizuar problemet e reformës ligjore në Shqipëri. Lidhur me çështjen e mosfunksionimit të Gjykatës së Lartë, Komisioni i Venecias i ka dedikuar tre kapituj të opinionit të tij mbi faktorët e ndryshëm, influencën e procesit të vetting-ut, influencën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe rrethanat konkrete të të ashtuquajturit “incident procedural”.

Në të ardhmen është i mundur një fillim i ri. Të gjithë aktorët politikë duhet të marrin si pikë startimi nevojën urgjente për të rithemeluar Gjykatën e Lartë. Ky duhet të jetë një qëllim politik i përbashkët, në të cilin nuk duhet të interferojnë interesat personale dhe politiko-partiake.

A keni shembuj, se ku e kanë hapur derën e dialogut rekomandimet tuaja?

Prof. Angelika Nußberger: Ka shembuj interesantë, ku shtetet që kanë pasur shqetësime kanë ndjekur opinionin e Komisionit të Venecias. Një shembull mund të jetë adoptimi i Aktit të Sistemit Juridik në Bullgari, ku në fund një nga rekomandimet u adresua pjesërisht, dhe rishikimi i Kushtetutës në Gjeorgji, ku opinioni i Komisionit të Venecias u mor për bazë në disa aspekte.

A mendoni se Shqipëria është pranë kësaj?

Prof. Angelika Nußberger: Gjatë vizitës sonë ne kemi parë se të gjithë aktorët politikë janë të vetëdijshëm për situatën e vështirë të vendit dhe duan të tejkalojnë situatën e krizës. Shqipëria ka juristë të shkëlqyer dhe mund të ngrejë me lehtësi institucione shtetërore që funksionojnë mbi bazën e sundimit të ligjit. Vullneti politik është aty. Nga perspektiva jashtë duket, se problemet janë “self-made” -të krijuara vetë dhe çdo gjë do të rregullohet sa më shpejt që aktorët politikë të bashkojnë përpjekjet e tyre për të gjetur zgjidhje të mira të përbashkëta.

Po tani që nuk mund të vizitoni vendin, si merren vendimet për opinionin?

Prof. Angelika Nußberger: Për shkak të Coronës, anëtarët e Komisionit të Venecias nuk mundën të takoheshin as në mars, e as në qershor. Megjithatë ne mundëm të pranonim opinione të rëndësishme në formë të shkruar.

Marrë nga DW

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...