Një raport ‘konfidencial’ auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon se studimi i fizibilitetit për koncesionin e inceneratorit të Tiranës përmban deformime sasiore dhe cilësore, kosto të pajustifikuara dhe të fryra, si dhe analiza financiare kontradiktore që u miratuan në shkelje të ligjit nga qeveria, duke ia faturuar publikut të gjitha rreziqet financiare.
BIRN
Në gushtin e nxehtë të verës së vitit 2017 – pas një beteje elektorale të lodhshme që solli dhe fundin e koalicionit mes Partisë Socialiste dhe LSI, ministri i Mjedisit Lefter Koka firmosi një kontratë koncesioni me kompaninë ‘Integrated Energy BV’ për rehabilitimin e venddepozitimit të mbetjeve në Sharrë, si dhe ndërtimin e një landfilli dhe inceneratori që do të prodhonte energji elektrike.
Projekti koncensionar i inceneratorit të Tiranës u prezantua fillimisht si një investim privat me vlerë rreth 140 milionë euro, i cili do të paguhej nëpërmjet një tarife për incenerimin e mbetjeve nga njësitë e qeverisjes vendore të qarkut Tiranë.
Por një auditim i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, KLSH në Drejtorinë e Koncesioneve të Ministrisë së Financave në vitin 2019 zbulon se kostot e projektit për taksapaguesin janë gati tre herë më të mëdha, ndërsa studimi i fizibilitetit për këtë projekt është miratuar nga qeveria në mënyrë ekstra ligjore, pasi projekti nuk ishte i përballueshëm sipas fondeve të buxhetit të miratuara nga Kuvendi.
KLSH ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si institucionet përgjegjëse buxhetore pranuan koncesionin e propozuar nga kompania private, duke injoruar shkallën e lartë të rrezikut që përbën ky projekt për buxhetin e shtetit.
“Kjo është një formë agresioni e oligarkisë, një agresion i parave të pista mbi sektorin publik,”thotë ekonomisti Zef Preçi, duke iu referuar kontratës koncesionare të inceneratorit të Sharrës.
“Po tentohet të rrënohet konkurrenca dhe të zëvendësohet me monopolet që krijohen me ligj dhe ofrojnë fitim të garantuar për përfituesit e tyre, pas të cilëve qëndrojnë qarqe politike të interesuara,” shtoi ai.
Sipas auditimit të KLSH-së, studimi i fizibilitetit i Ministrisë së Mjedisit përmbante gabime materiale serioze, kosto të pajustifikuara në dhjetëra milionë euro, nuk përfshin koston për shpronësimin e tokës private, jep një vlerësim të gabuar të përfitimit të kompanisë për njësi si dhe të përllogaritjes së tarifës së trajtimit të mbetjeve.
Ndërsa vlerësimet financiare konsiderohen kontradiktore, KLSH thekson se studimi nuk përllogarit drejt kostot buxhetore që mund të vijnë si pasojë e riskut të kërkesës, të kursit të këmbimit, të inflacionit dhe të normës se interesit, të cilat janë marrë të gjitha përsipër nga buxheti i shtetit.
Qeveria nuk iu përgjigj një kërkese për koment të BIRN mbi gjetjet e raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Një projekt i ‘papërballueshëm’
Në sektorin e mjedisit janë në proces ekzekutimi tre projekte koncesionare/PPP që përfshijnë mbështetje buxhetore; inceneratori i Tiranës, ai i Fierit dhe i Elbasanit – të treja të lidhura me administratorin misterioz Klodian Zoto dhe një kompani të regjistruar në Mbretërinë e Holandës, vend i Bashkimit Europian ku mund të regjistrohen lehtë kompanitë guaskë.
Kompania ‘Integrated Energy BV’ regjistroi një kompani në Tiranë të quajtur Integrated Energy BV SPV në gusht 2017, me një kapital themeltar prej 100 mijë lekësh (rreth 800 euro). Kjo është kompania e krijuar posaçërisht për menaxhimin e kontratës së koncesionit.
Në vitin 2018 – viti i parë i operimit të kompanisë, Integrated Energy BV SPV realizoi të ardhura prej 1.15 miliardë lekë [9.6 milionë euro] dhe fitime neto në masën 35.7 milionë lekë [rreth 300 mijë euro] ndërkohë që kapitali i aksionerëve vijoi të mbetet 800 euro, sipas bilancit që kompania ka dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
KLSH vendosi të auditojë inceneratorin e Tiranës për shkak se nga 3 projektet në proces, ai përfshinte mbështetje buxhetore 30 vjeçare, duke u shtrirë përtej vitit 2032.
Auditim i përputhshmërisë nënkupton dhënien e një vlerësimi objektiv, profesional e të pavarur, për shkallën e ndjekjes nga subjekti i audituar i rregullave, ligjeve dhe rregulloreve, politikave, kodeve të vendosura ose termave dhe kushteve, në fuqi në kohën e zhvillimit të veprimtarisë së njësisë publike.
KLSH ka audituar dhënien e miratimit nga Drejtoria e Koncesioneve në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë – e cila në atë kohë drejtohej nga Arben Ahmetaj, projektit të pakërkuar të kompanisë Integrated Energy BV për ndërtimin inceneratorit të Tiranës.
Drejtoria e Koncesioneve garanton trajtimin, ndjekjen dhe vlerësimin e çdo projekti koncesionar ose të Partneritetit Publik Privat, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi – funksion që e realizon në bashkëpunim me struktura të tjera përgjegjëse në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, mbikëqyrjen e procedurave administrative për koncesionet/PPP, si dhe dhënien e miratimit ose refuzimit të projekteve koncesionare të paraqitura në formën e studimit të fizibilitetit.
Autoriteti Kontraktues – në këtë rast Ministria e Mjedisit, i jep statusin e studimit të fizibilitetit projektit dhe është përgjegjës për hartimin e tij nëpërmjet komisionit të dhënies së koncesionit.
Sipas Zef Preçit, projektet e Partneritetit Publik Privat janë kontrata komplekse dhe studimi i fizibilitetit është një nga hapat më të rëndësishëm të negocimit të një kontrate të tillë.
“Duke mos qenë kundër në parim të aplikimit të metodës së partneriteti publik privat, duhet të kujtojmë sfidat qe ka aplikimi i kësaj metode edhe në vendet më të zhvilluara të botës,” tha Preçi.
Studimi i fizibilitetit duhet të marrë miratimin e Ministrisë së Financave në lidhje me përballueshmërinë dhe qëndrueshmërinë fiskale, si dhe për risqet që mund të sjellë për autoritetin kontraktor.
Por sipas gjetjeve të auditimit të KLSH-së, studimi i fizibilitetit i përgatitur nga Ministria e Mjedisit dhe i miratuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për inceneratorin e Sharrës nuk parashikon koston e shpronësimit të truallit privat në favor të koncesionarit nga buxheti i shtetit, si dhe bën një sy qorr ndaj tejkalimit të tavaneve buxhetore të miratuara për pagesat në favor të tij.
Sipas studimit të fizibilitetit të paraqitur në Ministrinë e Financave në dhjetor 2016, 39.9 % e tokës së projektit ose 478,800 m2 është tokë private, me një kosto shpronësimi të barabartë me 214,5 milionë lekë, duke e llogaritur me çmimin e shpronësimit 448 lekë për m2.
Nga auditimi është konstatuar gjithashtu se kjo vlerë e parashikuar për shpronësimin për interes publik me qëllim realizimin e projektit “nuk është parashikuar në buxhetin e nevojshëm që kërkon ky projekt dhe as nuk është pjesë e analizës ekonomike dhe financiare në flukset e parasë dhe treguesit financiare të projektit.”
Projekti koncesionar i paraqitur në studimin e fizibilitetit të përgatitur nga Ministria e Mjedisit parashikonte kryerjen e një pagese prej 7.4 milionë euro në vit për një periudhë 30 vjeçare nga buxheti i shtetit, nëpërmjet garantimit të një minimumi ditor prej 700 ton mbetjesh në ditë me një tarifë prej 29.05 euro/ton, që në të gjithë kohëzgjatjen e koncesionit kap një vlerë prej 222.6 milionë euro pa TVSH.
Studimi i fizibilitetit e ndan këtë pagesë në 130.8 milionë euro mbështetje nga qeveria shqiptare dhe 91.7 milionë euro pa TVSH nga buxheti i bashkive të qarkut Tiranë, për të gjithë kohëzgjatjen e kontratës.
Edhe pse për këtë projekt parashikohet mbështetje buxhetore nga qeveria qendrore dhe ajo vendore, në momentin e miratimin të studimit të fizibilitetit nga ana MFE-së, këto fonde nuk kanë qenë disponibël.
Ministria e Financave ka pretenduar se financimi i këtij projekti do të realizohet nga bashkia e Tiranës “si autoriteti më i madh i përdorimit të këtij impianti”, e cila do ta përballojë këtë shpenzim me anë të grantit të pakushtëzuar nga buxheti i shtetit.
Por në realitet, granti i pakushtëzuar i bashkisë së Tiranës është shumë i vogël për t’i përballuar pagesat e kripura të projektit dhe pjesa më madhe e tyre gjatë vitit të parë të zbatimit të kontratës janë bërë nga fonde të planifikuara për Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës, të akorduara nëpërmjet një Vendimi të Këshillit të Ministrave të 26 korrikut 2018.
Sipas auditimit, Ministria e Financave e ka miratuar projektin, pavarësisht se kostot e shpronësimit të tokës dhe pagesat e disponueshmërisë nuk kanë qenë të parashikuara në tavanet e shpenzimeve buxhetore të miratuara nga Kuvendi për qeverinë dhe bashkitë e qarkut Tiranë.
“Projekti është miratuar megjithëse shuma e parashikuar dhe mënyra e pagesës së mbështetjes financiare kanë qenë të papërballueshme,” thekson KLSH.
Parimisht dakord
Një tjetër shqetësim i ngritur nga auditimi i KLSH-së në lidhje me koncensionin e inceneratorit të Tiranës lidhet me mungesën e marrjes së miratimit nga palët e treta të prekura nga projekti. KLSH vë në pah se nga njësitë përbërëse të qarkut Tiranë, ky projekt është miratuar vetëm nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili është shprehur ‘parimisht dakord’ mbi studimin e fizibilitetit.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, Veliaj nuk e ka tagrin për ta miratuar projektin, pasi ai vetëm e propozon buxhetin e bashkisë, i cili miratohet nga Këshilli Bashkiak.
“Angazhimi për dakordësinë duhet të përfshijë marrjen e vendimit nga Këshilli Bashkiak përkatës, si autoriteti kompetent për miratimin e buxhetit, ndërkohë që aprovimi është dhënë nga autoriteti i kryetarit të Bashkisë që ka për kompetencë vetëm propozimin e buxhetit në këshill,” thekson KLSH.
Gjithashtu, Ministria e Financës dhe Ekonomisë “është shprehur pa komente” për projektin dhe nuk e ka kundërshtuar; megjithëse nuk ka pasur konfirmim nga ana e bashkive të tjera të prekura nga ky projekt – në lidhje me garantimin e sasisë minimale të mbetjeve të trajtuara prej 700 ton në ditë.
Gjithashtu, në studimin e fizibilitetit është projektuar sigurimi i ardhurave në vlerë 133 milionë euro nga shitja e energjisë elektrike me një çmim prej 70 euro për MËH, pa marrë konfirmim nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe pa asnjë evidencë që e justifikon këtë çmim.
Kostot e investimit dhe operimit
Si pjesë e vlerësimit të qëndrueshmërisë dhe fizibilitetit fiskal të projektit, KLSH ka audituar edhe saktësinë dhe besueshmërinë e treguesve financiarë të paraqitur në studimin e fizibilitetit.
Në këtë studim, parashikimi i sasisë së mbetjeve për t’u trajtuar nga inceneratori bazohet në një raport të vitit 2014, të hartuar Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, sipas të cilit në qarkun e Tiranës gjeneroheshin 290.584 ton mbetje urbane dhe inerte në vit.
Kostot e investimit të projektit detajohen në analizën ekonomike, duke përfshirë pjesën e analizës së investimeve dhe projektimin e tyre për qëllime të përcaktimit të tarifës së operimit për njësi. Nga auditimi është konstatuar se kostot e investimit të parashikuar për të realizuar inceneratorin janë të paraqitura në vlera të ndryshme në pjesë të ndryshme të analizës ekonomike të studimit të fizibilitetit.
Sipas propozimit të pakërkuar, kostot e investimit janë 128.2 milionë euro, ndërsa sipas tabelës së flukseve të parasë janë 131 milionë euro.
Diferencat janë të paraqitura në investimet e propozuara për mjetet e transportit, ku në një rast është propozuar shuma 750,000 euro (sipas propozimit të pakërkuar), ndërkohë që në rastin tjetër janë paraqitur në shumën 3,75 milionë euro (sipas tabelës së flukseve).
“Këto diferenca kanë efekt të drejtpërdrejtë në përcaktimin e kostos për njësi të shërbimit të ofruar dhe rrjedhimisht në pagesat e projektuara nga autoritetet publike në funksion të zbatimit të projektit koncesionar,” argumenton KLSH.
“Në të njëjtën kohë, ato vendosin në dyshim vlerat reale që do investohen nga koncesionari gjatë procesit të zbatimit të projektit koncesionar/PPP,” shton ajo.
Sipas studimit të fizibilitetit, kostot e operimit janë 299.3 milionë euro, ku përfshihen pagat, materialet e konsumueshme, kosto mirëmbajtje, kosto e trajtimit të landfillit, shpenzime për automjetet, shpenzime konsulence, telekomunikacion, si dhe shpenzime të tjera administrative.
Por edhe pse shifrat e këtyre shpenzimeve janë marramendëse, hartuesit e studimit të fizibilitetit nuk kanë marrë kohë për të shpjeguar se pse dhe për çfarë do të shpenzohen. Sipas KLSH-së, më shumë se 61 milionë euro kosto të paraqitura në studimin e fizibilitetit janë të paargumentuara.
“Nga auditimi konstatohet se nuk ka argumentim në studimin e fizibilitetit në lidhje me kostot e konsulencës (2,115,000 euro), telekomunikacionit (507,600 euro) dhe mbi të gjitha të shpenzimeve të tjera administrative të cilat janë paraqitur në vlerën (58,556,632 euro),” thotë KLSH.
“Përfshirja e kostove administrative në masën 20% të vlerës totale të kostove të operimit, të paargumentuara dhe të pambështetura, paraqet dyshime në lidhje me fluksin dalës të projektuar për to me ndikim të drejtpërdrejtë në vërtetësinë e llogaritjeve të kryera për përcaktimin e tarifës së ofrimit të shërbimit,” shton KLSH.
Mbi bazën e fluksit të investimeve të kërkuara, fluksit të shpenzimeve operative dhe flukseve të tjera hyrëse është kryer analiza për përcaktimin e tarifës për njësi të ofrimit të shërbimit që përfshin ky projekt.
Sipas studimit të fizibilitetit, totali i kostove të ndërtimit dhe operimit të inceneratorit kap vlerën e 430 milionë eurove, ndërkohë që përfitimi nga shitja e energjisë elektrike dhe skrapit vlerësohet respektivisht 133 milionë dhe 78 milionë euro. Fitimi i shoqërisë gjatë periudhës koncesionare llogaritet në 120.69 milionë euro, ose 2.9 euro për ton, duke përcaktuar edhe koston për ton në 29 euro.
Por sipas KLSH-së, përllogaritja e kostos për njësi dhe përfitimi i kompanisë për njësi janë të pasakta, për shkak të llogarive të gabuara matematikore. E thënë më thjeshtë, ose hartuesit e studimit të fizibilitetit në Ministrinë e Mjedisit nuk dinin të shumëzonin dhe të pjesëtonin, ose kanë manipuluar shifrat.
“Këto vlera janë transformuar dhe nuk i përgjigjen llogaritjeve matematikore, ku përfitimi i shoqërisë nga projekti llogaritet në masën 2.9 euro/njësi, ndërkohë që realisht ai rezulton në shumën 14.46 euro/njësi,” thotë KLSH.
Ndryshe nga se shkruhet në studimin e fizibilitetit dhe është trumbetuar publikisht nga qeveria, audituesit e KLSH-së vlerësojnë se kostoja për njësi për ton e inceneratorit nuk vlerësohet në 29 euro/toni, por 40.6 euro/toni.
Ornela Liperi, kryeredakore e revistës ekonomike “Monitor” – botimi i parë që ka ngritur alarmin mbi kostot e kontratave për menaxhimin e mbetjeve, shprehet se përfitimet e publikut nga koncesioni i inceneratorit të Tiranës janë të paqarta.
“Në këtë rast ka munguar një llogari kosto-përfitimi, nëqoftë se shteti do ta bënte vetë këtë lloj shërbimi,” shprehet ajo. “Ne na del që po i paguajmë plehrat si Frëngu pulën me këtë kontratë,” shtoi Liperi.
KLSH thekson se treguesit e përdorur për përcaktimin e kostos për njësi janë llogaritur duke mos marrë parasysh vlerën në kohë të parasë, duke qenë se flukset dalëse nga investimet dhe flukset dalëse nga operimi i përkasin në vlera të ndryshme, viteve të ndryshme
Nga ana tjetër, edhe për të ardhurat nga shitja e energjisë elektrike nga inceneratori apo nga shitja e skrapit nuk ka një projeksion në lidhje me realizueshmërinë e tyre në çdo vit.
“Nxjerrja e tarifës për njësi të shërbimit mbi bazën e këtyre supozimeve të munguara vendos në dyshim nevojën reale për mbështetjen e projektit me atë vlerë të projektuar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore,” shprehet KLSH.
Në studimin e fizibilitetit, Ministria e Mjedisit është shprehur se për realizimin e projektit kemi të bëjmë me investim tërësisht privat prej rreth 128 milion eurosh, ndërkohë që sipas mënyrës së përcaktimit të tarifimit, rezulton se kompania “Integrated Energy BV” ka nisur fatura drejt njësive të vetëqeverisjes vendore të Qarkut Tiranë, edhe pa nisur fare investimet.
Sipas KLSH-së, vetëm në vitin e parë të projektit, në periudhën prill 2018 – mars 2019, kompanisë “Integrated Energy BV” i janë paguar nga drejtoria e thesarit rreth 10 milionë euro.
“Një parashikim i tillë i modelit financiar e vendos Buxhetin e Shtetit përballë risqeve të shpenzimit pa marrë në këmbim investim dhe në të njëjtën kohë mundëson krijimin e kapitalit për financimin e investimeve me kapital shtetëror,” theksohet në raportin e auditimit.
Konflikti i treguesve financiarë
Sipas auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, edhe treguesit financiar të paraqitur në studimin e fizibilitetit nuk janë të besueshëm. Nga auditimit konstatohet se në këtë studim nuk është kryer një analizë e të gjithë flukseve hyrëse dhe dalëse të shtrira në të gjithë periudhën e kohëzgjatjes së projektit.
Gjithashtu, sipas KLSH-së studimi i fizibilitetit nuk paraqet asnjë vlerësim për shpërndarjen e kostove të investimit, të operimit dhe flukseve hyrëse nga shitja energjisë, skrapit apo tarifave të paguara nga sektori publik sipas viteve respektive.
“Në këtë seksion janë paraqitur vetëm flukset hyrëse neto dhe flukset dalëse në total sipas viteve për të gjitha investimet, por jo të detajuara, duke e bërë të pamundur certifikimin e fluksit të parasë në dispozicion në fund të çdo viti dhe në të njëjtën kohë vlerësimin e fluksit kumulativ të parasë në fund të çdo periudhe,” shprehen audituesit.
Për të vlerësuar investimin në studimin e fizibilitetit janë përdorur dy tregues financiarë; vlera aktuale neto ose NPV dhe norma e kthimit mbi investimin ose IRR.
Sipas studimit të fizibilitetit, treguesi financiar NPV- është rreth 52 milionë euro, me një normë skontimi 2%, ndërsa IRR ka një vlerë 5.09 %. Ndryshe nga autoriteti kontraktor, për MFE treguesi financiar NPV është 8.4 milionë euro dhe IRR vlerësohet në 8.4 %. Ndërsa sipas KLSH-së, treguesi financiar NPV, më një normë skontimi 2% kap vlerën 66.9 milionë euro.
“Diferenca të tilla të konstatuara mbi studimin e fizibilitetit si nga MFE, por edhe nga KLSH vendosin në dyshim kthimin real nga investimi për projektin, me impakt për Buxhetin e Shtetit,” shprehet KLSH.
“Gjithashtu konstatohet se nuk ka një argumentim në studim fizibiliteti për pranimin e një IRR-je mbi koston e kapitalit të pretenduar prej 2% dhe rrjedhimisht pa argumentuar flukset e parasë mbi pagesat e Buxhetit të Shtetit për këtë projekt,” shton KLSH.
Risqet mbi sektorin publik
Një nga parimet e praktikës së partneritetit publik-privat për projektet publike është ndarja e risqeve mes autoriteti publik dhe investitorit privat. Por në projektin e inceneratorit të Tiranës, risqet sipas KLSH-së i janë lënë mbi shpinë buxhetit të shtetit, ndërsa përfitimet kompanisë ‘Integrated Energy BV’.
Në këtë kategori përfshihen risku i kërkesës, ai normës së interesit, risku i kursit të këmbimit dhe risku inflacionit.
Në studimin e fizibilitetit të përgatitur nga autoriteti kontraktor, risku i kërkesës është paraqitur si rezultat i reduktimit të depozitimit të mbetjeve të ngurta urbane si pasojë e ngjarjeve demografike, ose shkatërrimit të sistemit të grumbullimit të mbetjeve në qarkun e Tiranës. Me anë të sasisë minimale ditore të mbetjeve të garantuara, i gjithë ky risk i është transferuar publikut.
Sipas KLSH-së, sasia ditore prej 700 ton mbetjesh është e bazuar në të dhënat historike vjetore të depozitimit të qarkut Tiranë të vitit 2014, të cilat japin një shifër prej 246,800 ton. Megjithatë, kjo sasi nuk përfshin 43.7 ton mbetje inerte që gjenerohen gjithashtu në këtë qark çdo vit. KLSH vlerëson se studimi i fizibiliteti nuk përfshin një projeksion për sasinë e mbetjeve që do të gjenerohen në këtë qark në 30 vitet e ardhshme, e cila pritet të jetë në rritje për shkak të rritjes së popullsisë dhe sugjeron tejkalimin e sasisë minimale prej 700 ton mbetje në ditë, çfarë do të sjellë kosto shtesë për buxhetin e shtetit.
Për shkak të riskut të kërkesës në projektimet e bëra nga MFE, pagesa për një periudhë 30-vjeçare përllogaritet në 246.94 milionë euro, ndërkohë në studimin e fizibilitetit miratimi është dhënë për një pagesë 7.4 milionë euro në vit ose 222.6 milionë euro për të gjithë kohëzgjatjen e koncesionit, ose 24.2 milionë euro më pak.
Në studimin e fizibilitetit parashikohet që risku i financimit përfshin rritjen në normës së interesit që do të ndikonte në rritjen e kostos së financimit për koncesionarin. Nga hartuesit e studimit është parashikuar që i gjithë financimi do bëhet me kapital tërësisht privat, pa marrë hua. Megjithatë, afatgjatë nuk ndalohet mundësia e marrjes së huave, risku i normës së interesit të të cilave pritet të ndahet midis palëve.
Edhe risku që lidhet me kursin e këmbimit pritet të japë efekte në buxhetin e shtetit, për faktin se tarifa është vendosur në vlerën 29 euro për ton. Kjo tarifë do të varet nga kursi ditor i këmbimit të bërjes së pagesës ndaj koncesionarit, duke e ekspozuar buxhetin e shtetit ndaj risqeve.
Një tjetër risk që merret përsipër nga buxheti i shtetit në këtë kontratë është edhe ai që vjen si pasojë e inflacionit, i cili pritet të sjellë kosto shtesë prej 78,4 milionë euro në krahasim me projeksionin e paraqitur në studimin e fizibilitetit. Sipas KLSH-së, në total projekti i inceneratorit do t’i kushtojë buxhetit të shtetit më shumë 339 milionë euro.
“Nga auditimi konstatohet se nga ana e MFE nuk është marrë asnjë masë për shmangien e këtyre risqeve, duke qenë se është miratuar studimi i fizibilitetit që përfshin mbartjen e këtyre risqeve nga sektori publik, duke lejuar mundësinë e rritjes së pagesave të nevojshme nga Buxheti i Shtetit për realizimin e këtij projekti koncesionar,” shprehet KLSH.
“Nga ana tjetër, edhe analizat që përcaktojnë kostot shtesë të projektit si pasojë e ndërmarrjes së risqeve rezultojnë të mos jenë kryer përpara vendimmarrjes në lidhje me qëndrueshmërinë dhe fizibilitetin fiskal,” përfundon ajo.
Sipas Ornela Liperit, marrja e rrezikut që vjen si pasojë e inflacionit dhe e normës ditore minimale të mbetjeve të depozituara prej 700 ton nga shteti, ngre pikëpyetje mbi ndarjen e risqeve mes publikut dhe privatit në kontratën koncesionare.
“Kjo nuk është logjika pse bëhen PPP-të, të cilat bëhen kur shteti nuk ka para të paguajë menjëherë dhe e paguan privatin me këste dhe rreziku ndahet midis dy palësh,” tha Liperi.
“Ajo që po shohim në këtë rast është që rrezikun e merr përsipër komplet shteti,” shtoi ajo.
Sipas Zef Preçit, për shkak të elementëve të shumtë që kjo kontratë ka në disfavor të publikut dhe për shkak të përfshirjes në këtë marrëveshje të zyrtarëve të lartë, ajo duket të jetë objekt hetimi penal nga Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK.
“Është e pashpjegueshme pse hesht organi i akuzës dhe në rastin konkret edhe SPAK-u, pasi ka dyshim të arsyeshëm për përfshirje të zyrtarëve të lartë,” tha Preçi. “Në rastin e inceneratorëve, hetimi duhej të kishte filluar,” përfundoi ai.