Partia Popullore Europiane PPE ka uruar konsensusin për marrëveshjen në Këshillin Politik si dhe ka kërkuar miratim sa më shpejt të Paketës së ndryshuar për Kodin Zgjedhor dhe zbatimin e saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare e lokale.
Përmes një postimi në Facebook, eurodeputeti gjerman Michael Gahler, teksa përshëndet arritjen e marrëveshjes në tryezën e Këshillit Politik, i bën thirrje mazhorancës të mos tentojë të bëjë ndryshime të njëanshme dhe që dëmtojnë konsensusin mes palëve.
"Ne përshendesim konsensusin e qëndrueshëm të partive që përfshijne Partinë Socialiste në pushtet dhe Partinë Demokratike (anëtare e PPE) dhe presim miratimin e shpejtë zyrtar të kësaj pakete. Çdo deklaratë nga partia në pushtet për ndryshime të tjera të njëanshme shkon kundër konsensusit të arritur", thuhet ndër të tjera në reagimin e Gahler, raporton Syri.net.
Edhe pse ndryshimet për Reformën Zgjedhore janë firmosur njëherë në rezidencën e ambasadores amerikane prej përfaqësuesve të opozitës reale (Bylykbashi-Vasili), asaj parlamentare (Rudina Hajdari) dhe të dërguarit të Edi Ramës (Damian Gjiknuri), loja e për kryeministrit vazhdon.
Në këtë vazhdë mësohet se kryeministri Rama do të takojë sot (e martë) në orën 19:00 ‘opozitën parlamentare’ për të biseduar për Reformën Zgjedhore.
Takimi është kërkuar nga opozita në Kuvend dhe në të do të marrë pjesë kryeministri Rama, kreu i grupit parlamentar Balla dhe përfaqësues të opozitës në kuvend me në krye Myslym Murrizin.
Më herët tre kryetarët e grupeve parlamentare Murrizi, Stojku dhe Musai kanë deklaruar se deputetët e opozitës në parlament nuk do të votojnë draft-reformën Zgjedhore nëse nuk plotësohen kërkesat e saj, për hapje të listave të kandidatëve për deputetë.