Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është takuar sot me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë e rajon.
Përmes një mesazhi në’Facebook’, kryeministri Hoti njofton se gjatë takimit ka arritëur dy marrëveshje të rëndësishme me Francën, atë të shkëmbimit të dhënave në mes të dy ministrive të brendshme dhe mundësinë e punësimit të familjarëve të diplomatëve të Francës dhe Kosovës.
Mesazhi i Hotit:
Shumë i nderuar me pritjen nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee në Paris.
Marrëdhëniet e Kosovës me Francën janë të shkëlqyera, ndërsa Franca ka luajtur rol kyç në të gjitha fazat e shtet-ndërtimit të Kosovës dhe populli i Kosovës është mirënjohës për këtë. Biseduam për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, me fokus në perspektivën euro-integruese si e vetmja mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet të kësaj pjese të Evropës.
Franca mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut me Serbinë, i cili duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve.
Po ashtu, arritëm dy marrëveshje të rëndësishme me Francën, atë të shkëmbimit të dhënave në mes të dy ministrive të brendshme dhe mundësinë e punësimit të familjarëve të diplomatëve të Francës dhe Kosovës. U zotuam që të punohet në promovimin e shkëmbimeve ekonomike në mes të Francës dhe Kosovës dhe në promovimin e frankofonisë në Kosovë.
Jam i lumtur që Presidenti i Francës Macron e mirëpriti ftesën për vizitë në Kosovë, e cila vizitë do të ndodhë në të ardhmen në një moment të përshtatshëm për Presidentin Macron. 🇫🇷🇽🇰