Kryetari i PD, Lulzim Basha, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Prishtinë dhe është takuar me liderët e politikës së Kosovës.
Në takimin që pati me Presidentin Hasthim Thaçi në Presidencë, Basha tha:
"Është gjithmonë një kënaqësi të takohemi. Ju falenderoj për mundësinë për të shkëmbyer informacion mbi zhvillimet e fundit, në Kosovë, në Shqipëri dhe hapat që po hidhen në drejtim të Dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë me objektiv final njohjen reciproke.
I shpreha mbështetjen time Presidentit Thaçi për qëndrimet konseguente të tij, si kreu i shtetit në mbështetje të dialogut, kohezionit të të gjitha forcave politike në Kosovë.
Është pikëpamja ime dhe e PD-së se bashkërendimi i të gjitha forcave politike në Kosovë dhe bashkëpunimi i tyre vetëm forcon, e fuqizon Kosovën në sfidat me të cilat po përballet aktualisht.
Po kështu, si parti e orientimit euroatlantik, kam theksuar bindjen dhe besimin se bashkërendimi I ngushtë midis SHBA-së dhe BE-së ka qenë dhe mbetet një parakusht për suksesin e çdo iniciative në raport me stabilizimin përfundimtar dhe perspektivën europiane dhe euroatlantike të të gjitha vendeve të rajonit që e dëshirojnë këtë dhe në veçanti, sa i përket dialogut, shpresoj dhe shpreh bindjen se një bashkërendim i tilllë do ta përshpejtojë dhe fuqizojë procesin e dialogut, me synim njohjen reciplore midis republikës së Kosovës dhe republikës së Serbisë.
Shpreha mbështetjen time dhe të PD, të Opozitës së Bashkuar, për të gjitha qëndrimet e krerëve të institucioneve dhe politikës në Kosovës, në veçanti për ata që kanë sakrikuar këto 22 vite për lirinë e Kosovës dhe që u duhet të vazhdojnë të sakrifikojnë në plan personal për të siguruar vazhdimësinë e fryteve të lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit njerëzor për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe në veçanti për presidentin Thaçi dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij.