Përmes një postimi në facebook, Presidenti Ilir Meta shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur Fuat Boci, i cili u nda nga jeta këtë të martë.
Kreu i Shtetit shkruan në postimin e tij, se aktori Boci do të mbahet mend përherë për rolet gazmore, skeçet dhe paroditë, nëpërmjet të cilave stigmatizoi me mençuri e talent të rrallë plagët sociale të shoqërisë shqiptare.
“Me mbi 600 role në skenë, Fuat Boci u bë proverbial dhe shumë i dashur për publikun veçanërisht me monologun tek skeçi “Doni më për Belulin?”, si dhe falë intepretimeve mjeshtërore për të cilat meritoi respektin dhe duartrokitjet e shumë gjeneratave.”- shkruan Meta.
Postimi i plotë:
Me hidhërim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të aktorit të spikatur të humorit shqiptar, njërit prej artistëve më të dashur të Fierit, Fuat Boci, i cili do të mbahet mend përherë për rolet gazmore, skeçet dhe paroditë, nëpërmjet të cilave stigmatizoi me mençuri e talent të rrallë plagët sociale të shoqërisë shqiptare.
Me mbi 600 role në skenë, Fuat Boci u bë proverbial dhe shumë i dashur për publikun veçanërisht me monologun tek skeçi “Doni më për Belulin?”, si dhe falë intepretimeve mjeshtërore për të cilat meritoi respektin dhe duartrokitjet e shumë gjeneratave.
Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij artisti të madh, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë komunitetit të artistëve shqiptarë, veçanërisht qytetarëve të Fierit e të mbarë trevës së Myzeqesë që aq shumë e donte!