Kryetari i opozitës shqiptare, Lulzim Basha e mbyll vizitën e tij dyditore në Kosovë me një homazh në Prekaz.
"Ndërsa sot gëzojmë frytet e lirisë, e mes sfidash po ndërtojmë të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë, kujtojmë dhe përulemi me nderim përpara sakrificës sublime të bijve dhe bijave të kombit tonë.
Në fund të vizitës time në Kosovë, u ndala në Prekaz, vendin ku buroi liria e Kosova, e nga ku bota mbarë mësoi se sa e shtrenjtë është liria për shqiptarët.
Me nderim të thellë u përula përpara veprës së Komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, i cili vuri gjakun e tij dhe të familjes së tij në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur.
Duke nderuar sakrificën e tyre, të gjithë duhet të kujtojmë përgjegjësinë tonë për të çuar në fund amanetin e të rënëve, për ta mbrojtur dhe zhvilluar atë që fituam me gjak, për një komb në paqe, të sigurt dhe të përkushtuar për mirëqenien e qytetarëve në cilindo vend që jetojnë: Në Republikën e Shqipërisë, Kosovës, Maqedoninë e Veriut e kudo anembanë botës," shkruan Basha në FB.