Ish-deputeti demokrat, Genc Pollo ka folur për situatën politike në vend dhe pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama në Këshillin Politik për të arritur dakordësi të plotë për Reformën Zgjedhore.
I ftuar në emisionin “Pasdite me Xhaxhiun” në Fax Neës, Pollo dha mendimin se kërkon lista të hapura për shkak të aplikimit të keq që mund të krijojnë probleme në zgjedhje.
“Rama u kthye në Këshillin Politik por nuk tha qas kur doli jashtë se heq dorë nga listat e hapura. Përse kërkon listat e hapura kur i ka mohuar. Aplikimi i keq i listës së hapur mund të sjellë probleme shtesë tek zgjedhjet që i kemi me probleme. Nëse duam ti bëjmë mirë këtij vendi, nga këto probleme të zgjidhim 7 ose 4 dhe aplikimi i keq, siç dyshoj unë, i listave të hapura i krijon probleme.
Pa dyshim që jam dakord që elektoratit ti peshojë më shumë fjala në përzgjedhjen e përfaqësuesve por ka mënyra se si bëhet kjo. Kjo bëhet edhe brenda partisë. Cilat vende në Europën Perëndimore aplikojnë lista të hapura? Thotë do vijmë në koalicione si Gjermania por Gjermania ka tjetër sistem.
Ne kemi 20 vjet me këto koalicione dhe në 2007 u zgjodh kryetar bashkie për shkak të këtij lloj koalicioni, në 2013 u zgjodh kryeministër pikërisht për shkak të këtij koalicioni. Tani përnjëherë e zbuloi se do heqë koalicionet”, tha Pollo.
Politikani theksoi se një ndër kushtet kryesor për të arritur negociatat është Reforma Zgjedhore dhe bërja e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ndër të tjera, sqaroi se një veprim i Ramës që mund të synonte provokimin e opozitës me shpresën që nuk do të hyjnë në zgjedhje ishte shembja e teatrit.
“Shembja e teatrit mund të ketë qenë për ta larguar opozitën nga tryeza e Reformës Zgjedhore duke ditur që do të prodhonte kritika nga Europa dhe më gjerë. Unë them që nuk përjashtohet që të dalë populli në momentin e përshtatshëm pasi ndryshimi i njëanshëm i kushtetutës për të favorizuar vetveten apo defavorizuar kundërshtarin meriton një përgjigje jashtë shtratit normal të një politike të qetë. Megjithatë përderisa Rama bëri një hap mbrapa pranoi të shkonte në KP, nuk hoqi dorë nga ndryshimi i njënanshëm i Kushtetutës por vazhdoi të fliste, atëherë them që populli shqiptar dhe opozita duhet të jetë e përgatitur që ta mbrojë kushtetutën”, tha Pollo.