Hoti raporton për dialogun Kosovë- Serbi:Integriteti territorial nuk negociohet dhe cënohet, marrëveshja në përputhje me kushtetutën tonë

Premte, 24 July 2020 13:43

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës përsëriti qëndrimin e tij se dialogu me Serbinë është për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve.

Gjatë raportimit para deputetëve, Hoti tha në takimin e 16 korrikut në Bruksel, ku u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka paraqitur kërkesat e Kosovës për zbardhjen e çështjes së të pagjeturve dhe për temat ekonomike.

“Tema e parë, personat e pagjetur për Qeverinë e Kosovës është obligim shtetëror, moral ndaj familjeve të tyre. Andaj është trajtuar me parime dhe kërkesa të qarta që janë: në përputhje të plotë me Ligjin humanitar ndërkombëtar, të zgjidhet çështja e personave të zhdukur, përfshirë zbulimin e informacionit dhe ofrimin e burimeve të nevojshme njerëzore dhe teknike për zgjidhjen e kësaj çështjeje. E dyta, sjellja e drejtësisë në vend dhe e treta, kujdesi i nevojshëm për familjet e viktimave sipas standardeve ndërkombëtare”, tha Hoti, duke shtuar se kanë kërkuar që të kenë informacione edhe nga arkivat e ish-Jugosllavisë.

Ndërkaq, për çështjet ekonomike, Hoti tha se do të kërkohet kompensim për dëmet e luftës, suksesin si dhe kompensim për dëmet e pronave private.

Hoti u zotua se do ta mbajë të informuar Kuvendin e Kosovës lidhur me procesin e dialogut, ku tha se nuk do të ketë ndarje territoriale.

“Unë kam përgjegjësi për këtë proces. Unë do t’iu mbaj të informuar gjatë gjithë kohës. Por,unë nuk do të rri duarkryq dhe as nuk do të qahem para jush, duke u ankuar për teori konspirative me harta e thika, apo me komplote për ndarje territoriale”, tha Hoti.

Kryeministri Hoti përsëriti tri parimet e qeverisë në dialog: integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm dhe i pacenueshëm; organizimi kushtetues i Kosovës nuk preket dhe marrëveshja me Serbinë do të jenë në përputhje me Kushtetutën.

Hoti po ashtu tha se nuk do të ketë dialog teknik dhe se në ditët në vazhdim të gjitha takimet në këtë proces do të jenë në funksion të draftimit të marrëveshjes përfundimtare.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi e kritikoi kryeministrin Hoti se në takimin e 16 korrikut në Bruksel shkoi pa platformë, pa ekip dhe pa agjendë. Ai po ashtu e kritikoi Hotin që iu përgjigj në gjuhën serbe Vuçiqit, kur ky i fundit e pyeti nëse e kuptonte gjuhën serbe.

Selimi i pyeti kryeministrin Hoti nëse është duke iu shmangur përgjegjësisë, me emërimin e Skender Hysenit, koordinator për dialog.

“Ju atje nuk demonstruat shtetësi, e as legjitimitet, e as dinjitet. Shkuat duke hequr dorë nga reciprociteti, pra nga shtetësia, pra jo si dy shtete. U paraqitët pa dinjitet, duke demonstruar inferioritetin tuaj ndaj Vuçiqit, e po ashtu edhe pa legjitimitet sepse nuk e morët përkrahjen e spektrit politik në Kosovë”, tha Selimi.

Sipas Selimit, Hoti e ka përkrahjen vetëm të presidentit Hashim Thaçi, “i cili ishte i vetmi që e përshëndeti emërimin e Hysenit për koordinator shtetëror për dialog”.

Pas 20 muajsh ndërprerje, më 16 korrik rinisi dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas këtij takimi, delegacionet e ekspertëve të të dyja vendeve, më 23 korrik u takuan në Brusel. Në këtë takim Kosova u përfaqësua nga koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni dhe palën serbe e përfaqësoi, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Paralajmërimet se ky takim i ekspertëve nënkupton rinisjen e dialogut teknik – që nisi më 2011 dhe që u pasua më pas me dialogun në nivel politik – nuk është mirëpritur në Prishtinë.

Presidenca është shprehur kundër rifillimit të dialogut teknik dhe po ashtu dy partitë e koalicionit qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...