Strategjia e Ramës:Fitore në tavolinë ose prish zgjedhjet!

Saturday, 25 July 2020 09:57

 

Futja e sherrnajës mes kandidatëve, elektoratit dhe vetë partive të opozitës, përdorimi i votuesit të rreshtit për të dalë forcë e parë, janë synimet kryesore të kryeministrit, i cili po tenton ndryshime kushtetuese zgjedhore. Opozita ka dalë dje me një propozim, i cili në kushtet e krijuara duket më i pranueshmi. Hapja 100% e listave pa ndaluar koalicionet, do siguronte dhe mosprekjen në thelb të sistemit, i cili do kalonte nga lista të mbyllura në lista të hapura, gjë që Rama nuk e ka pranuar. Gazeta MAPO rendit arsyet, se përse ndryshimet e iniciuara nga deputetët e listave dhe të mbështetura nga Rama, mund të çojnë deri në shkatërrimin e procesit zgjedhor

Synimi i mazhorancës është i qartë. Në kushtet aktuale kur përpara ka grupimin e partive të cilat janë të afta të marrin shumicën e votave, e vetmja rrugë që i ka mbetur është futja në rrugë qorre e procesit zgjedhor.

Ndalimi i koalicioneve, gjysmëhapja e listave, dalja me lista të përbashkëta të opozitës, futja e pragut kombëtar në një sistem proporcional, përllogaritja nga një administratë e cila në zgjedhjet e kaluara iu desh një muaj për të nxjerrë pjesëmarrjen në zgjedhje, që zakonisht del 5 minuta pas përfundimit të procesit nuk paralajmëron asgjë të mirë.

 

Me vendimin që pritet të marrë më 30 korrik, Shqipëria ka gjasë t’u thotë lamtumirë negociatave për një vit, ndërkohë që akoma më e zymtë paraqitet situata në rast se kjo ide e Ramës, implementohet në zgjedhjet e prillit.

 

* * *
Duket se mungesa e opozitës në parlament dhe marrja e 61 bashkive pa garë i ka ardhur për shtat kryeministrit, që siç e kemi thënë dhe më parë nuk ka bërë ndonjë përballje reale në zgjedhje. Ai po tenton ndryshime në ligjin themeltar të shtetit në kushtet kur mungon Gjykata Kushtetuese. Është i habitshëm fakti, se përse përgjatë kohës kur zhvillonte mbledhjet Këshilli Politik, me gjithë pritshmëritë, e majta nuk pranoi të hapte si temë diskutimi ndryshimin e sistemit, me gjithë këmbënguljen e deputetëve zëvendësues të listave (Rama preferon t’i quajë opozitë parlamentare), sot i shet si shpëtimtarë të votës së lirë. Por harron se armiku më i madh i hapjes së listave ishte Damian Gjiknuri, përfaqësues i PS në atë tryezë.

* * *
Ithtari më i madh i “demokracisë direkte” siç predikohet, është bërë vetë e majta, duke ia kaluar në pasion dhe vetë deputetëve të listave që këtë veprim e shohin si mbijetesë në politikë. Por dje në Këshillin Politik, ajo nuk ka pranuar propozimin e PD për hapjen 100% të listave, duke shmangur atë 33% , që siç propozon mazhoranca duhet të inkuadrohet brenda sistemit për t’u përdorur nga forcat politike për barazinë gjinore, si dhe lejimin e koalicioneve. Kjo do ishte zgjidhja më ideale për çdo të apasionuar pas sistemit të votës direkt, por kundërshtohet pikërisht nga mbrojtësi i saj më i zjarrtë në këtë rast Edi Rama. Duke qartë se, qëllimi është një i vetëm, prishja e koalicioneve. Por nëse kalohen propozimet e mazhorancës kështu siç janë, atëherë rrezikohet seriozisht i gjithë procesi zgjedhor.

Votimi përllogaritja e mandateve, pragu elektoral, një mision i pamundur

Image

Nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare na ndajnë diçka më shumë se 8 muaj. Në kodin e ri zgjedhor parashikohet se ato zhvillohen në periudhën nga 15 prilli deri më 15 maj. Vetë Presidenti Meta ka deklaruar se do dekretojë datën më të parë, sapo të miratohet kodi i ri zgjedhor. Kohë nuk ka mbetur, madje limitet e rekomanduara nga OSBE/ODIHR janë tejkaluar me katër muaj. Ky organizëm është shprehur se s’mund të bëhen ndryshime kushtetuese 1 vit para zgjedhjeve.

Në kushtet e krijuara opozita bëri një propozim konkret. “Opozita e Bashkuar do të mbështesë hapjen 100 për qind të listave, me kushtin që koalicionet të mos ndryshohen, por të mbeten kështu siç janë sot dhe, për pasojë, edhe shpërndarja e mandateve të përllogaritet siç është sot, me formulën aktuale të koalicioneve zgjedhore”, u shpreh kreu i opozitës Basha.

Sistemi nga i mbyllur , siç është aktualisht në i hapur mund të kalojë fare kollaj së bashku me koalicionet, dhe fleta e votimit të mbetet në përmasat. Për shembull, në njërin krah janë partitë dhe në tjetrin, numrat që i korrespondojnë një emri kandidati. Ato variojnë sipas numrit të deputetëve që nxjerr çdo qark. Në momentin që votuesi zgjedh subjektin në anën e majtë të fletës së votimit, në krahun e djathtë zgjedh një numër.

Për shembull, në Tiranë janë 34 mandate deputetësh, dhe numrat janë të njëjtë për të gjithë, por emrat që ato përfaqësojnë ndryshojnë në varësi të subjektit. Pra, fjala vjen, në rast se zgjedh PD dhe numrin 7 kandidati i saj është Lulzim Basha i opozitës së Bashkuar.

Ndërsa në rast se zgjedh si subjekt PS po me numrin 7 atëherë ai është kandidati Edi Rama.

Në rastet e koalicioneve ato mund të grupohen të veçuara dhe njëra pas tjetrës, por kjo nuk e ndryshon formulën. Votuesi zgjedh LSI e cila ka paraqitur emrat e saj, 34, por këtë herë numri 7 i korrespondon Monika Kryemadhit, ndërsa në rast se zgjedh PDIU pavarësisht se është brenda koalicionit ky numër mund t’i korrespondojë Shpëtim Idrizit. Kjo është mënyra më e thjeshtë, dhe në përllogaritjen e mandateve pasi numërimi bëhet më shpejt.

Propozimet e Ramës

Image

Po në shtigje të pashkelura dhe plot risqe për dështimin e zgjedhjeve e fusin procesin paketa e propozimeve të PS-së. Me heqjen e koalicioneve dhe futjen në një listë të përbashkët të partive opozitare, Rama synon më së pari përçarjen e elektoratit të opozitës por dhe futjen e sherrnajës mes deputetëve. Kësaj ka si synim t’i shtojë dhe një 33% proporcional të pastër me qëllim që të respektohet barazia gjinore.

Por çfarë ndodh. Le të marrim si shembull Tiranën. Në fletën e votimit, në njërën anë majtas p.sh., do jenë subjektet pjesëmarrëse në garë, në rastin e opozitës PD-LSI-PDIU-PAA-PR dhe i gjithë grupimi opozitar. Subjekt tjetër është PS, ose dhe të gjitha të tjerat që do hyjnë bashkë apo të vetme në garë.

Tirana ka 34 deputetë dhe numrat vlejnë për të gjitha subjektet zgjedhore. Çdo numër i korrespondon një emri të caktuar, dhe në momentin që votuesi zgjedh subjektin, atëherë ka të drejtën e zgjedhjes së dy apo tre emrave në listë. Pra, në rast se zgjedh opozitën e Bashkuar zgjedhësi ka të drejtën e zgjedhjes së tre kandidatëve, në rast se zgjedh fjala vjen PS ato tre numra i korrespondojnë tre kandidatëve të PS.

Por sipas propozimit të Ramës, në listë nuk do jenë 34 emra (numra) por vetëm 23 pasi, 33% apo 11 prej tyre do kalojnë në sistem proporcional të listave të mbyllura për t’u përdorur për barazinë gjinore, sipas midesë së kryetarëve. Pra, të gjitha partive të opozitës i mbeten vetëm 23 emra për të paraqitur në listë në Tiranë. Më pas sipas qarqeve dhe numrit të mandateve ky numër zvogëlohet.

Me sistemin me lista të mbyllura, çdo parti mund të nxirrte një numër të pacaktuar kandidatësh, dhe kur ishte në koalicion, ndërsa në këtë rast jo vetëm që duhet të bëhet ndarja, por duhet të dalin dhe në një listë të përbashkët. Kjo mund të sillte pakënaqësi në elektorat, për 3 arsye.

E para, se fanatikët e PD s’do pranonin, lista të përbashkëta me partitë aleate (dhe kjo do kërkonte një punë të madhe bindëse) e dyta mund të krijonte një atmosferë të nderë, të atyre të cilët megjithëse kanë kaluar proceset e votimit në bazë do detyroheshin të mbeteshin jashtë për shkak të numrit të kufizuar, dhe e treta mund të krijonte mosmarrëveshje mes kandidatëve në lista.

Sepse, çdo kandidat do synonte të grumbullonte sa më shumë vota në të njëjtin qark, duke i hyrë në hise kandidatit tjetër nga i njëjti koalicion. Goditja vjen në një moment kur PD ka ndërmarrë një proces të përzgjedhjes së emrave nga baza.

Mandatet

E dyta ka të bëjë me pragun elektoral. Mazhoranca ende nuk e ka shpjeguar se përse duhet një prag elektoral kombëtar përderisa partitë po konkurrojnë në proporcional rajonal. Por dhe kjo me sa duket e ka një shpjegim. Mazhoranca synon që përmes kësaj formule të arrijë të fusë në parlament, grupime të lëkundura që mund t’i ketë lehtësisht të arritshme për të krijuar një koalicion, në rast se del parti e parë në zgjedhje dhe partitë e opozitës së bashkuar nuk pranojnë të japin votat.

Sepse qëllimi ky është. Përballë partive të opozitës s’ka asnjë shans por ai shpreson të dalë parti e parë nga elektorati i rreshtit i PS-së, kryesisht votues nostalgjikë të ish- PPSH-së, apo dhe i favorizuar nga ikjet masive të njerëzve këto vite që përkthehen si rrjedhje të elektoratit të pakënaqur.

Pra, kryeministri e di se fjala vjen grupimi i deputetëve të listave, që siç flitet do dalin si subjekt më vete, shanset për të marrë deputet në qarqe i ka nën zero, por në rast se kalon pragun 3% në rang kombëtar atëherë ky grupim do merrte rreth katër deputetë. Katër mandate që në krijimin e qeverisë do i bënin shumë punë. Kjo vlen dhe për ndonjë parti tjetër të cilën Rama, mund ose e ka në xhepin e tij, pavarësisht petkut opozitar që ajo mundohet të shfaqë.

Ndryshimet në Kushtetutë dhe pakënaqësitë e ndërkombëtarëve

Për të gjitha këto duhet në fund një përllogaritje mandatesh, për të cilat duhet ndërhyrë në Kodin Zgjedhor. Nenet 162 dhe 163 duhet të ndryshohen plotësisht. Por nuk është ky problemi i vetëm, problem është se si do zbatohet. I gjithë procesi, po aplikohet në një kohë kur sistemi i drejtësisë thuajse ka pushuar së funksionuari.

Nga ana tjetër, mungesa e numërimit elektronik e bën akoma më të vështirë punën e grupeve të numërimit. Atyre u duhet të shohin jo vetëm votën për subjektin, por edhe votën për kandidatin sipas numrave. Duhet të ndajnë tepricat e votave brenda koalicionit, duke ua kaluar kandidatëve që janë më afër marrjes së mandatit. Në rastet e koalicioneve këto mund t’u kalojnë partive aleate, duke bërë që vota të rrijë brenda subjekteve garuese që janë regjistruar bashkë.

Më tej, duhet të ndajnë veç votat e partive të vogla politike, këto më pas duhen mbledhur në rang vendi për të nxjerrë pragun elektoral kombëtar. Më tej, duhet llogaritur 20% i proporcionalit të pastër, për barazinë gjinore. Një mishmash elektoral, që fillon ditën e zgjedhjeve dhe nuk dihet kur mbaron. Ankesat duhet të drejtohen në KQZ dhe më pas në një gjykatë ose Kolegj Zgjedhor të cilët nuk kanë kaluar ende vettingun, dhe mund të jenë lehtësisht të shantazhueshëm nga pushteti.

Ndërkombëtarët

Duket se ndryshimet kushtetuese përveç mungesës së moralitetit (po kryhen me votat e deputetëve zëvendësues të listave), mbartin në vetvete dhe një problematikë që duhet menduar mirë përpara se të hidhet në veprim. Kjo është dhe arsyeja, që Komuniteti ndërkombëtar reagoi jo pak dhe të enjten menjëherë pas votimit në parlament të marrëveshjes së Kodit Zgjedhor, duke insistuar që çdo ndryshim të bëhet në bashkëpunim me opozitën. Komisioni Evropian, Komisioneri për Zgjerimin, OSBE/ODHIR, Ambasada Amerikane në Tiranë, Ambasadori gjerman, kërkuan me ngulm që procesi të jetë gjithëpërfshirës. Deri më tani, opozita nuk ka pranuar të diskutojë në Këshillin Politik ndryshimet e iniciuara nga mazhoranca. Me atë të një deklarate ajo i konsideroi veprimet e Ramës si tinëzare dhe që provokojnë destabilitet politik, duke e paralajmëruar se çdo pasojë do i kushtojë shumë.

Përfundimi

Kushtetutës nuk i mbeten më shumë se 6 ditë për t’u ndryshuar, një proces që ndonjëherë mund të kërkojë dhe vite. Se si do shkojnë gjërat ngelet për t’u parë, por ajo që duket qartë është fakti se Rama po kërkon dhe një herë pushtet në tavolinë. Një pushtet të lehtë, të pavotuar, të futur në hullitë e manipulimit. Nëse deri dje, i vinin në ndihmë bandat e Shijakut apo Elbasanit, sot duket se po i vijnë në ndihmë gjuzët e parlamentit.

Kryeministri po kërkon të gjejë një artificë, në këtë rast të pamoralshme, që në emër të ligjit të ndryshojë rregullat në fund të lojës, duke e konsideruar si favor që i bëhet nga mungesa e opozitës në parlament. Në këto kushte opozitës i ka ngelur në dorë vetëm të minimizojë sa më shumë dëmet që tenton t’i vijnë nga kundërshtari.

Rama po merr jo pak kosto politike, me sjelljen e tij autokrate, kur tenton t’i tregojë sovranitetin partnerëve tanë në NATO, por tek e fundit ata kanë në dorë që hëpërhë vetëm ta paralajmërojnë. Diga që mund të frenojë këtë vrull paligjshmërie dhe rrezikon të na lërë jashtë dyerve të Evropës është opozita shqiptare. E detyruar të luajë në një fushë të disfavorshme, dhe e dënuar të fitojë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...