Kushtetutë apo diktat…

Tuesday, 28 July 2020 09:39

 

Nga Nga Çlirim Gjata - 27/07/2020
Në vitin 1997, në kohën kur Shqipëria po kalonte një gjrndje të rëndë, në marrëveshjet për zgjedhjet u arrit deri dhe në absurditete. Kështu, p.sh. 10 parti të vogla(me pak ose pa elektorat), ishin paraqitur në Gjykatën Kushtetuese për të mbrojtur një nga këto absurde në lidhje me ligjin për zgjedhjet e deputetëve. Thelbi i saj ishte: “Çdo votë që fitojnë këto parti të vogla të ketë vlerën e trefishtë, pra, të llogaritej tre vota”.

Ato ditë në Tiranë ishte edhe Kryenegociatori Europian Vranicki. Ndonjë prej përfaqësuesve të partive kishte ngritur zërin, se për këtë çështje ishte diskutuar edhe me të dhe se ky i fundit kishte rënë dakord. Në seancën gjyqësore për shqyrtimin e çështjes binte në sy vetëm mungesa e kryetarit të Partisë Republikane, të ndjerit Sabri Godo (e kuptonte plaku i urtë budallallëkun). Gjykata ua rrëzoi pretendimin “të vegjëlve” si të papranueshme. Njëri nga gjykatësit më të vjetër, me ironi u shpreh: “Një votë e barabartë me tre? Ku jemi këtu, në feudalizëm?!”. Ndërsa një nga kryetarët e vegjël, shumë i revoltuar, arriti deri atje sa ta quajë vendimin “tradhti kombëtare”. Më pas, disa prej përfaqësuesve të partive shkuan për t’u ankuar tek Vranicki, por ky nuk i priti.

Kjo ngjarje përbën një artikull më vete, prandaj të kthehemi tek problemi ynë sot. Duke kujtuar atë situatë, kushdo vret mendjen për gjendjen e sotme në Shqipëri. Është tepër e vështirë të gjesh diçka të dobishme e njerëzore në qeverisjen e vendit dhe në marrëdhëniet e saj me shoqërinë. Në çdo linjë të jetës ndeshesh me të keqen, zullumqaren, kaosin, mjerimin, papunësinë, që të rrethojnë si bari i keq e që nëpërkëmbin e godasin të drejtat e njeriut, duke i shtrirë ato përtokë. Dhe këtij përçudnimi i prin kryeministri si një UFO, jashtë realitetit të njerëzve. Njerëzit sapo zgjohen në mëngjes u shkon mendja tek kryeministri: a ka bërë ndonjë “shpikje” tjetër të paparashikueshme?

 

Dhe ja, kryeministri na gdhin me mendimin për të hequr edhe një pjesë të dispozitave të Kushtetutës. Këtu do të ndalem vetëm në lidhje me projektin e tij për cungimin e paragrafit të parë të nenit 68 të Kushtetutës, që parashikon: “Kandidatët për deputet paraqiten nga partitë politike, koalicionet zgjedhore, si dhe nga zgjedhësit”. Dhe në vend të këtij paragrafi të vihen fjalët: “nga partitë politike, si dhe nga zgjedhësit”. Po të pranohet ky propozim nga Kuvendi, partitë politike humbasin të drejtën për të krijuar koalicione parazgjedhore. Sipas tij, këto koalicione janë pa vend dhe si mbështetje të mendimit të vet i referohet on block vendeve të tjera, që nuk e kanë parashikuar këtë drejtë.

Në lidhje me propozimin në fjalë lindin pyetje, përgjigjet e të cilave bëjnë të mundur për të kuptuar sesa i pabazuar e antikushtetues është projekti në fjalë.

Kështu, duhet shtruar për zgjidhje: A mos vallë bie ndesh me parimet dhe normat e tjera kushtetuese që sanksionojnë të drejtat dhe liritë e njeriut? Kjo kërkon një përgjigje më të thelluar.

Sanksionimi në nenin 68 të Kushtetutës i mundësisë-të drejtës, për paraqitjen e kandidatëve për deputet edhe nga koalicionet zgjedhore të partive politike, është një e drejtë themelore kushtetuese që shpreh vullnetin e anëtarëve dhe simpatizantëve për një parti politike të caktuar, në lidhje me zgjedhjet e deputetëve. Si subjekte zgjedhore, partitë politike shprehin dhe transmetojnë vullnetin e zgjedhësve, si një nga mënyrat e ushtrimit të së drejtës sovrane në zgjedhje. Dhe ajo që është më themelorja, kjo e drejtë nuk mund të cenohet nga askush dhe me asnjë lloj akti normativ. Sanksionimi dhe karakteri i saj e bëjnë të paprekshme.

Në asnjë normë të Kushtetutës nuk është njohur mundësia për të hequr prej saj këtë të drejtë të njeriut. Pra, është një e drejtë kushtetuese e fituar. Në mbështetje të këtij konkluzioni i referohemi Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Që në nenin 1 pika 3 të Kushtetutës sanksionohet parimi: “Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira…”. Pra, bazohet në ushtrimin e vullnetit të zgjedhësve. Po citojmë dispozita të tjera të Kushtetutës. Neni 15, pika 1: “Të drejtat themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të rendit juridik”. Neni 17/1: “Kufizimet e të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve…”. Pika 2: “Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e të drejtave dhe në asnjë rast, nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”. Pra vini re, flitet për kufizim, jo eliminim të drejtash. Neni 45/1: “Çdo shtetas që ka mbushur moshën 18 vjeç, ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet”. Kjo normë kushtetuese për nga karakteri e përmbajtja e saj e sanksionon këtë të drejtë si një e drejtë ekskluzive e zgjedhësve dhe që qëndron në themel të të gjithë rendit juridik. Nga kjo e drejtë politike buron edhe e drejta e njeriut “për t’u organizuar kolektivisht për çdo qëllim të ligjshëm”. Në nenin 17 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut parashikohet: “Asnjë nga dispozitat e kësaj Konvente nuk mund të interpretohet sikur i jep një shteti, grupimi ose individi, të drejtë që të ndërmarrë ndonjë veprimtari ose të kryejë ndonjë akt që synon cenimin e të drejtave të njohura në këtë Konventë, ose kufizime më të gjera të këtyre të drejtave…”. Neni 18 i Konventës: “Kufizimet që në bazë të kësaj Konvente iu bëhen të drejtave mund të zbatohen veçse për qëllimin për të cilin ato janë parashikuar”. Neni 11:“Çdokush e ka të drejtën e tubimit paqësor dhe të organizmit, përfshirë të drejtën e themelimit të sindikatave”, etj., mund të vazhdojmë.

Në parimin themelor të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës është sanksionuar se “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit” dhe kjo në praktikë quhet korniza kushtetuese. Shkelja e bazës apo tejkalimi i kufijve nga organet shtetërore është antikushtetuese, që do të thotë se asnjë organ shtetëror, pa përjashtim, nuk mund të nxjerrë apo miratojë akte juridike në kundërshtim me të drejtën, pasi ai është nul që në fillim. Ky parim ka veprim të përgjithshëm dhe nuk njeh asnjë përjashtim. Rrjedhimisht, në asnjë normë të kushtetutës nuk është parashikuar mundësia e shfuqizimit, por vetëm ajo e kufizimit të zbatimit të saj për një kohë të caktuar. Prandaj, kryeministri nuk legjitimohet të ushtrojë për miratim një projekt që shfuqizon një të drejtë kushtetuese të fituar. Nga ana tjetër, as Kuvendi nuk legjitimohet ta marrë në shqyrtim atë projekt. Pra, me këto parime përcaktohen në mënyrën më rigoroze baza dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit. Qëndrimi i kryeministrit është krejt i kundërt me këto parime, pasi asnjë organ nuk ka të drejta të pakufizuara me Kushtetutë.

Nga sa cituam del qartë se, projekti për ndryshimet kushtetuese është hartuar n`kambë e n’dor, pa asnjë lloj studimi, asnjë analize të kuptimit dhe të përmbajtjes së të drejtave të njeriut, konkretisht të së drejtës për të formuar koalicione zgjedhore. Kjo e drejtë nuk mund të çnjihet, sepse është garantuar siguria e zbatimit të saj. Koalicionet zgjedhore shprehin vullnetin e zgjedhësve për mënyrën e marrjes pjesë në zgjedhje, që natyrisht nuk mund të preket me asnjë lloj akti.

Këtë kuptim ka edhe reforma zgjedhore. Me reformën mund të përmirësohen, zgjerohen e thellohen të drejtat e njeriut, por kurrësesi ato nuk mund të shkelen e cënohen e aq më pak të zvogëlohen.

Në fund e quajmë me vend që të citoj disa vendime të Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me të drejtën kushtetuese të fituar dhe sigurinë juridike.

Vendimi nr. 43/2011: “Gjykata ka vlerësuar se siguria juridike, mbrojtja e të drejtave të fituara… si standarte kushtetuese të trajtuara vazhdimisht nga jurisprudenca kushtetuese, përbëjnë elementët e parimit të shtetit të së drejtës të sanksionuara në nenin 4 të Kushtetutës. Parimi i sigurisë juridike përfshin, krahas qartësisë, kuptueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit normativ edhe besimin tek sistemi juridik… Sanksionimi i të drejtave dhe lirive të njeriut të pranuara në kushtetutë dhe shoqërimi me masat për vënien e tyre në jetë, duhet të synojnë përmirësimin dhe rritjen e standardeve të së drejtës”.

Vendimi nr. 3/2006: “Gjykata Kushtetuese rithekson se për çdo rast kur rregullimi kushtetues parashikohet shprehimisht prej saj (siç është neni 61/1), ai detyrimisht do të zbatohet drejtpërdrejtë. Përmbajtja e dispozitave kushtetuese nuk mund të mënjanohet ose të tejkalohet duke i dhënë përparësi akteve juridike që dalin në bazë dhe për zbatim të Kushtetutës. Ky detyrim rrjedh nga përmbajtja e nenit 4/3 të Kushtetutës”.

Vendimi nr. 36/2007: “Siguria juridike parakupton besueshmërinë e qytetarit tek shteti dhe pandryshueshmërinë e ligjit për marrëdhëniet e rregulluara… qytetari nuk duhet të shqetësohet vazhdimisht për ndryshueshmërinë dhe pasojat negative të akteve normative që cenojnë dhe përkeqësojnë një gjendje të vendosur me akte të mëparshme. Parimi kushtetues i shtetit të së drejtës do të konsiderohej i dhunuar nëse mohohen ose shkelen siguria juridike, stabiliteti ligjor… ligjvënësi nuk mund të përkeqësojë gjendjen ligjore dhe as të mohojë të drejtat e fituara ose të shpërfillë interesat legjitime të tyre”.

Në rastin tonë qytetari është i lirë të zgjedhë zbatimin e kushtetutës ashtu siç është apo zbatimin e urdhërimeve arbitrare dhe rregullimin e Kushtetutës sipas interesave subjektive e të çastit të kryeministrit.

Si përfundim duke i analizuar të gjitha këto që cituam më lart, arrijmë në përfundimin se kryeministri nuk po ndryshon Kushtetutën, por po vendos diktatin. Dhe e gjithë kjo, thjesht për pushtetin e tij.

Po në vitin `97, pas zgjedhjeve erdhi në Shqipëri kryetari i Komisionit të Venecias, z.La Pergola. Kishte qenë edhe më përpara, që në fillim të demokracisë në Shqipëri. Ai bëri një vizitë edhe në Gjykatën Kushtetuese, si gjykata më e re në Evropë, por me moshën mesatare të anëtarëve të saj më të madhe, po në Evropë. Ishin të pranishëm, përveç gjyqtarëve edhe shumë personalitete të jurisprudencës.

Z.La Pergola foli gjatë dhe me respekt për Gjykatën tonë Kushtetuese. Ndër të tjera, duke u njohur më për afër me gjendjen e pasigurisë dhe kaotike në Shqipëri, ai u tregoi të pranishmëve se kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese Austriake, e cila ishte, po ashtu, e para Gjykatë Kushtetuese në Evropë, Hans Kelzen, kishte dhënë dorëheqjen kur Hitleri pushtoi Austrinë dhe u vendos Anshlus-i me Gjermaninë, në vitin 1938. Kelzeni u larguar nga Austria. Hans Kelzen njihej si një teoricien i shquar i së drejtës dhe, siç u tha, kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Austrisë. Pas shumë pyetjesh nga studentët se përse dha dorëheqjen dhe një heshtjeje të gjatë, ai u përgjigje shkurt:“Gjykata Kushtetuese dhe diktatura nuk mund të bashkëjetojnë”.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...