PD denoncon aferën me Pallatin e Drejtësisë: Qeveria bleu me kontratë sekrete nga Dhoma e Avokatisë tokën që i fali 7 vjet më parë

Saturday, 01 August 2020 14:12

Partia Demokratike denoncon aferën me Pallatin e Drejtësisë, ku selia blu thekson se qeveria bleu me kontratë sekrete nga Dhoma e Avokatisë tokën që i fali 7 vjet më parë.

Denoncimi i Departamentit Antikorrupsion në PD

POLI I DREJTËSISË APO POLI I MILIONA EUROVE?!

Me vendimin nr. 670, datë 7.8.2013, Këshilli i Ministrave vendosi kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Drejtësisë, për Dhomën Kombëtare të Avokatisë, të pasurisë së paluajtshme, me sipërfaqe 25.000 m2, për ta përdorur për ndërtimin e Shkollës Kombëtare të Avokatisë. Ndër të tjera, VKM përcakton se Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e pronës (truallit), ta tjetërsojnë ose t’ua japin në përdorim të tretëve.

Këtë vit, me vendimin nr. 356, datë 26.02.2020, Këshilli i Ministrave shfuqizon vendimin e mësipërm dhe vendos që trualli të kalojë në përgjegjësi administrimi nga Ministria e Drejtësisë, tek Ministria e Financës dhe Ekonomisë, për ta përdorur për qëllimin e mirëfunksionimit të godinës (Shkolla Kombëtare e Avokatisë), ku do të zhvillojnë aktivitetin e tyre organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, në kuadër të zbatimit të Programit të Intergruar të Zhvillimit “Poli i Drejtësisë”.

Gjithshtu, KM miraton projektkontratën e shitblerjes së godinës (Shkolla Kombëtare e Avokatisë), duke autorizuar Ndërmarrjen Industriale Nr. 1 të nënshkruajë këtë kontratë. Vlera e kontratës përcaktohet në nenin 2 të projektkontratës që, sipas vetë VKM-së, i duhej bashkëlidhur asaj. Pavarësisht këtij përcaktimi, mungon bashkëlidhja e kontratës së shitblerjes së godinës e, rrjedhimisht, publiku nuk ka mundësi të aksesojë kushtet, termat, çmimin e kësaj kontrate.

Nga VKM nr. 356, datë 26.02.2020, kuptojmë se për vitin 2020, kësti i pari i pagesës së godinës do të përballohet nga buxheti i vitit 2020, miratuar për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, në programin “Projekte zhvillimi” dhe “100 Fshatrat” dhe do t’i transferohet Ndërmarrjes Nr.1, Tiranë. Vetëm nga të dhënat e thesarit identifikohet vlera e këstit të parë, e cila është 620.200.000 lekë, ose rreth 5 mln euro. Pagesa nga FSHZH tek Ndërmarrja nr. 1 Tiranë, në zbatim të VKM së sipërpërmendur, është kryer në 27.07.2020 dhe referon tek kontrata e shitjes, datë 8.6.2020, 180 Rep, 75 Kol. Përsërisim se, ende nuk ka asnjë publikim të të dhënave që lidhen me çmimin e këtij objekti, por ai i raportuar nga mediat është 11 milionë euro.

Në bazë të vendimit nr. 2, datë 17.02.2016, KKT ka miratuar lejen e ndërtimit të objektit “Korpusi Avokatia”, referuar të cilit sipërfaqja e truallit e zënë nga struktura (ndërtimi), është 3731 m2, 2-3 kate dhe 1 kat nëntokë.

Me vendimin nr. 234, datë 17.04.2019, Këshilli i Ministrave vendosi fillimin e procedurave për programin e integruar të zhvillimit “Poli i Drejtësisë”, nëpërmjet të cilit synohej zhvillimi i një zone urbane në funksion të krijimit të një blloku të integruar infrastrukture për akomodimin e institucioneve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe të institucione të tjera të interesuara, me qëllim mbështetjen e këtyre institucioneve me infrastrukturën e nevojshme dhe bashkëkohore, në mënyrën më të shpejtë të mundshme. Ky program, sipas VKM-së, do të zhvillohet në pronën me nr. 1/644, të ndodhur në zonën kadastrale nr. 8210, Tiranë, duke përfshirë edhe çdo pronë shtetërore kufitare ose që ndodhet pranë kësaj pasurie, përfshirë pronën me nr. 1/645, pasuri e llojit truall, dhe godinën e ngritur në këtë pronë nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. “Godina e ndërtuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, në zonën kadastrale nr. 8210, Tiranë, është pjesë integrale e zhvillimit të programit, me qëllim sigurimin e ambienteve /zyrave të punës dhe të përfaqësimit për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe Shkollën e Magjistraturës” përcakton VKM-ja. Në vijim përcaktohet se në fazën e parë të programit, grupi ndërinstitucional i punës, pasi vlerëson gjendjen juridike të godinës së DHKA-së si dhe kryen vlerësimin e saj, negocion me DHK-në për blerjen e kësaj pasurie. Pra, Këshilli i Ministrave, në fillim përcakton programin për zhvillimin “Poli i Drejtësisë”, që përfshin edhe objektin në pronësi të DHKA-së, duke e marrë të mirëqenë përfundimin me sukses të asaj çfarë parashikon në vijim: vlerësimin e pronës dhe rënien dakord me pronarin, DHKA-në, për shitjen me çmimin e negociuar. Pyetja që lind është se si do të procedohej në rast se DHKA-ja, pronari i ligjshëm, me të drejta të plota mbi pronën, nuk do të kishte vullnetin për ta shitur atë, apo nuk do të bihej dakord mbi çmimin e propozuar? Por mesa duket, kjo çështje ishte parazgjidhur mes palëve.

Mungesa e plote e transparencës në lidhje me këtë kontratë, përforcon dyshimet e ngitura edhe më herët, mbi këtë rast.

Përse Këshilli i Ministrave nuk e publikon kontratën e lidhur me DHKA-në?

Përse kujdeset aq shumë që në vendimin e tij të mos rezultojë asnjë vlerë konkrete e çmimit të blerjes, por referon tek projektkontrata, por që nuk ia bashkëlidh vendimit të publikuar, sikundër përcakton vetë vendimi?

Si e justifikon vlerën e raportuar nga mediat, 11 mln Euro, të godinës së DHKA-së, e cila u ndërtua pa kundërshpërblim mbi truall shterëror?

Nuk ishte alternativë më ekonomike ndërtimi nga vetë shteti i kësaj godinës së nevojshme?

Do të arrinte vallë kostoja e një objekti me të njëjtën sipërfaqe ndërtimi (rreth 15.000 m2, duke pasur parasysh sipërfaqen e çdo kati me 3731 m2) vlerën 11 milionë euro?! Kurrsesi!!!

Kjo është afera e paralajmëruar e radhës, ku kryeministrit nuk i dridhet dora, në rastin më të mirë, të shpërdorojë, miliona euro të shqiptarëve ekonomikisht të rrënuar.

Përballë mungesës së përhershme të vetëdijes mbi detyrimin për transparencë të kryeministrit, SPAK ka detyrimin të hetojë…por dhe të vepruarit e SPAK-ut tashmë është bërë si puna e hallës…

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...