Nuk shpëtohet ekonomia me propagandë!

Hënë, 03 August 2020 11:22

Monitor

Ekonomia ka hyrë në një fazë kritike. Pasojat që karantinimi i ekonomisë dhe pasiguritë të cilat po na shoqërojnë, teksa pandemisë nuk dihet se po i vjen fundi, sa vijnë e po bëhen më të qarta.

 

Zyrtarisht, pritet që rënia ekonomike të jetë 4.3%, por të dhënat e para tregojnë se mund të jetë edhe më shumë se kaq. P.sh., qeveria e ka ezauruar që tani parashikimin për borxhin publik të këtij viti. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave bënë të ditur se në fund të qershorit, borxhi arriti në 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Përveçse ky është një nivel rekord historik – është e kuptueshme që një nga rrugët për të dalë nga situata e vështirë është marrja e huave, ky ishte objektivi për fundin e vitit. Aritmetikës hileqare të qeverisë (titulli i editorialit të numrit të kaluar të Monitor) po i del boja në fakt shumë më shpejt sesa pritej.

 

Të ardhurat u parashikuan përtej një optimizmi normal, në mënyrë që në kahun tjetër të planifikoheshin shpenzime të mëdha, nga ato 3D-të e propagandës, që nuk i bëjnë më përshtypje asnjërit tashmë. Kjo do të mundësonte hapjen e fronteve të punës dhe përballë paaftësisë aktuale paguese, vetëm sa do të rriste malin e detyrimeve.
Tashmë qeveria do të duhet të shtrëngojë rripin në gjashtëmujorin e dytë të vitit. Në mënyrë që të ruajë parametrat fiskalë, shpenzimet do të duhet të reduktohen ndjeshëm, në përpjekje për të minimizuar deficitin buxhetor.

Përndryshe, financat pritet që të dalin jashtë kontrolli. Domosdoshmëria për të mbajtur nën kontroll shpenzimet është lajmi më i keq i momentit. Një nga instrumentet kryesorë të nxitjes ekonomike, që është në fokus nga të gjithë shtetet e botës, ai i shpenzimeve kapitale të qeverisë, nuk ka shumë hapësira për t’u përdorur. Për më tepër që vendi hyri në krizë me parametra jo shumë të mirë makroekonomikë, ku borxhi ishte në rreth 70% të PBB-së, i dyti më i larti në rajon pas Malit të Zi, duke mos lënë shumë hapësira për stimuj.
Por, atëherë nga do të vijë rritja?! Për fat të keq, projektet e mëdha kanë mbaruar dhe të reja vështirë se do të ketë në horizont në këtë situatë, të paktën në afat të shkurtër. Të dhënat zyrtare bënë të ditur se në tremujorin e parë të vitit, investimet e brendshme u tkurrën me 17% (pas një rënieje prej gati 4%), ku efekti kryesor erdhi nga përfundimi i projektit madhor TAP, me vlerë investimi 1.5 miliardë euro.

Edhe përpara se të fillonte kriza, panorama nuk ishte shumë optimiste. Ekonomia ishte ngadalësuar që në 9-mujorin 2019. Tërmeti i 26 nëntorit dhe më pas pandemia, e cila ishte e paparashikuar dhe jashtë kontrollit të gjithsecilit, i dhanë goditjen finale dhe shuan shpresat për çfarëdolloj rikuperimi.

Bizneset vetë, si gjithmonë, janë disa hapa përpara qeverisë dhe kanë filluar të përshtaten. Por, kjo nuk mjafton. Konsumi mbetet i dobët, teksa pasiguritë janë të mëdha. Njerëzit tentojnë të kursejnë (depozitat po rriten), pasi nuk e dinë se çfarë i prej në të ardhmen. Dhe në një ekonomi të orientuar nga konsumi, bizneset e vogla janë ato që po i ndiejnë pasojat të parët dhe po mbyllen.

I takon qeverisë, që të marrë rolin e një të rrituri dhe të sillet në mënyrë të përgjegjshme. Së pari, duhet të zbresë me këmbë në tokë, ta lërë mënjanë propagandën. Të gjithë e kuptojnë që nuk është ajo fajtore për pasojat që dha pandemia në ekonomi, por do të jetë fajtore nëse shpërdoron burimet që ajo ka në dispozicion për të ndihmuar rimëkëmbjen e ekonomisë. Një analizë realiste e buxhetit, e shoqëruar me një riorientim të shpenzimeve aty ku është më e nevojshme dhe më eficiente do të ishte thelbësore për momentin.
Menaxhimi i kujdesshëm i hapjes është sfida tjetër. Nëse situata lihet të përshkallëzohet dhe spitalet nuk arrijnë të përballojnë ngarkesën, duke lënë si zgjidhje një karantinim të dytë të vendit, atëherë pasojat do të ishin fatale dhe të parikuperueshme për ekonominë!

Login to post comments