SPAK ka sekuestruar sot 26 pasuri të paluajtshme të Ylli Ndroqit, pronar i RTV ORA.
Në lidhje me këtë lajm janë deklaruar avokatët e Ndroqit. Ata thanë se vendimi për sekuestrimin e pasurisë së Ndroqit është vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë të SPAK, ndërsa do të apelojnë këtë vendim në shkallë më lart të gjyqësorit.
Për avokatët, sulmi ndaj Ylli Ndroqit është politik, pasi biznesmeni ishte në gjyq me kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj.
“Ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij Mercedes kur forcat operacionale e ndaluan pas një urdhri nga dy prokurorët që e kanë çuar çështjen në gjykatë, për të marrë makinën. Ka kërkuar ta shoqëroje vetë makinën. Erdhëm në Drejtorinë e Policisë, na është komunikuar një urdhër-ekzekutimi për vendosje sekuestro, nuk është as i ndaluar as i shoqëruar. Ka shoqëruar Mercedesin e tij dhe ka kërkuar sqarime. Brenda afatit do e ankimojmë vendimin në apelin e SPAK-ut. Makina e tij ndodhet në ambjentet e Policisë së Tiranës".
"Zoti Ylli Ndroqi do të provojë para gjykatës se pasuria e tij është e ligjshme dhe e vendosur nga bizneset e tij. Ky është një sulm politik ndaj Ylli Ndroqit, pasi ishte në gjyq me kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj”, deklaruan avokatët.