Ku janë 1.15 miliardë eurot për TËRMETIN?

Premte, 07 August 2020 09:55

 

-Përveç pasojave të pandemisë mungesa e parave që iu premtuan Shqipërisë lidhet dhe me faktin se për marrjen e tyre duhen projekte serioze, kontrata strikte ligjore dhe mbi të gjitha garanci nga qeveria se paratë nuk do përfundojnë në skemat e korrupsionit. Në këtë pikë qeveria “Rama” nuk ka bindur dot donatorët, me sa duket. Mungesa e 1.15 miliardëve lidhet dhe me rrezikun që paralajmëruan ekspertët dhe faktin se këto lekë nuk ishin dhuratë, por borxh. Për të marrë shumicën e tyre duhen kontrata me bankat. Me nivelin e borxhit publik që ka arritur majat, asnjë bankë nuk e pranon më këtë qeveri si klient, ndaj qeveria po përdor taksat e qytetarëve.

Tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 shkatërroi me mijëra shtëpi e pallate dhe la në qiell të hapur mijëra qytetarë. Në institucionet e shtetit qytetarët kanë aplikuar për rindërtim e plotë ose të pjesshëm të shtëpive, me ndihmën e qeverisë, për rreth 8 mijë objekte banimi. Shifra e dëmeve është shumë herë më e lartë, por sipas deklaratave të kryeministrit ky është numri që doli nga inspektimet në terren. Qeveria ka premtuar se brenda muajit dhjetor të gjithë të pastrehët do të kenë në duar çelësat shtëpive të reja. Për ndërtimin e banesave në shkurt të këtij viti qeveria në bashkëpunim me BE organizoi një konferencë ndërkombëtare ndërkombëtare, ku arriti të sigurojë një shifër të jashtëzakonshme ndihmash prej 1.15 miliardë dollarë. Në atë kohë, kryeministri Edi Rama e quajti këtë konferencë si sukses personal, pasi u mori ndërkombëtarëve një sasi parash që nuk e imagjinonte. Qeveria llogariti se për rindërtimin e gjithë dëmeve duheshin 1 miliardë euro dhe në konferencën e donatoreve bëri “bingo” duke marrë 1.15. Realisht në atëkohë që u quajtën para dhuratë për qeverinë, më shumë se gjysma e tyre ishin kredi dhe grante. Pra, institucionet dhe shtetet ndërkombëtare do t’i jepnin qeverisë para borxh për realizuar rindërtimin e objekteve të shembura ose të dëmtuara.

 

Gati 10 muaj pas tërmetit që shkatërroi mijëra banesa, pjesa kryesore e rindërtimit të banesave po përballohet nga buxheti i shtetit, pra nga taksat e gjithë shqiptarëve. Ministria e Financave, në rishikimin e fundit që ka bërë për buxhetin ka vendosur që fondi për rindërtimin e banesave të dëmtuara do të jetë 500 milionë euro. Fillimisht, në muajin janar 2020 qeveria deklaroi se fondi i qeverisë do ishte vetëm 200 milionë euro. Caktimi i shumës 500 milionë euro nga buxheti i shtetit për pasojat e tërmetit, natyrshëm ngre pyetjen: ku janë paratë që ju premtuan qeverisë nga donatorët? Përderisa Edi Rama ka premtuar se në fund të dhjetorit të gjithë do hyjnë në banesat, si ka mundësi që nuk janë lidhur kontratat me vendet që dhanë donacionet dhe nuk janë bërë marrëveshjet me institucionet ndërkombëtare që premtuan ndihmë? Në Fletore Zyrtare të qeverisë gjenden vetëm marrëveshje me disa fondacione shqiptare që mblodhën ndihma, si dhe marrëveshja me Turqinë për ndërtimin e 500 banesave, po ashtu dhe marrëveshja me Zvicrën për donacione. Ndërkohë që nuk ka asnjë gjurmë nga shifra 1.15 miliardë euro që ju premtua qeverisë nga ndërkombëtarët.

Arsyeja kryesore duket se lidhet me pandeminë e koronavirusit dhe mos sigurinë së këto miliarda do shkojnë në destinacion. Epidemia goditi të gjitha shtetet dhe vendosi në vështirësi edhe financat e vendeve më të fuqishme në botë. Për pasoja, Shqipëria dhe problemi i saj me rindërtimin ka kaluar në plan të dytë. Ndërkohë që qeveria “Rama” edhe një pjesë të vogël të donacioneve që mori për tërmetin gjatë muajve janar shkurt e ka kaluar në fondet e emergjencës për përballimin e koronavirusit.

Përveç pandemisë, që është një arsye e besueshme, mungesa e parave që u premtuan lidhet dhe me faktin se për marrjen e tyre duhen projekte serioze, kontrata strikte ligjore dhe mbi të gjitha garanci nga qeveria se paratë nuk do përfundojnë në skemat e korrupsionit. Në këtë pikë qeveria “Rama” nuk ka bindur dot donatorët. Mungesa e 1.15 miliardëve lidhet dhe me rrezikun që paralajmëruan ekspertët dhe faktin se këto lekë nuk ishin dhuratë, por borxh. Për të marrë shumicën e tyre duhen kontrata me bankat. Me nivelin e borxhit publik që ka arritur majat, asnjë bankë nuk e pranon më këtë qeveri si klient.

Sidoqoftë puna në një pjesë të objekteve të dëmtuara dhe që do ngrihen nga e para, ka nisur. Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, çdo ditë publikon në Facebook lajme për punimet që ecin nëpër fshatra dhe zonat rurale. Gjithmonë në njoftime flitet për projektet që po mbështeten nga buxheti i shtetit dhe paratë e donatorëve nuk duken asgjëkund. Pavarësisht se ku kanë “humbur” miliardat që u tha se ju dhuruan qeverisë, rëndësi ka qenë banorët e dëmtuar nga tërmeti të hyjnë në shtëpi dhe kryeministri të mbajë fjalën se do t’i ketë gati të gjithë në muajin dhjetor. Një premtim që duket i vështirë po të shohësh se në Durrës këtë javë ka pasur protesta qytetarësh që thonë u janë shkatërruar shtëpitë dhe nuk e kanë emrin e në listën e rindërtimit.

Në vend që të përdorë 1.15 miliardët e premtuara, kryeministri ka futur dorën në buxhetin e shtetit dhe po e përdorë krejtësisht, pasi donatorët nuk kanë besim.

Login to post comments