Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu duke marrë shkas nga shqetësimet e publikuara lidhur me rezultatet e dyshimta të testimeve mbi Covid-in i kërkon kryeministrit Edi Rama të përgjigjet se a përdoren materiale të pa certifikuara në testimin “zyrtar” serologjik?!
“Fakti i asnjë përgjigjeje nga strukturat shtetërore për këto pyetje të ripërsëritura, kur janë të detyruara të bëjnë publike edhe certifikatat e importit të aparaturave të këtyre materiale, qoftë për testimin molekular, qoftë për atë serologjik, ndoshta flet për zakonin e parë, atë të pritjes nga Kryeministri. Akoma më shumë bëhet domosdoshmëri një përgjigje edhe për PCR mbas deklarimeve zyrtare për “besueshmërinë deri në 70%” të rezultateve të analizave me “tampon” në IShP, gjë që është shumë larg me besueshmërinë e metodave e pajisjeve perëndimore. Duke u përballur me këtë mungesë të thellë transparence ka ardhur momenti për të pyetur direkt, edhe për përdorimin në QSUT në ekzaminimet serologjike të materialeve të kompanisë kineze “Snide Diagnostics” me analizatorin Magnum? A janë këto prodhime në listën e autorizimit të FDA, në atë të emergjencës së saj EUA, apo diku tjetër që u kërkohet laboratorëve në vend? Sepse për të penguar artificialisht laboratorët, qoftë serologjike a me PCR, u kërkohet certifikim i dyfishtë nga CE (europian) e nga ai amerikan FDA, gjë që nuk u nevojitet në vendet e tyre, as në Gjermani, Francë, Itali etj. Dhe kulmi arrin kur në mënyrën më anti-shkencore, anti-profesionale, dëmtuese, e ndryshe nga “liberalizimi” i trumbetuar, laboratorëve serologjikë të vendit i lejohet të bëjnë vetëm antikorpet IgG, e jo ato IgM, apo IgA, një mister i errët ky. Publiku tashmë duhet të kuptojë se bllokimi disa mujor edhe në vazhdim i laboratorëve në realizim të aktivitetit të tyre normal profesional, në funksion të nevojave, ka krijuar dëme tragjike në ecurinë e epidemisë dhe shëndetit të njerëzve. Kryeministri, i cili disa muaj më parë fliste gjithmonë në vetë të parë me triumfalitet, duhet të vazhdojë sqarojë se çfarë po ndodh akoma, e jo të “shkrihet” si kripa në uj”, deklaron ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu.