Pandemia, Presidenti Meta takon ekipin e mjekëve dhe infermierëve italianë që do të trajnojnë stafin mjekësor shqiptar
Presidenti Ilir Meta priti sot në takim ekipin e mjekëve dhe infermierëve të ardhur nga Italia për të trajnuar stafin mjekësor shqiptar në përballje me COVID-19.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta priti sot në një takim të përzemërt ekipin e mjekëve dhe infermierëve të ardhur nga Italia për të trajnuar strukturat tona shëndetësore me qëllim arritjen e rezultateve më efektive në luftën me pandeminë e rrezikshme COVID-19.
Presidenti Meta pasi u njoh me asistencën konkrete të ofruar prej tyre për stafet mjekësore të spitaleve COVID 1, COVID 2 dhe spitalin e Shkodrës, theksoi se shkëmbimi i eksperiencave dhe thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh kundër pandemisë, kësaj sfide të përbashkët, është mëse i domosdoshëm, me qëllim rikthimin sa më parë në normalitet.
Kreu i Shtetit e falenderoi me mirënjohje ekipin e mjekëve dhe infermierëve italianë për ndihmën tepër të vlefshme dhe bujare të ofruar në këto momente të vështira, dhe u shpreh se “shqiptarët nuk do t’i harrojnë kurrë sakrificat dhe këtë solidaritet vëllazëror, që e forcon edhe më shumë marrëdhënien e shkëlqyer midis dy vendeve e popujve tanë.”
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, Sh.T.Z Fabrizio Bucci”, njofton Presidenca.