Dëshmitë para spitaleve Covid, Vokshi i përgjigjet Ballës dhe i rendit faktet: Shqipëria, zonë e kuqe dhe e izoluar nga Evropa

Saturday, 15 August 2020 14:39

 

Ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi, i përgjigjet kreut të grupit të PS, Taulant Balla, i cili kërkonte hetim për videot e publikuara nga ish-deputetja Orjola Pampuri, ku jepeshin dëshmi të qytetarëve para spitaleve Covid, që thonin se i kanë paguar vetë të gjitha për të infektuarit me koronavirus, që nga ushqimet e deri te respiratorët.

Me tone të ashpra, ish-deputetja Vokshi shkruan në ‘Facebook’ se ‘Edi Rama dhe surrogati i tij Taulant Balla mund të shajnë e mallkojnë gjithë ditën, por nuk e ndalojnë dot opozitën dhe qytetarët të ngrenë zërin kundër braktisjes dhe padrejtësive të qeverisë’.

Reagimi i plotë:

Taulant Balla ka shpërndarë sot një fletërrufe të shkruar nga Edi Rama kundër opozitës dhe me gjuhë urrejtje kundër koleges Orjola Pampuri vetëm pse ajo përballi me fakte të vërtetën e dështimit të qeverisë përballë pandemisë.

• Është fakt që Shqipëria është e fundit për numrin e testimeve për 1 milion banorë.
• Është fakt që Shqipëria është ndër 4 vendet e para për vdekjet ditore.
• Është fakt se Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të përhapjes së rasteve të reja.
• Është fakt se propaganda shfaq spitale si në Zvicër, ndërsa qytetarët blejnë edhe respiratorë.

Edi Rama dhe surrogati i tij Taulant Balla mund të shajnë e mallkojnë gjithë ditën, por nuk e ndalojnë dot opozitën dhe qytetarët të ngrenë zërin kundër braktisjes dhe padrejtësive të qeverisë.

Shqipëria është sot një zonë e kuqe COVID dhe i izoluar nga Europa, sepse qeveria e Taulant Ballës kishte prioritet vjedhjen me tendera sekretë, jo bërjen e testimeve masive dhe marrjen e masave të tjera për mospërhapjen e virusit.

Login to post comments