Edi Rama ka se ç’ti shpjegojë Bjellorusisë sesi vidhen votat, pushtetet, si shkelen marrëveshjet

E mërkurë, 19 August 2020 17:53

 

Nga Afrim Krasniqi-

Rendja pas modeleve ndërkombëtare është “sëmundja jonë” dhe ndonjëherë, nuk është gjë e keqe. Ja p.sh, admirim e solidaritet me 200 mijë qytetarë që protestuan për votën dhe liritë e tyre në Minsk kundër një autoritaristi që erdhi në pushtet si njeriu i pavarësisë dhe prej diktatit të të cilit sot qytetarët e tij kërkojnë pavarësinë e tyre! Dy ditë më parë ishte protesta më e madhe, rreth 200 mijë. Lukashenko fitoi 80% të votave në zgjedhjet që bëri vetë, numëroi vetë dhe i legjitimoi vetë pasi dërgoi në burg kritikët e tij kryesorë! Gjithsesi, ai mori 14% më pak sesa 94% të votave që fitoi qeveria në zgjedhjet vendore 2019 në Shqipëri! Kryeministri ynë ka ofruar negociata për krizën në Bjellorusi, dhe mirë bën! Kemi çfarë tu mësojmë të tjerëve, përfshirë edhe mënyrën sesi i bëjmë zgjedhjet, sesi i bëjmë bisedimet, sesi i hartojmë dhe i respektojmë marrëveshjet, sesi e duam dhe e trajtojmë opozitën dhe mendimin kritik! E provuam muajin e kaluar me Kodin dhe Kushtetutën! Nuk kanë punë të huajt në çështjet tona, – iu thamë dhe bëmë siç deshëm vetë, – një parullë që e thotë edhe njëri në Minsk.

Ne i pritëm me lule dhe ceremonial ministror turistët bjellorusë në Rinas! Ishin të parët që erdhën dhe jemi të parët që na zgjodhën! U krenuam me ta, edhe pse me siguri, nuk ishin nga ata të protestës, por ata “të stabilitetit”. Po ne? Liritë tona i kemi deleguar pa adresë! I “ruan” qeveria, policia dhe bashkia! Në kohë të çmendura merren vendime të çmendura. Jeta pastaj demokracia, – tha në Tiranë! Në Minskun e largët, qytetarët kanë zgjedhur ndryshe, – revolucion, liri dhe çlirim nga diktati dhe më pas vjen shëndeti. E megjithatë, shifrat e COVID-19 ata i kanë shumë më të mira sesa ne, ku themi, – në fillim shëndeti dhe pastaj shteti, liria, demokracia, ekonomia, të drejtat, zgjedhjet e kushtetuta!

Login to post comments