Shqiptarët janë duke ndjekur zhvillimet politike në Bjellorusi, aty ku opozita akuzon kreun e shtetit për vjedhje të zgjedhjeve dhe për të gjetur dialogun mes palëve është angazhuar Edi Rama, si drejtuesi i Presidencës së OSBE-së.
Për ”Koha Jonë”, nënkryetari i PD-së, Edi Paloka thotë se njeriu i kapur në flagrancë me manipulime në të gjitha zgjedhjet që ka zhvilluar, i denoncuar dhe nga vetë OSBE-ODIHR për 30 qershorin, tani kërkon të shfaqet si shpëtimtar i demokracisë në Bjellorusi. Nga ana tjetër, Paloka thotë se ngritja e popullit në protesta, tregon se çdo diktator apo aspirant për diktator ka gjithmonë një fund të tmerrshëm.
Ndërkombëtarët e kanë mbështetur qëndrimin e Ramës për dialog por SHBA-ja dhe BE-ja nuk i njohën zgjedhjet në Bjellorusi dhe a është ky një mesazh për kryeministrin Rama për zgjedhjet e 2021 në Shqipëri? ”Ato do të fitohen nga fronti i sotëm opozitar, çfardo përpjekjesh që të bëjë Lukashenkoja i Surrelit”.
Prononcimi i plotë
Dialogun që nuk e ka gjetur me opozitën në Shqipëri, kryeministri Edi Rama si drejtuesi i presidencës së radhës së OSBE-së, kërkon ta gjejë në Bjellorusi. Mund ta pranojë opozita atje uljen në tavolinë me Ramën, që pikërisht nga opozita shqiptare akuzohet për vjedhje të zgjedhjeve? Si e shihni këtë paradoks?
Rastësia që rradha e Shqipërisë për të drejtuar OSBE-në, të qëllonte në një kohë që ministër i jashtëm dhe kryeministër i Shqipërisë të jetë Edi Rama, i ngjan një talljeje gjigande. Pastaj faktit që Rama propozon dhe merr përsipër të negociojë manipulimin e zgjedhjeve në Bjellorusi, nuk i gjej dot emër.
Njeriu i kapur në flagrancë me manipulime në të gjitha zgjedhjet që ka zhvilluar, i denoncuar dhe nga vetë OSBE-ODIHR për 30 qershorin, tani kërkon të shfaqet si shpëtimtar i demokracisë në Bjellorusi.
Mosnjohja e zgjedhjeve të Lukashenkos nga BE dhe SHBA, po sidomos ngritja e popullit në protesta është sinjal i qartë për çdo diktator apo aspirant për diktator ka gjithmonë një fund për ta dhe zakonisht vjen i tmerrshëm.
Nga ana tjetër, ndërkombëtarët e kanë mbështetur qëndrimin e Ramës për dialog por SHBA-ja dhe BE-ja nuk i njohën zgjedhjet në Bjellorusi dhe a është ky një mesazh për kryeministrin në lidhje me zgjedhjet e ardhshme të 2021?
Sa për zgjedhjet e 2021, ato do të fitohen nga fronti i sotëm opozitar, çfardo përpjekjesh që të bëjë Lukashenkoja i Surrelit!
@KohaJone