Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka intervistë për “Koha Jonë”: Rama as nuk e ka ndërmend ti plotësojë 15 kushtet dhe shqiptarët i ka çuar drejt një izolimi të ri me Bashkimin Europian
Intervistoi: Redjon Shtylla
Duket sikur në Mesdhe çështja e nxehtë e definimit të kufijve detarë ka arritur një pike kulmore. Greqia pas marrëveshjeve me Egjiptin dhe Italinë, kërkon diçka të tillë edhe me Shqipërinë dhe Turqinë. Për nënkryetarin e PD-së, Edi Paloka, sjellja e kryeministrit Edi Rama tregon se karriera e tij është e mbushur me akte antishqiptare. “E bëri këtë në të njëjtën ditë që në serbisht ju bënte thirrje shqiptarëve të Malit të Zi të mos votonin partitë shqiptare”. Në një intervistë për “Koha Jonë” ai përmend faktin se qeveria e PD-së realizoi një marrëveshje me qeverinë greke për çështjen e detit por që u sulmua me histeri nga Rama. “Në atë marrëveshje kufiri detar zgjerohej reciprokisht në 6 milje detare e megjithatë Rama bërtiste për “shitje” të detit bashke me ca sharlatanë të tjerë. Sot po flitet hapur për një zgjerim të kufirit detar të Greqisë në 12 milje dhe përfshirje në to të zonave me interes të lartë ekonomik”. Në mbyllje të fazës së parë të seleksionimit të kandidaturave, Jozefina Topalli një prej 946 emrave të propozuara nga baza demokrate refuzoi të jetë pjesë e këtij procesi të nisur në PD. Lidhur me këtë situatë, Paloka thotë se shumica e shqiptarëve, përfshi dhe shumë socialiste, kërkojnë largimin e Ramës dhe të kërkosh largimin e Bashës, për të nuk ka nevojë për shumë komente. “Kjo është një zgjedhje që e bën gjithësecili për vete”.
Duket sikur në Mesdhe çështja e nxehtë e definimit të kufijve detarë ka arritur një pike kulmore. Greqia pas marrëveshjeve me Egjiptin dhe Italinë, kërkon diçka të tillë edhe me Shqipërinë dhe Turqinë. Si e gjykoni këtë situatë dhe si duhet të sillet shteti shqiptar?
Këto janë marrëdhënie që rregullohen me marrëveshje midis shteteve në bazë të ligjeve ndërkombëtare. Në rastin konkret, më duhet t’ju kujtoj se qeveria e PD realizoi një marrëveshje me qeverinë greke për çështjen e detit. U punua për një kohë të gjatë nga specialistët më të mirë dhe në fund u arrit një marrëveshje në interes reciprok të të dy vendeve e në bazë të ligjeve e rregullave ndërkombëtare. Ajo u sulmua me histeri nga Rama dhe nën ndikimin direkt të tij u detyrua Gjykata Kushtetuese ta rikthejë për rishqyrtim të disa pikave. Në atë marrëveshje kufiri detar zgjerohej reciprokisht në 6 milje detare e megjithatë Rama bërtiste për “shitje” të detit bashke me ca sharlatanë të tjerë. Sot po flitet hapur për një zgjerim të kufirit detar të Greqisë në 12 milje dhe përfshirje në to të zonave me interes të lartë ekonomik. Sharlatanët e dikurshëm në këtë rast kanë mbyllur gojën, kurse vetë Rama (që dje bërtiste për “shitje”) deklaroi se kjo “është një e drejtë e Greqisë”. E bëri këtë në të njëjtën ditë që në serbisht ju bënte thirrje shqiptarëve të Malit të Zi të mos votonin partitë shqiptare. Besoj që komentet janë të tepërta, për më tepër kur dihet që karriera e Ramës si kryeministër është e mbushur me akte antishqiptare.
Përpara kemi një sezon politik që për analistët do të jetë i nxehtë. Lista e 15 kushteve të Bundestagut ndaj Shqipërisë, e aprovuar nga Parlamenti Europian, si e shihni në planet e qeverisë? A do të na tërheqin Europianët më prej dore?
Tanimë është fakt i kryer që Maqedonia e Veriut do të vazhdojë procesin e hapjes së negociatave kurse Shqipërisë ju mbyll dera përfundimisht. Rama as nuk e ka ndërmend ti plotësojë 15 kushtet e BE-së, ndërkohë që ju ka mbyllur derën shqiptarëve duke i çuar drejt një izolimi të ri me BE-në, flirton hapur me të tjerë duke e orientuar politikën e tij drejt lindjes.
Në mbyllje të fazës së parë të seleksionimit të kandidaturave, Jozefina Topalli një prej 946 emrave të propozuara nga baza demokrate por refuzoi të jetë pjesë e këtij procesi të nisur në PD. E shihni si humbje të PD-së kur figura të tilla hedh akuza ndaj këtij procesi?
Fakti që në një kohë kur jo vetëm demokratët por dhe shumica e shqiptarëve, përfshi dhe shumë socialiste, kërkojnë largimin e Ramës sepse e kanë kuptuar dhe kanë bindjen se vetëm largimi i Ramës, largimi i të keqes është zgjidhja dhe rikthimi i vendit drejt normalitetit, të kërkosh largimin e Bashës nuk besoj se ka nevojë për shumë komente! Kjo është një zgjedhje që e bën gjithësecili për vete.
Shqipëria po kalon një krizë të rëndë politike, ku jemi në kushtet kur qeveria nuk pranon dialog dhe bën gjithçka për minimin e konsensusit së 5 qershorit për një Kod të ri e të gjithëpranuar zgjedhor, çka duket sikur mazhoranca aktuale kërkon fitore mandatesh në tavolinë. Cili do të jetë aksioni i opozitës?
Ramën e ka pushtuar prej kohësh paniku për humbjen që e pret në zgjedhje. Kjo është arsyeja pse po përpelitet për të gjetur mënyra sesi të minimizojë katastrofën. Kjo e shtyn që të kërkojë të prishë dhe marrëveshjen që i ka nënshkruar vete si ajo e 5 qershorit, megjithëse për atë marrëveshje kanë dalë garante BE-ja dhe SHBA-ja, e madje në mënyrë jo të zakonshme është prononcuar dhe vetë Sekretari Amerikan i Shtetit. Marrëveshja e 5 qershorit është mëse e qartë për këdo. Prishja e saj do të tregonte vetëm se deri në çfarë shkalle e ka kapur paniku Ramën e do ta nxirrte dhe një herë zbuluar përpara partnerëve, që duhet thënë se praktikisht ja kanë hequr vizën edhe pa këtë akt. Sa për fitoren në tavolinë, po ju përsëris se nuk ka më asnjë akrobaci, hile apo manipulim që ta shpëtojë Ramën nga humbja. Vetëm sa i trash zullumin vetes.
KohaJone