“ALBANIAN LIVES MATTER” - Lëvizja që na çliron nga Klika

Premte, 28 August 2020 16:00
Nga Ilir Nikolla

Edhe më shumë gjatë verës, edhe më fort pas pandemisë, kam hasur revoltën në rrjetet sociale për rrënimin e cilësisë së jetës në Shqipëri e tek shqiptarët. Kudo mbizotëron bindja se asgjë s’është e sigurtë, as prona, as rrethi shoqëror e bile as jeta, sepse ato mund të t’i marrë komshiu, banda e lagjes, oligarkia e ç’është më e tmerrshmja, mund të t’i marrë vetë shteti. Radhët kilometrike që pamë në Kakavijë na shtynë të shihnim më qartë si trajtoheshin emigrantët e si detyroheshin të sublimonin identitetin shqiptar, pasi kështu ndjenin se mund të trajtoheshin më mirë në kufi, qoftë nga policët e shtetit shqiptar, qoftë nga ata të shtetit grek.
Shifrat e pandemisë që nga qershori dhe njoftimet e Edi Ramës se nuk do të ketë më kurrfarë mbylljeje, sepse (palo)ekonomia e vendit ka më shumë rëndësi se jeta e qytetarëve, janë tregues i qartë se siguria, mirëqenia dhe jeta e bashkëkombasve kanë aq rëndësi sa interes ka nomenklatura, sa i frytshëm është pazari i qeverisë me komshinjtë, apo edhe sa ju dhimbsemi ne të tjerëve.
Konstantja që vërehet kudo është se shqiptarët janë gjithmonë e më të varfrit e kontinentit, janë mish për top i interesave të oligarkisë dhe minë me sahat në duart e klikës në pushtet.
Kur gjendja është gjithmonë e më dëshpëruese, kur shohim se edhe procesi i integrimit të Maqedonisë (së Veriut) në Evropë po na lë targën, s’ka pse të mos shohim e të mos frymëzohemi nga lëvizja tronditëse “black lives matter”, e përkthyer literalisht, “edhe jeta e të zinjve ka rëndësi”. Jeta e shqiptarëve, cilësia e jetës së tyre, aspiratat e tyre dhe kthimi i shpresës në botën e tyre, ka rëndësi. Nuk ngjajnë arsyet, edhe pse shumë filozofë e politologë kanë folur në historinë tonë të re për njëfarë albanofobie, që gjallon në rajon e në disa kancelari perëndimore. Gjithsesi, secili bën të veten, dhe frymëzimi duhet të vijë nga shoqëria jonë e të synojë korrigjimin e gabimeve që e kanë burimin tek vetë ajo.
“Albanian lives matter”, në çfarëdo versioni shqiptar, kitch, turbo-folk a retro qoftë, do ta trondiste “status-quo”-në, s’do na linte të ndihemi sot, të pafuqishëm, si dikur, dje kur fuqitë e mëdha mendonin e shqiptonin kalimin e copave të trojeve shqiptare nën administrimin e fqinjve, e sot kur flitet për rrudhje kufijsh e humbje hapësirash detare. Ç’është më e rëndësishmja, çfarëdo version i asaj lëvizjeje, do ndihmonte në çlirimin nga kthetrat e klikës. S’ka asgjë anakronike në imitimin a frymëzimin prej një lëvizjeje që synon çlirimin nga një status-quo që po mban në këmbë një rend skllavërimi. Tek ne, ky frymëzim do të sillte një shpresë për miliona shqiptarë të vuajtur, që përditë shohin se asgjë s’ndryshon “Selanik e tatëpjetë...”, sa kohë, e vetmja gjë që marrin, shoqërohet me frazat “edhe këtë shumë e keni” apo me refrenin ndërkombëtar “buono per l’Albania”.
Versionet e “Albanian lives matter” do të ishin një lëvizje politike që do ndihmonin koalicionin e opozites te trondiste klikën dhe do ta nxirrte atë nga zona e saj e komfortit, nga zona nihiliste ku ajo gëzon sa herë shtohen ritmet e largimit të shqiptarëve nga vendi i tyre, pasi kjo parakupton se largohen opozitarë potencialë dhe rriten gjasat për ruajtjen e pushtetit në zgjedhjet e ardhshme.
Per opoziten, Stina politike e shtatorit s’duhet të ketë censurë kufijsh, çfarëdo kufizimi e autocensure shkon në favor të “status-quo”, prandaj, pa paragjykime duhen mbajtur të çelura shqisat e frymëzimit, pasi veç prej andej buron shpresa e ndryshimiit, ajo aspiratë qëna shtyn të gjithëve të shpresojmë se 100 vitëshi i dytë i shtetit shqiptar të mos mbetet peng i sëmundjeve levantine të shekullit të shkuar.
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...