Ekskluzive për “Telegraf” nga Prof. Dr. Jordan Daci/ Incidenti i kanalit të Korfuzit i 22 tetorit 1946 dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i 9 prillit 1949. Greqia nuk mund të pretendojë territor detar në atë pjesë, për të cilën Shqipëria ka paguar £875,000 Sterlina dëmshpërblim ndaj Britanisë, pikërisht sepse incidenti kishte ndodhur në ujërat e territoriale të Shqipërisë
Në kuadër të rikthimit të debatin për çështjen e kufirit detar me Greqinë, duke qenë se kam pasur fatin ta studioj posaçërisht rastin e incidentit të Kanalit të Korfuzit dhe çështjet e caktimit të kufijve detarë, në kuadër të së Drejtës Ndërkombëtare dhe që këto dy çështje lidhen në mënyrë organike me çështjen e kufirit detar, dëshiroj të ndaj me publikun disa çështje me rëndësi për këtë mosmarrëveshje, të cilat duhet të dihet nga publiku dhe duhet, mbi të gjitha, të mbahen parasysh nga qeveria jonë në kuadër të bisedimeve. Në gjykimin tim, diskutimi i hapur me Greqinë para disa vitesh, me kërkesë të kësaj të fundit, për shënimin e kufirit detar, ka qenë i stisur, pasi kufiri tokësor dhe ai detar me Greqinë ka qenë i caktuar dhe i njohur ndërkombëtarisht nga Fuqitë e Mëdha, që caktuan kufijtë, OKB me pranimin e Shqipërisë si anëtare e saj, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe gjithë komuniteti ndërkombëtar në tërësi. Madje, de facto, përtej ekzistencës së ligjit të luftës, edhe Greqia e ka njohur vijën e kufirit tokësor dhe detar, si në kuadër të ruajtjes së vijës së kufirit, ashtu edhe në kuadër të përcaktimit të vijave kufitare dhe vendosjes edhe të piramidave etj. Prandaj, Greqia rihapi këtë çështje të paqenë, bazuar në parimin e thjesht që ta hapim këtë çështje, pasi në çdo rast Greqia do dalë më e fituar sesa është.
Incidenti i Kanalit të Korfuzit i 22 tetor 1946, dhe Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i 9 prill 1949, dhe rëndësia e tyre në raport me çështjen e kufirit detar me Greqinë
Kanali i Korfuzit, për shkak të pozitës së rëndësishme gjeografike, edhe pse përbën ujëra territoriale që ndahen midis Shqipërisë dhe Greqisë, është një kanal ndërkombëtarisht i kalueshëm edhe për luftanijet, të cilat kanë detyrimin që kur kalojnë, të mos kenë armët në gatishmëri për luftim dhe të mos pozicionohen në formacion luftarak. Pra, lejohet vetëm kalimi paqësor i tyre. Megjithatë, për shkak të orientimit të ri politik që po merrte Shqipëria në drejtim të bllokut komunist dhe prishjes së marrëdhënieve me Anglo – Amerikanët nga komunistët shqiptarë, të ardhur rishtazi në pushtet, disa luftanije ushtarake britanike prej ditësh, para incidentit, në formacion luftarak dhe me armët në gatishmëri për veprime luftarake, provokuan disa herë rojet bregdetare shqiptare, duke u futur në ujërat territoriale, madje edhe në ujërat e brendshme të RSH. Si rezultat, në atë kohë, pati disa qitje paralajmëruese të artilerisë shqiptare në mbrojtje të kufirit dhe në vijim luftanijet largoheshin, por duke qëndruar në zonë. Në vrazhdën e këtyre provokimeve, me datë 22 tetor 1946, një grup destrojerësh britanikë “Mauritius”, “Leander”, “Saumarez” dhe “Volage”, të udhëhequr nga destrojeri “Mauritius” dolën nga porti i Korfuzit dhe u futën në Kanal, në ujërat territoriale të Shqipërisë, jashtë gjirit të Sarandës. Destrojeri “Saumarez” jashtë Gjirit të Sarandës takon në një minë dhe dëmtohet rëndë, kësisoj këtij destrojeri i vjen në ndihmë, destrojeri “Volage”, i cili, gjithashtu, takon në minë dhe dëmtohet rëndë… Nga incidenti mbetën të vdekur e të plagosur rëndë 44 marinarë dhe 42 të tjerë të plagosur lehtë. Pavarësisht, se në gjykimin tim, vendimi ishte i padrejtë dhe me dëme kolosale për Shqipërinë, e cila, fillimisht, në gjykimin tim edhe nuk u mbrojt siç duhet dhe nga njerëzit e duhur, duke tentuar të kundërshtojë juridiksionin e Gjykatës, meqë Shqipëria ende nuk ishte anëtare e OKB-së në atë kohë, përsëri ky vendim është thelbësor për sa i përket çështjes së kufirit detar me Greqinë. Ky vendim dhe provat që ndodhen në dosjen përkatëse, janë një ndihmë shumë e madhe për Shqipërinë, në arsyetimin e pretendimeve të saj dhe duhet që të njihen me detaje nga cilido, që do të negociojë me Greqinë. Konkretisht, midis të tjerash, në provat shkresore të administruara nga Gjykata sikurse janë: komunikimet ushtarake Britanike, fotot e bëra nga ata, dokumentet e përdorura nga ekspertët dhe dokumentet e tjera të paraqitura nga palët, duke përfshirë edhe aktet e ekspertimit, jepen të dhëna të qarta për koordinatat, në të cilat ishin ndodhur anijet në momentin e incidentit dhe që këto koordinata janë pranuar nga ekspertët, të cilët kanë përdorur disa nga hartat e gjithëpranuara të botës, që ishin në ujërat territoriale shqiptare. Po ashtu, jepen të dhëna të sakta për kufijtë detar midis Shqipërisë dhe Greqisë, sipas njohjes që ato kishin në atë kohë nga hartat ushtarake dhe civile më të pranuara të botës, nga ekspertët, vendet e përfshira në rast, si dhe vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Midis të tjerash, gjykata shprehet në faqen 29 të vendimit, të datës 9 prill 1949, sikurse vijon: “Nga ana tjetër, është një fakt që dy shtetet, që u përkasin brigjet e detare nuk kishin marrëdhënie normale, duke qenë se Greqia kishte bërë pretendime territorialë saktësisht për një pjesë të territoreve Shqiptare që kufizoheshin me Kanalin dhe që Greqia i kishte deklaruar dhe e vlerësonte vetën e saj në një gjendje luftë me Shqipërinë dhe se Shqipëria, duke marrë në konsideratë rrezikun e një sulmi të papritur grek, kishte vlerësuar të merrte masat e duhura të vigjilencës në këtë rajon.”. Pra, Gjykata ka njohur që këto territore, sipas edhe ekspertëve, i përkisnin Shqipërisë dhe jo Greqisë dhe pikërisht për këtë shkak, dha një vendim kundër Shqipërisë, duke e detyruar që të paguante, rreth £875,000 Sterlina, pagesë e cila u bë nëpërmjet mbajtjes së arit, që nazistët gjermanë kishin marrë nga Banka e Shqipërisë, një shumë e cila nuk u rakordua, në fakt, kurrë. Marina Britanike ka shënuar dhe ka raportuar me telegrame vendndodhjen gjeografike të anijeve gjatë gjithë rrugës, para dhe pas ndodhjes së incidentit. (shiko faksimilet e komunikimeve të Admiralit që komandonte skuadronin e parë të luftanijeve dhe Komandantit e Stacionit të Mesdheut etj). Pra, është e qartë që kjo dosje, duhet të administrohet e plotë nga Shqipëria nëse nuk e ka, tashmë, një kopje të saj që do të ishte absurde dhe të studiohej me imtësi. Kjo, pasi, së paku, Greqia nuk mund të pretendojë territor detar në atë pjesë, për të cilën Shqipëria ka paguar dëmshpërblim ndaj Britanisë, pikërisht sepse incidenti kishte ndodhur në ujërat e saja territoriale, sipas njohjes ndërkombëtare dhe vetë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në fakt, sipas marrëveshjes së fundit dhe me projektet që synon Greqia, vendndodhja e anijeve të paktën e anijes së fundit, që raportohet në ujëra Shqiptare, mund të dalë që ka qenë në Ujëra Greke, gjë e cila është e pakuptimtë dhe e papranueshme. Gjithsesi, ekspertët e hartave do të duhet të mbivendosnin hartat e përdorura nga Gjykata dhe ekspertët me hartat ekzistuese dhe hartat që propozon Greqia dhe marrëveshja e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese e RSH, për të parë shumë devijime dhe mospërputhje të qëllimshme. Sigurisht, në memorien e shtetit shqiptar, kjo praktikë gjyqësore ndërkombëtarisht e pranuar si rast mbi të cilin zgjidhen, thuajse, të gjithë konfliktet, si dhe me pasoja të rënda financiare, nuk është se nuk dihet, por ata që negociojnë duhet t’u shpjegojnë shqiptarëve nëse e kanë parë, nëse i kanë bërë këto krahasime dhe nëse jo, përse nuk i kanë bërë këto veprime?
Këtu në vijim duhet të vendosen Faksimile Nr. 1 dhe Faksimile Nr. 2
Përcaktimi i kufijve detarë me Greqinë, sipas të Drejtës Ndërkombëtare
Sikurse theksova më lartë, me përcaktimin e kufijve tokësor midis dy shteteve nga komisioni ndërkombëtar dhe me pranimin de facto prej kaq kohësh nga të dy shtetet, pavarësisht mbajtjes në fuqi artificialisht të ligjit të luftës, përsëri jam i mendimit, që referuar edhe praktikës së vijës kufitare të përcaktuar gjatë kohës së regjimit komunist, vijë në të cilën është ushtruar kontroll efektiv nga Marina Ushtarake Shqiptare, kufiri ka ekzistuar dhe ka qenë i shënuar mjaft saktë. Kjo mbështet edhe në ashtuquajturin Protokolli i Firences i viti 1913, që thotë, midis të tjerash, se kufiri midis Shqipërisë dhe Greqisë në Zonën e Kanalit të Korfuzit kalon përmes dhe pikërisht edhe ky kufi është marrë parasysh nga Gjykatë Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe nuk është kundërshtuar ndonjëherë nga palët. Madje, edhe gjykata në vendimin e saj, sikurse është sipërcituar thotë që Greqia ka pretendime territoriale për sa i përket kufirit tokësor, por jo atij detar. Risjellim në vëmendje që Protokolli i Firences është produkt i Komisionit Ndërkombëtar për Përcaktimin e Kufijve të Shqipërisë dhe u nënshkruar në 26 korrik 1926. Ndërkohë, me 30 korrik 1926, Konferenca e Ambasadorëve në Paris, me aktin përfundimtar, të nënshkruar nga Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Japonia, në njërën anë, dhe prej përfaqësuesve të Shqipërisë, Greqisë dhe Jugosllavisë, nga ana tjetër, caktoi përfundimisht vijën ndarëse të kufijve ndërmjet këtyre vendeve duke përfshirë referenca të plotë edhe për kufirin detar i cili nuk përbënte interes në atë kohë sa sot dhe kësisoj nuk pati nevojë për shumë diskutime dhe debate. Pra, nuk qëndron pretendimi grek se midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka kufi ndarës detar. Shqipëria ka injoruar dhe vazhdon të injorojë faktin, që Greqia ka disa nga ekspertët më të zotë të së Drejtës Ndërkombëtare të Detit, kjo për shkak të zotërimit të një hapësire të madhe detare dhe rëndësisë që ka deti për shtetin grek në shumë aspekte. Ndërkohë, që Shqipëria ka fare pak njerëz, që e njohin këtë fushë të së Drejtës Ndërkombëtare dhe midis atyre që e njohin, pak janë shqiptarë, që e duan dhe mbrojnë interesin e Shqipërisë. Bazë ligjore për përcaktimin e kufijve detar është Konventa e OKB-së për të Drejtën e Detit, së bashku me praktikën e shteteve si ‘opinio juris’ dhe praktikën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Sipas këtij kuadri, territori detar ndarjen në ujëra të brendshme që shtrihen nga bregu deri në atë që quhet vija bazë dhe që nënkupton zakonisht vijën që formohet nga bashkimet e vijave të drejta midis të dalave të tokës së territorit shtetëror, më pas vjen ujërat territorial me një gjerësi deri në 12 milje detare, më pas vjen zona e vazhduar me një gjerësi 12 milje detare, që pasohet nga zona ekskluzive ekonomike që ka një gjerësi deri në 200 milje detare dhe në vijim nga ujërat ndërkombëtare. Normalisht, këto distanca janë të zbatueshme, kur madhësia e hapësirës detare e lejon dhe kur nuk e lejon, ujërat territoriale, zona e vazhduar dhe zona ekskluzive ekonomike zvogëlohen përpjesëtimisht në raport të barabartë midis dy shteteve kufitare. E Drejta Ndërkombëtare e Detit parashikon rregulla të posaçme për përcaktimin e vijës bazë në rastet kur ka ishuj, gjire të mëdha, apo ndërtime në det apo pjesë tokë në det. Gjithsesi, parimet bazë udhëheqëse janë “parimet e drejtësisë e ndershmërisë ‘equitable principles’, përmes të cilëve bëhet e mundur arritja e një zgjidhje të drejtë e të ndershme ‘equitable solution’ mes palëve. Sipas saj, është pikërisht ky parim që reflekton të drejtën ndërkombëtare zakonore, në një kohë që metoda tjetër, ajo e Vijës së Mesit, bie në kundërshtim të hapur me të. Ky qëndrim i GJND do të rikonfirmohej po prej saj edhe në vendimin e vitit 1982, mbi ndarjen e Shelfit Kontinental ndërmjet Libisë dhe Tunizisë. Për më tepër, në këtë vendim ajo saktëson me tej se “… Ekite (Equite) është një parim i përgjithshëm që duhet zbatuar në mënyrë të drejtpërdrejtë si normë e së drejtës ndërkombëtare” prandaj, si e tillë, ajo është e detyrueshme për gjykatën (Shih ICJ Reports 1982, paragrafi 71 i vendimit, sikurse cituar dhe përcaktuar në Vendimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. 15, datë 15.04.2010). Në fakt, ky vendim ka trajtuar në mënyrë të detajuar, shteruese dhe tepër profesionale parimet dhe mënyrën sesi duhet të bëhej përcaktimi i kufirit detar me Greqinë, ku me rëndësi janë njohja e statusit të gjirit historik për Gjirin e Sarandës, përcaktimi më parë i vijës bazë, nuk duhet të merren parasysh si pikë referimi për këtë të fundit në rastin e Greqisë, masës shkëmbore apo cekina Barketa, pasi ajo herë pas herë mbulohet nga uji dhe ishujve të banuar Lazareto, Erikuza dhe Othonoi, por edhe vetë ishullit kryesor të Korfuzit nuk duhet t’u jepet efekti i plotë në përcaktimin e vijës kufitare duke i barazuar me vijën bregdetare kontinentale të RSH. Një qëndrim i tillë është mbajtur edhe nga Greqi në raport me Italinë përsa u përket ishujve Othonoi dhe Erikuza, gjë e cila përbën ‘opinio juris’ për Greqinë dhe kësisoj, nuk mund të mos zbatohet edhe me Shqipërinë.
3. Ndikimi i zgjerimit të ujërave territoriale greke nga 6 milje në 12 milje detare
Greqia dhe çdo vend tjetër palë në këtë Konventë, sipas nenit 3 të saj, është e lirë të përcaktojë sa do jenë ujërat territoriale të saj që, në asnjë rast, nuk mund të kalojnë 12 milje. Ky zgjerim nuk ka asnjë efekt në ndarjen e ujërave territoriale në raport me kanalin e Korfuzit, ku nuk ka hapësirë për zona të tjera përveç atyre territoriale, por, do të ketë ndikim të fortë në zonën ekskluzive ekonomike, në zonën e zgjeruar të kufirit në trekëndëshin e takimit midis Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë. Normalisht, kjo gjë nuk do të ketë ndikim me Italinë me të cilën kjo çështje është zgjidhur përfundimisht me marrëveshjen për ndarjen e Shelfit (Shtratit) Kontinental ndërmjet Republikës Greke dhe Republikës Italiane të 24.05.1977, por me Shqipërinë do të ketë ndikim, sepse fillimi i matjes së zonës ekskluzive ekonomike do të fillojë 6 milje detare, më në thellësi, duke ulur përfitimin e RSH. Në fakt, është pikërisht kjo arsye që merret ky vendim në këtë moment, për t’i paraprirë negocimeve të reja, apo një gjykimi të çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare Detare dhe është pjesë e strategjisë së përgjithshme të Greqisë për t’u zgjeruar në dete në të gjitha drejtimet. Në këto kushte, e vetmja situatë, është që Shqipëria të mos pranojë këtë zgjerim për efekte të këtyre negociatave duke e quajtur si një ndryshim i ndodhur pas negocimit të cilat ende ligjërisht nuk kanë marrë një formë përfundimtare. Normalisht, kjo nuk siguron sukses të sigurt, por së paku zvogëlon epërsinë e Greqisë në negocimet e reja si pasojë e këtij ndryshimi. Pra nga ky aspekt, negocimi para këtij momenti i jepte Shqipërisë një epërsi në përfitimin e sipërfaqeve më të mëdha detare.
Disa përfundime dhe sugjerime
Shqipëria nuk ka kapacitete njerëzore të mjaftueshme dhe të përgatitura profesionalisht për të zhvilluar bisedime të cilat mund të kulmojnë në një gjyq ndërkombëtar. Ajo duhet të përfshijë në grup ekspertë të huaj të cilët do të duhet të konsultohen vetëm për çështje të caktuara dhe pa u përfshirë në bisedimet e brendshme sekrete brenda strukturave të vendit tonë. Në bisedime nuk duhet të përfshihen posaçërisht persona me shtetësi të dyfishtë shqiptare dhe greke madje edhe persona e tjerë me shtetësi të tjera të dyfishta, sikurse ka në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe as persona të cilët nuk kalojnë kontrollin e strukturave të inteligjencës, qoftë edhe në nivel dyshimi. Në bisedime nuk duhet të përfshihen as petritët e partisë që, në të shumtën e rasteve, janë krejtësisht injorantë dhe as çunak dhe çunakë që i ka çuar babi të punojnë në diplomaci.
Grupi do të duhet të përfshijë ekspertë të hartave, historianë, juristë të zotët me formim të fortë në të Drejtën Ndërkombëtare, inxhinierë etj. (sipas fushave të njohurive që përfshin kjo çështje)… dhe përzgjedhja duhet të jetë transparente dhe vetëm mbi bazën e meritave. Zgjedhja e tyre nuk mund të bëhet as nga çunakët e Mistrisë së Punëve të Jashtme dhe ato të kryeministrisë, por nga një grup ekspertësh i krijuar ‘ad hoc’ për këtë qëllim. Grupi duhet të ketë kohë të mjaftueshme për të hartuar një strategji të detajuar bisedimesh, e cila do të duhej të rishikohej e kontrollohej edhe nga ekspertë të pavarur e të sigurt. Bisedimet duhet të zhvillohen në tokë neutrale dhe jo në territoret e dy shteteve. Grupi do të duhet të ndalohet të ketë kontakte me persona të tretë, me përjashtim të linjës zyrtare të negocimit, gjatë gjithë kohës së negocimit deri në përafrimin përfundimtar të teksteve dhe për këtë ato duhet të ruhen dhe monitorohen fizikisht dhe elektronikisht 24/7. Strategjia e bisedimeve do të duhet të respektojë në çdo detaj Vendimin e Gjykatë Kushtetuese Nr. 15, datë 15.04.2010. Duhet, gjithashtu, që të koordinohet procesi dhe të kërkohet ndihma e miqve tanë të fuqishëm ndërkombëtar që kanë jo vetëm dijen, por edhe përvojë në këtë fushë. Biseduesit dhe Shqipëria duhet të bazohen në parimin e mirëbesimit dhe fqinjësisë së mirë me Greqinë e cila përtej faktit të mosmarrëveshjes, është fqinje e jona e cila ka ndihmuar Shqipërinë në momente kritike dhe mund të jetë një mike e mirë nëse ne ndërtojmë dhe mbajmë raportet e duhura. Dua apo s’duam ne, fqinji ynë, Greqia duhet të respektohet dhe nga respekti buron edhe miqësia. E fundit, Shqipëria dhe shqiptarët duhet të mos harrojnë kurrë që gjithçka që ndodh, pavarësisht vlerës ligjore ose jo, i shtohet historisë, prandaj Shqipëria do të paguajë gjithmonë kostot e dështimeve të saj, sikurse edhe çdo shtet tjetër. Prandaj, në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sidomos me fqinjët asgjë nuk duhet t’i lihet rastësisë apo të vlerësohet si e parëndësishme!