Ish-deputeti i PD-së, Luan Baçi shkruan përmes një postimi në facebook, shoqëruar me pamje, se shkollat në Fier nuk janë gati për të nisur vitin e ri shkollor. Baçi shkruan se disa shkolla janë të rrënuara, si nga jashtë, edhe nga brenda, ndërsa thekson se Bashkia e Fierit Ministria e Arsimit nuk kanë sigurar asnjë kusht për sigurinë e shëndetit të fëmijëve.
“Në video është gjimnazi i Levanit, i cili ka prej vitesh nxënës shëtitës nga një shkollë në tjetrën. Premtimet e Armando Subashit për këtë shkollë rezultuan mashtrime. Asnjë investim për rindërtimin e shkollës, por qëllimisht është lënë të degradojë, ndërsa nxënësit enden me detyrim në shkolla të tjera. E njëjta gjendje e rënduar edhe me shkollën në Portëz të Fierit. Fotot tregojnë një godinë të frikshme, të rrënuar, të rrethuar me bar e shkurre, me kushte mizerabël, ku armiku i padukshëm mund të bëjë festë. Shkollat, nxënësit, mësuesit, prindërit në Fier dhe në të gjithë vendin kanë një armik të dukshëm. Ky është pushteti aktual në qeveri me Edi Ramën dhe në bashki me Armando Subashin, që nuk kanë investuar asnjë qindarkë për përmirësimin e kushteve në shkollave.” shkruan Baçi.