Berisha: Marrëveshje historike, fitoi Kosova dhe Ballkani, portet shqiptare ...

Diel, 06 September 2020 18:23

sh-kryeministri i Shqipërisë e konsideron si ngjarje historike marrëveshjen për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Ka thënë se të dyja palët kanë fituar, ndërsa Kosova ka lëshuar pe te mini-Shengeni pasi i është kërkuar nga aleati i shqiptarëve, ShBA-ja.

Megjithatë, Sali Berisha thotë se situata aktuale ishte që asnjëra palë s’mund të fitonte gjithçka. Për njohjen nga Izraeli, ai thotë se e ka simbolikën e fuqishme pasi e tregon angazhimin amerikan për ngritjen e shtetit të Kosovës.

 
 
 

Ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, nuk e ka asnjë dyshim se marrëveshja për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë është historike. Ka argumentuar se kjo marrëveshje s’ishte për njohje reciproke.

 
 
 

Berisha ka thënë se rrethanat aktuale nuk mundësojnë që dikush t’i fitojë të gjitha, ndërsa dikush të mos marrë asgjë nga marrëveshja.

 
 

 ‘…por kjo ishte marrëveshje ku të dyja palët fitojnë duke lëshuar diçka’, ka thënë Berisha në një bisedë për Express.

Ish-kryeministri shqiptar ka thënë se marrëveshja ka vlerë edhe për faktin se u firmos në Shtëpinë e Bardhë dhe me praninë e drejtpërdrejtë të Presidentit Trump.

Ai ka gjetur edhe diçka në të cilën Presidenti Vuçiq do të ndëshkohet nga ultranacionalistët serbë.

 ‘Marrëveshja u firmos nga dy palë të barabarta. Presidenti serbomadh, Vuçiç, për shkak të intolerancës ndaj simboleve të Kosovës së pavarur, i dorëzoi simbolet e shtetit të tij. Kësaj i thonë kërkoi të nxjerrë vetullat, por la dhe sytë. Ultranacionalistët serbë nuk do t’ia falin ndonjëherë këtë akt kapitullant serbomadhit Vuçiç’, ka paralajmëruar Berisha.

Në Kosovë dhe Serbi ka pasur komente të ndryshme se kush humbi dhe kush fitoi nga marrëveshja e Uashingtonit. Vuçiçi ka thënë se e kanë marrë maksimumin, ndërsa Hoti ka thënë se po shkohet drejt njohjes reciproke.

Në këtë mes, Sali Berisha sheh edhe diçka të mirë në marrëveshje pasi s’u përmendën fare rezolutat e OKB-së, të cilat ende e njohin Kosovës si pjesë të Serbisë.

Veç kësaj, Berisha ka thënë se ujdia e Uashingtonit do ta transfromojë infrastrukturën e Kosovës dhe të Shqipërisë.

 ‘Marrëveshja nënkupton mundësinë e realizimit të lidhjes hekurudhore Durrës – Prishtinë. Në vitin 2005 e në vazhdim, unë jam angazhuar politikisht shumë për hekurudhën Durrës-Prishtinë. Për këtë çështje kam diskutuar në mënyrë të përsëritur me autoritetet e Kosovës, por edhe miq dhe partnerë tanë. Ideja e saj, por edhe pikëtimi i trajektores së hekurudhës që e lidh Kosovën me Shqipërine ka qenë projekt i Austro-hungarisë. Unë jam përpjekur, por pa sukses, që ta gjej projektin e saj në arkivat e Austrisë. Ne takimin që kam pasur së fundi me kryeministrin Hoti, e kam ngritur dhe e kemi diskutuar këtë çështje kryesore’, ka shtuar Berisha.

Berisha ka thënë se i vjen mirë që Kryeministri e vendosi çështjen e hekurudhës me Shqipërinë në agjendën e Kosovës.

‘Marrëveshja nënkupton që portet e Shqipërisë të bëhen më të rëndësishme në rajon dhe kjo është një fitore për kombin’, ka shtuar Berisha.

Berisha ka thënë se edhe marrëveshja për të zhdukurit është në të mirë të Kosovës pasi pala shqiptare i ka të gjitha dokumentacionet për personat e zhdukur, kurse Serbia veç pretendime të pabazuara.

Sidoqoftë, në Kosovë ka pasur kritika më së shumti për Ujmanin. Madje, ka pasur akuza se kjo pjesë e Kosovës i është dhënë Serbisë në marrëveshjen e Uashingtonit.

Sidoqoftë, Sali Berisha ka një shpjegim krejt tjetër për liqenin me të cilin furnizohet një pjesë e Kosovës me ujë dhe që shërben për punën e KEK-ut.

‘Meqenëse rezervuari shtrihet në rreth 15% të tij në territorin e Serbisë, për ata që e njohin çështjen e ujërave, është jashtë çdo diskutimi që për shfrytëzimin e tyre kërkohet marrëveshje midis palëve. Nuk qëndrojnë dhe nuk ka asnjë argument për krahasimet që bëhen me kufij në territore tokësore, sepse është krejt tjetër rasti i rezervës ujore. Në të gjitha rastet, problemet e ujërave kufitare, shfrytëzimit të tyre zgjidhen, vendosen me marrëveshje bilaterale. Në këtë kontekst, shprehjen nga të dy palët të gadishmërisë për t’ia besuar këtë çështje ShBA-së unë e konsideroj zhvillim pozitiv për Kosovën’, ka vlerësuar ai.

Ish-shefi i shtetit shqiptar ka folur edhe për njohjen e Izraelit. Ka thënë se fakti se njohja u kumtua në Zyrën Ovale të Presidentit Trump shënon simbolikë të fuqishme.

 ‘Marrëveshja kishte një tjetër moment kulmor historik, lajmin që e dha Presidenti Trump në Zyrën Ovale për njohjen e Kosovës nga Izraeli dhe lidhja e komunikimit nga kjo Zyrë, në prani të Presidentit Trump, e kryeministrit Hoti me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dëshmi kjo e një angazhimi direkt të vetë presidentit për realizimin e këtij akti shumë të rëndësishëm për Kosovën’, ka shtuar Berisha.

Berisha ka thënë se e ka kuptuar si lëshim të Kosovës pranimin e minishengenit, por thotë se kjo është normale, kur kërkesa vjen nga aleati më i madh i shqiptarëve.

 ‘Marrëveshja shënon ndryshim në qëndrimin e qeverisë së Kosovës për minishengenin, dmth pranimin e tij. Gjithashtu, është pranuar që Kosova të heqë dorë për një vit nga kërkesa për anëtarësim në organizatat ndëkombëtare, por jo për njohje të reja nga vende të tjera të botës. Kurse Serbia në këtë rast luan me bllofin, zotohet se nuk do të lobojë kundër njohjeve të Kosovës. Pra, pa dyshim që kemi të bëjmë me dy lëshime të kërkuara nga aleati më i madh i kombit shqiptar’, ka deklaruar njeriu që e ka udhëhequr Shqipërinë më së gjati prej kohës kur ka rënë komunizmi atje.

Berisha ka dhënë edhe një shpjegim pse Kosova s’u bë pjesë e minishengenit në kohën kur Edi Rama e Aleksander Vuçiqi e nisën këtë projekt. Ka thënë se Kosova ishte eliminuar në takimin e Novi Sadit, prandaj edhe udhëheqësit e Kosovës e kishin refuzuar këtë nismë.

 ‘Lidhur me minishengenin, e vërteta është se në dijeninë time, qeveria e Kosovës nuk u ftua në Novi Sad, sepse prania e Kosovës dhe e simboleve të saj në takim nuk tolerohej nga Vuçiqi dhe argati i tij, Zografi Bis, e preu në besë Kosovën duke marrë pjesë në atë Samit. Angazhimi i presidentit të ShBA-së mendoj se është garanci që Serbia të mos mund të abuzojë me këtë projekt’, ka shtuar ai.

Berisha ka thënë se marrëveshja në Uashington është historike pasi normalizon marrëdhëniet ekonomike me Serbinë dhe u jep rrezatim të fuqishëm Shqipërisë dhe rajonit, nëse e njëjta gjen zbatim.

Berisha edhe në këtë bisedë e ka përmendur rrezikun në rast se kjo marrëveshje do të nënshkruhej në kohën kur Presidenti i Kosovës ishte i lirë dhe nuk e kishte barrën e aktakuzës nga Specialja.

‘Duke e mbyllur, ftoj çdo qytetar të Kosovës të përfytyrojë për një moment se cila do të kishte qenë marrëveshja e firmosur nga Miladini Shqipfolës, Zografi Bis, dhe padroni i tyre, Vuçiç, me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Bolton’, ka deklaurar Berisha.

/Gazeta Express

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...