Detaje nga takimi në Bruksel, BE del me deklaratë: Hoti dhe Vuçiç zotohen se …

Hënë, 07 September 2020 11:21

 

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u zotuan se do t’i japin prioritetin më të lartë integrimit në BE dhe vazhdimit të punës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Ata e bënë këtë zotim te përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga BE-ja.

“Ata gjithashtu u zotuan se do t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për të siguruar rreshtimin e mëtejshëm krah BE-së, në përputhje me detyrimet e tyre përkatëse”, thuhet në deklaratë.

Hoti dhe Vuçiç përballen sot në një rreth të ri të bisedimeve në Bruksel, të ndërmjetësuara nga Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak

Javën e kaluar, në Shtëpinë e Bardhë, Hoti dhe Vuçiç kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizimin ekonomik, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

“Në këtë aspekt, dokumentet për të cilat është rënë dakord së voni në Uashington, duke u mbështetur në angazhimet e mëparshme të palëve lidhur me dialogun, mund të japin një kontribut të dobishëm për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme, për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në deklaratën e lëshuar të hënën nga BE-ja.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh në vitin 2011.

Ai është ndërmjetësuar vazhdimisht nga BE-ja dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Të dielën, Hoti ka thënë se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë arrihet vetëm kur të ketë njohje reciproke.

Modifikuar më Hënë, 07 September 2020 11:40
Login to post comments