Gjobat 154 mln euro në arbitrazh/ 'Faturën e kripur do e paguajnë qytetarët'

Tuesday, 08 September 2020 19:30

154 milionë euro është totali i gjobave që ka humbur Shqipëria në arbitrazhet ndërkombëtare në 8 muajt e pare të këtij viti. Paratë do te paguhen nga buxheti i shtetit, ndërkohë bëhet fjalë vetëm për dy çështje, për gjyqin që Shqipëria humbi në arbitrazh ndaj biznesmenit Italian Francescho Bechetti dhe gjyqin që u fitua po në arbitrazh nga kompania greke Aktor për rrugën Tiranë-Elbasan.

Ish-avokatja e shtetit Ledina Mandija thotë për News 24 se faturën e lartë do ta paguajnë taksapaguesit shqiptarë dhe kërkon që shuma të tilla të paguhen nga personat të cilët kanë prishur këto kontrata të kripura.

“Është e pafalshme pavijushmëria e qeveritare që veprojnë në mënyrë të tillë. Kuptohet që para se të hiqet një licencë dhe para se të prishet një kontratë duhet të bëhet një analizë se ku të çon e gjithë kjo. Do të thotë që fatura paguhet nga taksapaguesit por në të vërtetë duhet të paguhet nga personat të cilët janë të përfshirë në ngritjen e kësaj skeme abuzive për heqje licence apo prishje kontrate. Duhet të ketë edhe përgjegjësi civile”, deklaron Mandija.

Ish-avokatja e shtetit kërkon nga qeveria që të ketë më shumë transparencë në lidhje me çështjet e dërguara në arbitrazh.

“Qeveria asnjëherë nuk ka bërë transparencë numrin e çështjeve të arbitrazh ashtu siç nuk ka bërë transparente dhe çështjet e humbura. Mund të ketë dhe çështje të tjera të cilat nuk i dimë. Arbitrazhet janë konfidenciale dhe nuk jepen të dhëna gjatë kohës së gjykimit. Për më tepër që në arbitrazhin e investimeve duhet edhe vullneti i palës tjetër për të bërë të mundur publikimin e këtyre vendimeve. Në arbitrazhin tregtare është më pak mundësi për të ditur dhe për të marr dijeni në lidhje me vendim”, deklaron ajo.

Me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK, avokatja Mandija kërkon një hetim të thellë për mënyrën sesi janë prishur këto kontrata për të cilat faturën do të paguajnë taksapaguesit shqiptar.

“Organet e hetimit duhet të hetojnë mënyrën sesi janë prishur këto kontrata dhe mënyrën sesi janë mbrojtur interesat e shtetit shqiptarë në arbitrazh ndërkombëtar mund të ketë dhe raste që mund të prishen me qëllim në mënyrë që nesër të fitojnë çështje të tilla dhe të marrin miliona”, u shpreh ish-avokatja e Shtetit.

Nga viti 2014 në total fatura e gjobave që i është ngarkuar buxhetit të qeverisë shqiptare për shkak të humbjeve në gjykatën ndërkombëtare të Arbitrazhit me çështje të mëdha shkon në 260 milionë euro.

Login to post comments