“Koha për të menduar djathtas”

Tuesday, 08 September 2020 23:22

Nga Ardit Gjinali

Diskutimi  mbi  efektivitetin  e  parimeve  kryesore  të ideologjisë  së  të djathtës mund  të ngjasojë  në  tipare abstrakti  përballë  vakuumit thelbësor  demokratik që po  përjeton shoqëria shqiptare ; vakuum  që  thellohet  në funksion  të  emergjencës  demokratike.  Vendi   po  përjeton statusin  e një gjendjeje të emergjencës demokratike;  institucione  të  munguara,   marrëveshje politike  të  prishura, deformim  i  vazhdueshëm  i  vullnetit qytetar,  keqqeverisje  e  shoqëruar  me  mungesën  tërësore të  llogaridhënies  dhe  transparencës.; papunësi dhe varfëri në rritje; kufizim tërësor i lirive ekonomike si parathënie për kufizimin dhe të të tillave politike, gjithashtu.

Largimi  i gjendjes  së  emergjencës demokratike dhe mbushja e vakuumit demokratik që frenon autokracinë mbetet  një  sfidë thelbësore; e tilla që fitohet duke mos  humbur  dhe rrëzuar  pritshmëritë  e  të  jetuarit  në  një shoqëri  normale, si qytetarë normal dhe me një  qeverisje normale, gjithashtu.

Diskutimi  mbi parimet  e ideologjive  sot , zbatueshmëria e të cilave  përbën boshtin e një qeverisjeje  normale  nesër  është  thelbësor; –  një shoqëri  që  hesht së diskutuari mbi  ideologjitë dhe parimet e ndryshme  politike  shënon  pushimin e së ekziktuarit efektiv të saj; lëshon terrenin  e lirë politik për lindjen  dhe zhvillimin  e qeverisjeve  politikisht  anomalike ; të tillat  që influencojnë dhe në shndërrimin e sistemit në një demokraci hibride, gjithashtu.  Shqipëria po klasifikohet si e tillë, “një demokraci hibride” , ku  raporti i Freedom  House i  publikuar  më  Maj 2020, i titulluar “ Kombet në ndryshim 2020- rënia e fasadës demokratike” nuk  është  shumë i largët në kohë; e klasifikonte Shqipërinë vetëm  47 %  demokratike  me  3.82 pikë nga 7 të mundshme  për  progresin  demokratik,  lirinë dhe të  drejtat e  njeriut,  gjithashtu.

Emergjenca demokratike thellohet me spiralen negative të keqqeverisjes  e cila si një rrjetë e thellë merimange po tenton helmimin e çdo qelize të shëndetëshme shoqërore; përmes inspirimit të praktikave negative të qeverisjes si korrupsioni sistematik, nepotizmi, evokimi i parimit të barazisë së rremë shoqërore, qasja  armiqësore ndaj biznesit përmes taksimit të padrejtë  , goditja ndaj tregut të lirë  përmes injektimit të parasë nga burime të dyshimta , goditja ndaj kapitalit dhe evokimi  i  ndasive  shoqërore përmes  sponsorizimit  të  propagandës negative  ndaj sipërmarrjes.

Qeveria e  vogël, taksa e sheshtë,   barazia  e  shanseve,  liria individuale si bazë për lirinë shoqërore,  qasja pozitive dhe mbështetëse ndaj sipërmarrjes,  vlerësimi real  i fuqisë dhe magjisë së tregut,  dimensioni  njerëzor ndaj  fuqisë punëtore,  mbështetja  thelbësore ndaj të  pamundurve  përbëjnë disa nga elementët kryesorë që do të ndërtonin  një  shoqëri  të  drejtë  larg  parimit të gënjeshtërt  dhe  propagandistik  të  barazisë që thellon  pabarazinë dhe godet  drejtësinë sociale, gjithashtu.  Realiteti  dhe  dinamika negative e  zhvillimeve  negative  të së sotmes imponon  pozitivisht  zhvillimin  e  një  qasjeje pozitive  ndaj parimeve  të  shkruara më lart;  parime të mirëqeverisjes  që   sjellin dhe garantojnë  lirinë e shoqërisë dhe hapjen e individit.

Sot po goditen të arriturat e individit të lirë, i tilli që performon suksesshëm  pavarësisht influencave të pushtetit; goditje që  reflektohet në taksimin  e padrejtë progresiv  të punës së të njëjtit duke shkaktuar qëllimshëm  shkurajimin  dhe goditjen e modelit qytetar të  të punuarit meritor dhe të ndershëm.  Taksimi  djallëzor është qëllimi për  thellimin  e pabarazisë shoqërore dhe dobësimin  në kufijtë e mos-ekzistencës së shtresës   së  mesme ; goditja ballore jo vetëm ndaj konceptit teorik të  individit , por gjithashtu si një goditje ndaj lirisë individuale që është temjani për djallëzinë politike të keqqeverisjes  që tenton  instalimin  e  autokracisë.

Errësira autokratike e së sotmes nuk mund  të  shkurajojë  vizionin e sotëm  për  të nesërmen e  një Shqipërie  normale; një Shqipëri e ditëve më të mira  që mund të kultivojë  një mendësi ndryshe të bazuar mbi parimet e lirisë në çdo dimension të saj; mbi parimet e mirëqeverisjes dhe barazisë përpara ligjit,  për një Shqipëri ku shtresa e mesme duhet të jetë lokomotiva që inkurajon  zhvillimin ekonomik dhe  zvogëlon  pabarazinë.

Modifikuar më E mërkurë, 09 September 2020 10:20
Login to post comments