Raporti i DASH për klimën e investimeve/ Presidenti Meta: Konkluzione tronditëse! Koha që shqiptarët të marrin në dorë fatet e tyre

E Enjte, 10 September 2020 14:23

 

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar pas publikimit të raportit të DASH për klimën e investimeve në Shqipëri. Meta i cilëson konkluzione tronditëse dhe thekson se ky raport vjen në një kohë kur shoqatat e biznesit, Dhomat e Tregtisë, përfshi dhe atë Amerikane, kanë ngritur në mënyrë të përsëritur shqetësimin në lidhje me përkeqësimin e klimës së biznesit dhe të investimeve.

Kreu i Shtetit thekson se në këtë klimë mbytëse për investitorët e brendshëm dhe të huaj, kur PPP-të dhe tenderat janë përqëndruar vetëm në një grusht oligarkësh, në kushtet e tentativave për amnisti fiskale korruptive, si dhe të mungesës së transparencës në sistemin e prokurimeve, është domosdoshmëri kthimi i ekonomisë në normalitet në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.

 

Meta kujton dhe thirrjen publike prej muajsh për Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) për të nisur hetimet për të gjitha procedurat e propozimit dhe shqyrtimit të këtyre ligjeve.

 

“Procesi ligjbërës dhe interesat klienteliste nuk mund të fusin në qorrsokak procesin e integrimit dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Është koha që shqiptarët të marrin në dorë fatet e tyre!”, deklaron Meta.

 

DEKLARATA E PRESIDENTIT
Shqipëria perceptohet në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit si vendi me korrupsionin më të lartë në Ballkanin Perëndimor, ku klima mbytëse e të bërit biznes është përkeqësuar nga vendimet arbitrare e politikat fiskale jo transparente dhe klienteliste që cënojnë konkurrencën dhe sipërmarrjen e lirë.

 

Sipas konkluzioneve tronditëse të DASH “investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri. Përdorimi në rritje i kontratave të Partneritetit Publik Privat (PPP) ka ulur mundësitë e konkurrencës, përfshirë investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave informale të biznesi. Të drejtat e pronës vazhdojnë të jenë një sfidë sepse titulli i qartë është i vështirë për t’u fituar. Ka pasur raste që individë dyshohet se manipulojnë sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës”.

Ky raport vjen në një kohë kur shoqatat e biznesit, Dhomat e Tregëtisë, përfshi dhe atë Amerikane, kanë ngritur në mënyrë të përsëritur shqetësimin në lidhje me përkeqësimin e klimës së biznesit dhe të investimeve.
Edhe Banka Botërore në raportin e saj të Doing Business ka ngritur me shqetësim rritjen e barrës fiskale dhe ndryshimet e shpeshta në aktet ligjore dhe nënligjore.
Ndërsa Fondi Monetar më herët ka ngritur me shqetësim rrezikun nga rritja e numrit dhe të kostos së PPP-ve, si dhe rritjen e borxhit publik si pasojë e tyre.

 

Sjell në vëmendje se shumë dekrete për kthimin e ligjeve që denoncojnë antikushtetutshmërinë e tyre, cenimin e interesit publik e kombëtar, si dhe cenimin e financave të shtetit me ligje speciale me efekt favorizues për një grup të caktuar individësh janë rrëzuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Procesi ligjbërës po shpërdorohet haptazi, në mënyrën më flagrante të mundshme, ku tashmë nuk po shkelet ligji për të kryer favore, por po bëhen ligje të posaçme për t`i realizuar ato.

 

Në këtë klimë mbytëse për investitorët e brendshëm dhe të huaj, kur PPP-të dhe tenderat janë përqëndruar vetëm në një grusht oligarkësh, në kushtet e tentativave për amnisti fiskale korruptive, si dhe të mungesës së transparencës në sistemin e prokurimeve, është domosdoshmëri kthimi i ekonomisë në normalitet në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.

 

I kam bërë thirrje publike prej muajsh Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) të nisë hetimet për të gjitha procedurat e propozimit dhe shqyrtimit të këtyre ligjeve për të vënë përpara përgjegjësisë autorët, të cilët përmes ligjit duan të përmbushin qëllimet e tyre favorizuese klienteliste.

Ende nuk kam marrë asnjë përgjigje dhe ende nuk ka asnjë hetim! Procesi ligjbërës dhe interesat klienteliste nuk mund të fusin në qorrsokak procesin e integrimit dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Është koha që shqiptarët të marrin në dorë fatet e tyre! 🇦🇱

Login to post comments