Organizatat i kërkojnë parlamentit të ndërpresë përpjekjet për “paketën anti-shpifje”

Premte, 11 September 2020 19:09

Pesëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile  i bënë thirrje Kuvendit të Shqipërisë të premten të mos vijojë me planet për të miratuar ligjin për rregullimin e medias online në bazë të dekretit të Presidentit, por të nisë procesin nga e para për të reflektuar në tërësi shqetësimet e ngritura nga Komisioni i Venecias.

BIRN

  

Tre muaj pasi Komisioni i Venecias publikoi një analizë sakatuese ndaj një ligji të qeverisë “Rama” që synon të krijojë kontroll administrativ mbi median online, shumica socialiste në Kuvendin e Shqipërisë dhe vetë Rama duket se janë vënë sërish në lëvizje për të miratuar ligjin, një lëvizje që shtyu pesëmbëdhjetë organizata të bëjnë thirrje për ndërprerjen e kësaj përpjekjeje të re për krijimin e asaj që kritikët e quajnë një sistem të censurës dhe kërcënimit ndaj medias online.

 
 
 

Organizatat thonë se teknika e përdorur nga parlamenti, ajo e shqyrtimit të dekretit të Metës për kthimin e ligjit për rishqyrtim, po kryhet në tejkalim të afateve të sanksionuara në Rregulloren e Kuvendit si dhe në sfidë ndaj disa prej vërejtjeve më të rëndësishme të Komisionit të Venecias.

 
 

“Trajtimi nga ana e ligjvënësve i vetëm shqetësimeve të ngritura nga dekreti i Presidentit do të sillte injorimin e disa vërejtjeve shumë serioze të ngritura nga Komisioni i Venecias dhe për rrjedhojë, do të krijonte një ligj problematik dhe cenues të lirisë së shprehjes,” shkruhet në deklaratën e organizatave.

Dekreti i Presidentit

Kuvendi i Shqipërisë miratoi dhjetorin e vitit të kaluar mes protestave nga qytetarët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut një ligj që krijon një kontroll administrativ të përmbajtjes së medias online, në një nismë të ndërmarrë nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili thotë se këto masa nevojiten për të luftuar shpifjen në internet. Miratimi i ligjit nga shumica socialiste u krye pavarësisht kritikave të hapura publike nga Komisioni Europian dhe Këshilli i Europës.

Presidenti Ilir Meta e ktheu ligjin për rishqyrtim parlamentar duke e konsideruar atë si antikushtetues në disa aspekte ndërsa lavdëroi disa aspekte të tjera, të tilla si krijimi i një regjistri administrativ të medias online.

Socialistët deklaruan se do ta rrëzonin dekretin e Metës me votë në parlament por më 30 Janar, pasi Këshilli i Europës dorëzoi një kërkesë për opinion mbi ligjin në Komisionin e Venecias për Demokraci përmes Ligjit, Partia Socialiste u tërhoq nga rrëzimi i dekretit të Metës dhe pranoi të presë opinionin. Në qershor, Komisioni i Venecias e shpalli ligjin të papërshtatshëm ndërsa argumentoi se ai mund të përdorej mes të tjerësh nga oligarkët për të sulmuar lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes.

I palëkundur në dëshirën e tij, Rama e shpalli opinionin e Venecias si “këshilla të çmuara” ndërsa deputetët socialistë të Komisionit të Medias raportohet se po punojnë për të kryer disa ndryshime në draft.

Problemi është se ndryshimet në draft po bëhen në kuadër të nenit 86 të Rregullores së Kuvendit, e cila thotë se Parlamenti bën ndryshime në një ligj të kthyer nga Presidenti vetëm për ato shqetësime që ka ngritur presidenti.

Organizatat e konsiderojnë këtë një anashkalim të disa prej vërejtjeve kryesore të Komisionit të Venecias.

“Organizatat vërejnë se kjo është mënyra e gabuar e trajtimit të problemit dhe nuk adreson shqetësimin kryesor të ngritur nga Opinioni i Komisionit të Venecias. Për rrjedhojë, organizatat i bëjnë thirrje Kuvendit të Shqipërisë të pranojë dekretin e Presidentit dhe të rinisë procesin nga e para në mënyrë që një nismë e tillë ligjore të ndërmerret vetëm pasi të jemi siguruar për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe standardeve ndërkombëtare mbi lirinë e shprehjes,” thuhet në deklaratën e organizatave.

Vërejtjet e Venecias

Organizatat vërejnë në deklaratë se shqetësimet e ngritura nga Komisioni i Venecias janë shumë më të gjera se sa vetë ligji “anti-shpifje” i Ramës dhe si të tilla, nuk mund të trajtohen me ndryshime të thjeshta ligjore.

Komisioni i Venecias, në opinionin e vet në pikën 71 shkruhet: “[Komisioni] këshillon kundër zgjerimit të mandatit të AMA në fushën e medias online pa një fuqizim korrespondues të pavarësisë dhe profesionalizmit të këtij institucioni.”

Organizatat vërejnë se pavarësia dhe profesionalizmi i këtij Institucioni të pavarur (AMA) që Venecia rekomandon, nuk garantohet me korrektime në legjislacion, aq më tepër në kushte të urgjencës/shpejtësisë, por kërkon një debat të mirëfilltë që më së pari duhet te vijë si nismë e vetë gazetarëve profesionistë dhe jo e ekzekutivit/parlamentit.

Organizatat rikujtojnë gjithashtu se në pikën 72 të opinionit, Venecia rekomandon trajtimin e problemit të sjelljes dashakeqe dhe të papërgjegjshme në internet përmes vetërregullimit dhe jo rregullimit administrativ, gjë që tregon se përpjekja e parlamentit për të çuar përpara këtë ligj bie ndesh me opinionin e Venecias.

Për këto arsye, organizatat i kërkojnë parlamentit të mos vijojë me planet për të korrigjuar ligjin aktual por të nisë punën në reflektim në tërësi të opinionit të Venecias, përfshirë nxitjen e vetërregullimit të medias si dhe përpjekjet për të bërë efikase mekanizmat aktualë ligjorë, në veçanti, atyre gjyqësorë për trajtimin e shqetësimeve të qeverisë.

Lista e organizatave nënshkruese:

BIRN Albania

Civil Rights Defenders

Citizens Channel

Faktoje

Grupi Shqiptar për të drejtat e njeriut

Këshilli Shqiptar i Medias

Komiteti shqiptar i Helsinkit

Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë

New Media Network

Qendra Res Publica

Qendra Shqiptare MediaLook

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë

Shoqata e Gazetarëve Europianë të Shqipërisë

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...