4+ vjet e shumë Ambasadorë më parë, me 140 vota u miratua në Kuvendin e Shqipërisë Reforma në Drejtësi.
Qysh atëhere e deri sot Shqipëria nuk është më shtet. Nuk ekziston një shtet pa Gjykata. Shteti pa Gjykata është thjesht Pushtet.
Sot, pas 4+ vjetësh e shumë Ambasadorëve të rinj, ne, qytetarët shqiptarë, nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë dhe Gjykatë të Apelit. Pushteti, në mungesë të Shtetit mund t'u bëjë çdo fantazi të vetën në kurriz të qytetarëve, pronës së tyre, lirisë së tyre, të drejtave të tyre themelore ... Kjo ka ndodhur e po ndodh përditë.
Fuqirave të mëdha, fakti nëse ne jemi Shtet apo Pushtet nuk i bën përshtypje. Ato nuk e kanë pas problem të takohen dhe me Zanin kur e ka lypë nevoja e tyre. ...
Po ne? Pse nuk dalim në rrugë të kërkojmë Gjykatat, drejtësinë?
Mendoj se arsyeja pse ne nuk na rruhet për Gjykatat është se në themel të mobilitetit tonë social, ose ndryshe biznes-planit tonë për të arritur suksesin në jetë, nuk është drejtësia dhe gara e barabartë, por favori dhe fitorja pa garë!
Për të realizuar këtë nuk hyn në punë shteti, mjafton partia dhe pushteti. Këto të dy të fundit i kemi, siç shihet këto 4 vjet të fundit, s'ka nevojë ta komplikojmë më tepër.
Megjithatë, prapë them se nuk i kemi punët mirë hiç. Mendoj edhe se nuk ka pse të zhvillohen zgjedhje të përgjithshme apo lokale pa patur Gjykata më parë. Njeriu duhet të ketë një vend ku të ankohet kur i bëjnë padrejtësi, apo jo?!