Presidenti Ilir Meta që iu rikthye sot konferencave të përjavshme të ditës së premte, risolli në publik tonet e ashpra dhe mesazhet e qarta drejtuar qeverisë.
Meta u shpreh se ishte pro listave të hapura në zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa i kujtoi qeverisë të mos pengonte forcat e tjera politike të hapnin listat.
Në rast se një gjë e tillë ndodh, tha Kreu i Shtetit, vendi është para veprimeve antikushtetuese, siç i quajti ai ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës për reformën zgjedhore. Kjo situatë sipas tij është e ngjashme me një grusht shteti, duke shtuar se sipër saj qëndron grushti i popullit.