Përkujtimi i 75-vjetorit të OKB-së,Meta:Gur themeli bashkëpunimi, Shqipëria përqafoi e zbatoi parimet e kësaj organizate

Hënë, 21 September 2020 21:01

 

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi se Organizata e Kombeve të Bashkuara është një gur themeli bashkëpunimi shumëpalësh. Gjatë fjalës së tij në takimin e Nivelit të Lartë të Përkujtimit të 75-vjetorit të themelimit të OKB, kreu i shtetit pohoi se shqiptarët besojnë thellësisht te kjo organizatë.

Meta, në takimin me temë “E ardhmja që duam, Kombet e Bashkuara që na nevojiten: duke ripohuar angazhimin tonë të përbashkët ndaj multilateralizmit”, tha se Shqipëria përqafoi dhe zbatoi parimet e OKB-së.

 

“Shqipëri përqafoi dhe zbatoi parimet e OKB-së, që për shkak të Kartës së saj themeluese, u angazhuan për të ruajtur e për të zbatuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, për të promovuar bashkëpunimin në zgjidhjen e problemeve sociale dhe ekonomike ndërkombëtare, si dhe për të punuar për barazinë dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Shqipëria është një vend që ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë çdo përpjekje ndërkombëtare në të mirë të paqes dhe sigurisë globale. Për më tepër, vendi ynë ndjek dhe zbaton një politikë konstruktive rajonale, bazuar në parimet e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe respektimin e të drejtave të pakicave.”, tha Meta.

 

FJALA E PLOTE
“Zoti President!
Shkëlqesitë Tuaja,
Zonja dhe zotërinj!

 

Kombet e Bashkuara, të lindura nga hiri i Luftës së Dytë Botërore, u krijuan për të shpëtuar brezat e ardhshëm nga murtaja e luftës, e cila dy herë, në gjysmën e parë të shekullit XX, i solli njerëzimit një trishtim të papërjetuar më parë.

 

Teksa bashkësia ndërkombëtare ka qenë në gjendje të parandalojë shpërthime ushtarake të përmasave të mëdha që u panë gjatë shekullit të kaluar, të gjitha shtetet anëtare në këtë 75-vjetor të Kombeve të Bashkuara po përballen me një armik të ri dhe të padukshëm të përmasave globale.

Pandemia COVID-19 e ka zhytur botën në një krizë të ashpër shëndetësore dhe ekonomike, e një lloji të tillë që nuk ishte parë prej gati një shekull.

 

Gjithsesi, ndryshe nga përvojat e Luftërave Botërore, kësaj radhe jemi të tërë bashkë në një front, të gjithë duke luftuar kundër pandemisë globale të COVID-19.

Me një udhëheqje të mirë politike dhe profesionale, me një solidariteti të madh, me një koordinim më të mirë si dhe një menaxhim të mençur, ne mundemi dhe do t’ia dalim mbanë me sukses! Do të kemi sukses, pasi zotërojmë instrumente dhe mekanizma shumëpalëshe, të mishëruara në Kombet e Bashkuara dhe në agjencitë e saj të specializuara, të cilat sot gëzojnë një përvojë 75-vjeçare.

 

Besojmë thellësisht se Kombet e Bashkuara, edhe 75 vite pas themelimit të tyre, mbeten ende gurthemeli i një bashkëpunimi shumëpalësh të bazuar në rregulla, nga i cili përfiton bashkësia globale si e tërë. Ne kemi nevojë për të trajtuar defiçitin e besimit, si në gjirin e OKB-së ashtu edhe në një kontekst më të gjerë multilateral.

Për shkak të këtij defiçiti, vendet po e humbin besimin te institucionet shumëpalëshe, veçanërisht te OKB-ja. Konsensusi i arritur me Deklaratën Politike për përkujtimin e 75-vjetorit të Kombeve të Bashkuara është një shenjë e qartë e vullnetit tonë të mirë dhe aftësisë sonë për të punuar së bashku, që të rindërtojmë një ngrehinë arkitekturore multilaterale edhe më të fortë, më të përgjegjshme, më efikase dhe më të qëndrueshme.

Zoti President,
Që nga fillimi, Shqipëria e përqafoi këtë organizatë të shquar në të gjithë botën si dhe u bë anëtare e saj në 1955.

Shqipëri përqafoi dhe zbatoi parimet e OKB-së, që për shkak të Kartës së saj themeluese, u angazhuan për të ruajtur e për të zbatuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, për të promovuar bashkëpunimin në zgjidhjen e problemeve sociale dhe ekonomike ndërkombëtare, si dhe për të punuar për barazinë dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Shqipëria është një vend që ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë çdo përpjekje ndërkombëtare në të mirë të paqes dhe sigurisë globale.

Për më tepër, vendi ynë ndjek dhe zbaton një politikë konstruktive rajonale, bazuar në parimet e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe respektimin e të drejtave të pakicave.

Vendi im ndan plotësisht vizionin për një rajon më të sigurt, me një perspektivë të qartë evropiane si dhe me mekanizma gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme për t’iu kundërvënë e për të luftuar edhe kërcënimet e reja të sigurisë. Kandidatura e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vitet 2022-2023, është një zotim për t’u angazhuar në të gjitha përpjekjet që synojnë ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare, për të mbështetur zhvillimin e demokracisë dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

Ne besojmë fort se multilateralizmi efektiv dhe qasja gjithëpërfshirëse është mënyra e vetme për të sfiduar dhe kapërcyer çështje jashtëzakonisht të ndërlikuara që lidhen me mbajtjen dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë së bashkësisë ndërkombëtare.

Në këtë drejtim, ne mbështesim fuqimisht vizionin dhe axhendën ambicioze të reformave të Sekretarit të Përgjithshëm për të reformuar tri shtyllat e sistemit të OKB-së.

Ne jemi të sigurt se një OKB e reformuar do të prodhojë një qasje më të integruar në mbarë sistemin për të përmbushur Axhendën 2030, si dhe për t’u siguruar që askush të mos mbesë prapa.

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, më lejoni të theksoj se konfliktet nuk do të zgjidhen dhe nuk do të kemi dot zhvillim të qëndrueshëm, pa pjesëmarrjen e barabartë dhe aktive në të gjitha nivelet të grave dhe të të rinjve. Për më tepër, të drejtat e njeriut nuk mund të respektohen kurrë plotësisht në se ato nuk gëzohen dhe mbulojnë gjithashtu të gjitha shtresat e shoqërive tona. Zoti President, në përfundim unë do të dëshiroja që në këtë përvjetor të rëndësishëm, të shpreh mirënjohje për të gjitha gratë dhe burrat që kanë shërbyer nën flamurin e OKB-së, si dhe nderimin dhe respektin për të gjithë ata që kanë paguar çmimin më sublim duke rënë në krye të detyrës!”.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...