-Kryeministri dje në një takim me drejtuesit politik të 12 qarqëve ka urdhëruar shkarkimin e çdo drejtori në administratë, që nuk siguron vota me thasë për Rilindjen. Në PS ka filluar mobilizimi total i bandave, ministrave, deputetëve, drejtorëve dhe krimit të organizuar për të siguruar votat që kërkon Udhëheqësi i Surrelit. Por nuk ka asnjë shans që Rilindja të mbajë pushtetin, pasi çdo sondazh e nxjerr humbëse të madhe në prill 2021.
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar mbrëmë një takim me drejtuesit politik të 12 qarqeve të vendit. Qëllimi i mbledhjes partiake ishte analiza për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Në takim, kryeministri ka përsëritur kërkesën për arritjen e objektivit të PS-së për marrjen e 74 mandateve. Gjithashtu, nuk kanë munduar dhe porositë speciale për çdo drejtues të qarqeve. Edhe pse keqqeverisja e Rilindjes është njëlloj në të gjithë vendin, sipas kryeministrit në Jug sondazhet tregojnë mbështetje të PS-së, ndërsa në qarqet e Veriut ka rënie në elektorat. Kryeministri u ka kërkuar drejtuesve politikë që të monitorojnë drejtorët e administratës në të gjithë vendin dhe ka paralajmëruar se ata që nuk u shërbejnë qytetarëve do të shkarkohen. Më saktë ata që nuk sjellin vota apo nuk vjedhin votat do shkarkohen!
Një kryeministër që kujtohet për drejtorët që nuk punojnë mirë në fund mandatit, praktikisht i bie që në 8 vite nuk di çfarë ka bërë administrata e tij. Sepse që shumica e drejtorëve të PS nuk janë në detyrë për të punuar, por për të zbardhur urdhrat e partisë kjo dihet. Ndaj dhe thirrja sot për largime drejtorësh me rezultate jo të mira duket si një qëndrim populist. Në dy mandate qeverisëse nuk mund t’ua hedhësh fajin e dështimeve disa drejtorëve të emëruar.
Kërcënimi i djeshëm i Edi Ramës për administratën është paksa më ndryshe sesa u raportua nga mediat afër qeverisë. Realisht kryeministri ka kërkuar largime drejtorësh, por jo mbi bazën e rezultateve në punë. Largimet e tyre do të bëhen në bazë të numrit të votave që do të sigurojnë për PS-në gjatë zgjedhjeve. Të deleguarit e Edi Ramës në rrethe kanë parë këto muaj se mes vetë socialistëve ka pakënaqësi për qeverisjen dhe administratën. Për të mos krijuar me shumë çarje në PS, drejtuesit e partisë do të bëjnë ndryshime drejtorësh për të kënaqur edhe ata socialiste që në 8 vite s’kanë parë asnjë ditë pushtet. Por veç manovrave me grupimet brenda partisë, drejtorët e rilindjes janë baza e manipulimit të zgjedhjeve.
Përgjimet në Dibër dhe në Shijak, që u publikuan nga gazeta gjermane “Bild”, treguan se drejtorët e administratës vendore dhe qendrore janë njerëzit që kryejnë manipulimet më të madha pas bandave kriminale. Ata janë përfaqësuesit e PS që vënë në rresht administratën duke e kërcënuar për të votuar partinë. Gjithashtu janë dhe njerëzit që duke shfrytëzuar postin shtetëror, shërbimet ligjore që duhet t’i japin sipas ligjit i ofrojnë si favore në këmbim të votës. Përfituesit kryesor nga korrupsioni i qeverisjes janë drejtorët dhe kupola e rilindjes. Financiarisht, bashkë me bandat kriminale, kjo pjesë e administratës do të mbulojë dhe shpenzimet e fushatës elektorale. Denoncimet e fundit të opozitës flasin dhe për një skemë të re të “patronazhit politik” ku rol kryesor kanë drejtorët e Edi Ramës. Në gjithë administratën janë shpërndarë formularë të PS ku kërkohet regjistrimi i nëpunësve dhe familjarëve të tyre si votues të rilindjes në zgjedhjet e ardhme. Skema kontrollohet nga drejtorët e Edi Ramës dhe secili prej tyre duhet të plotësojë një kuotë të caktuar me emra votuesish. Ndaj dhe kur Edi Rama u kujton drejtorëve që të bëjnë detyrën, për Rilindjen që e di si funksionon skema, “detyra” nënkupton nisjen e procesit të manipulimit të zgjedhjeve. Pas oligarkëve që po u kërkon taksën e “zgjedhjeve” dhe ministrave që i shantazhon rregullisht, dje ishte radha e drejtorëve që të hidhen në sulm për 74 mandate. Sigurisht në lojë janë dhe bandat kriminale, por marrëveshjet me ata nuk bëhen në mbledhje partie, por skutave.
Pas 8 vitëve në pushtet nuk ka asnjë shans për fitore të PS-së, por nëse kapin 55 mandate ata duhet të gëzohen, sepse me këto veprime mafioze që ka kryer pushteti i Rilindjes, as vetë socialistët nuk do të votojnë./