Ministri Gjerman për Evropën, Michael Roth tha dje se konferenca ndërqeveritare për hapjen e negociatave, mund të mbahet brenda dhjetorit, pa shtuar kushte të reja. Maqedonia e Veriut i ka plotësuar kushtet, por mbi Shqipërinë rëndojnë ende 12 të tilla. Ekspertët e çështjeve të integrimit, thanë për MAPO, se çështja kryesore që po fundos negociatat në sytë e Gjermanisë, janë ndryshimet kushtetuese dhe prishja e marrëveshjes së 5 qershorit. Më datë 15 tetor grupi parlamentar i CDU/CSU merr vendimin për Shqipërinë.
Presidenca Gjermane e Bashkimit Evropian është e vendosur që brenda muajit dhjetor të mbajë konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për hapjen e negociatave pa kushte shtesë për të dyja vendet. Aktualisht Maqedonia e Veriut, vlerësohet se i ka plotësuar të gjitha kushtet, përveç bllokimit që i ka bërë Bullgaria, në lidhje me Traktatin e Miqësisë për respektimin e pakicave. Shqipërisë në mbledhjen e Këshillit Evropian në marsin e këtij viti, iu vunë 12 kushte për t’u përmbushur dhe deri më tani tre muaj para dhjetorit nuk ka plotësuar asnjë. Ndërkohë burime diplomatike thanë për MAPO, se në datë 15 tetor, pritet mbledhja e grupit parlamentar të CDU/CSU për të marrë një vendim në lidhje me Shqipërinë. Vetëm pak ditë më parë, kancelarja Merkel dhe deputetët e CDU Whadephul dhe Krischbaum, refuzuan një takim me Ramën për çështjen e integrimit.
Konferenca
Ministri gjerman i shtetit për çështjet Evropiane, Michael Roth, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me zëvendëskryeministrin për çështjet evropiane nga Maqedonia e Veriut, Nikola Dimitrov, pas një takimi që zhvilloi me këtë të fundit u shpreh se Gjermania dëshiron që brenda dhjetorit, të zhvillohet konferenca ndërqeveritare për negociatat pa shtuar kushte të tjera veç atyre të marsit, që përcaktoi Këshilli i Evropës. “Gjatë presidencës kroate ne dërguam një sinjal mjaft pozitiv për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe njësoj me Maqedoninë e Veriut, dhe në momentin që flasim po punojmë në mënyrë intensive që në dhjetor të mund të organizojmë konferencat e para ndërqeveritare në mënyrë që puna të nisë në mënyrë konkrete.
Ne dëshirojmë të jemi ndërmjetës të ndershëm mes partnerëve të ndryshëm dhe dëshirojmë të ndërtojmë ura të sigurta e të besueshme dhe jemi edhe në kontakt, ndër të tjerë, me partnerët bullgarë, pasi duhet të punojmë mbi bazat që kemi vendosur të gjithë, dhe nuk është çështja të shtojmë kritere të reja, kushte të reja, përtej atyre që figurojnë në përfundimet e këshillit dhe në parimet e përbashkëta. Pra, dua t’i bëj thirrje frymës konstruktive të njërit apo të tjerëve, pasi Ballkani Perëndimor nuk është kopshti ynë i pasmë, por kopshti ynë i brendshëm, dhe mendoj se është në interesin e të gjitha vendeve të BE-së, dhe në veçanti në interesin e fqinjëve më të afërm që vendet e Ballkanit të kenë një perspektivë të vërtetë evropiane dhe që në fund të kthehen në një hapësirë të qëndrueshme, të sigurt dhe të paqtë”, tha Michael Roth.
Ekspertët
Por ekspertët e çështjeve ndërkombëtare, shprehen se Shqipëria e ka në limitet e të pamundurës që të marrë hapjen e negociatave nën presidencën gjermane, megjithëse këtë herë ka qenë më pranë se kurrë. Në 24 mars të këtij viti, Komisioni Evropian përcaktoi 12 kushte për t’u përmbushur. Ato kanë të bëjnë kryesisht me Reformën në Drejtësi, Vettingun e gjyqtarëve, ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, azilantët, ligjin për mediat, pastrimin e parave etj. Por pika kryesore ku Gjermania kërkonte një reflektim nga ana e qeverisë shqiptare ishin zgjedhjet, vullneti i qeverisë për të zhvilluar një proces të lirë dhe të pranuar nga të gjitha palët. Si test për këtë, ishte reforma zgjedhore e 5 qershorit por që u përmbys në mënyrë të njëanshme nga ndryshimet që iu bënë kushtetutës më datë 30 korrik.
“Në rast se për kushtet e tjera, mund të ketë hapësira diskutime, pasi janë në proces, ndryshimet kushtetuese janë bërë tashmë fakt dhe gjermanët sidomos kanë qenë shumë të ndjeshëm në këtë pikë. Për ta thënë më qartë, po marrim rastin e Francës, që kishte si kusht kryesor ndalimin e Amnistisë Fiskale. Pavarësisht akuzave, askush s’mund të akuzohet për një proces të panisur dhe ata do jenë të vëmendshëm step by step. Nga ky kusht Franca ka bërë hapa prapa duke ia lënë kohës, pra duke vëzhguar se si do të veprojë apo si do sillet qeveria shqiptare me këtë proces.
Po ashtu dhe Holanda që kishte si kusht krimin e organizuar bëri hapa prapa, pasi askujt s’mund t’i kërkosh të luftojë krimin e organizuar brenda një kohe kaq të shkurtër. Ndërsa çështja e zgjedhjeve është çështje vullneti. Ndryshimet kushtetuese ishin një goditje që iu dha këtij procesi, së bashku me prekjen e marrëveshjes. Ato tregojnë se qeveria shqiptare nuk ka vullnetin për të bërë zgjedhje të lira dhe kjo është e papranueshme për çdo vend demokratik”, -tha një burim diplomatik për MAPO. “Megjithatë, ende ka një shpresë por e gjitha varet nga sjellja e mazhorancës aktuale. E thënë më qartë, të implementojë ndryshimet kushtetuese pa prekur marrëveshjen e qershorit” shton i njëjti burim.
Ndarja
Por në rast se në tetorin e vitit të shkuar, u refuzua për shkak të Shqipërisë, Maqedonia e Veriut këtë herë nuk ka më ndërmend të presë fqinjin e saj perëndimor. Madje, dhe deklarata e zotit Roth, kur foli për mosvendosjen e kushteve shtesë, dukej se kishte të bënte më shumë me këtë vend se sa me Shqipërinë. Për sa i përket çështjes së ndarjes, burime diplomatike saktësojnë për MAPO, se vendet anëtare janë ndarë në dy pjesë. Disa vende si Franca apo Holanda janë që Maqedonia e Veriut të vazhdojë e vetme, ndërsa Gjermania, Austria etj., janë të idesë se procesi duhet të jetë i përbashkët. Por sërish vendet anëtare i bashkon ideja e përbashkët se Shqipëria nuk e meriton hapjen e negociatave, dhe kjo jo për faj të konflikteve të brendshme të BE-së, as për faj të shqiptarëve, por për faj të qeverisë shqiptare. Nga ana e saj vetë Maqedonia nuk ka ndërmend të presë më Shqipërinë e cila ka qenë shumë më e privilegjuar se ajo në këtë proces por tashmë po ndëshkohet për shkak të piruetave dhe sjelljes politike të mazhorancës aktuale.
CDU/CSU
Takimi i zotit Roth me të dërguarin e Maqedonisë për Integrimin vjen vetëm pak ditë pasi, Kancelarja Merkel refuzoi një takim informal, të kërkuar nga Kryeministri Rama. Mediat pranë kryeministrit, e kishin paralajmëruar një takim mes tij dhe kancelares, në postin e kryetarit të OSBE. Në një raport të medies zyrtare Dojçe Vele, e cila u referohej burimeve pranë Bundestagut, shprehej se, s’ka pasur asnjë takim me kancelaren, por bojkotit të saj i janë bashkuar dhe dy prej deputetëve më të rëndësishëm të Bundestagut. “Rama ndodhet në Gjermani për të lobuar te grupi parlamentar më i madh në Bundestag, CDU/CSU, për t’i dhënë Shqipërisë po-në e hapjes së konferencës së parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave me BE-në. Por siç mësoi DW nga qarqet parlamentare pranë CDU/CSU, në takim nuk merrte pjesë as kryetari i grupit parlamentar të Ballkanit Perëndimor nga partia CDU/CSU, Johann Wadphul, dhe as kryetari i Komisionit për BE në Bundestag, Günther Krichbaum” thuhet në lajmin e 18 shtatorit, të Dojçe Vele. Ky refuzim vjen në një kohë kur Bundestagu gjerman pritet të zhvillojë mbledhjen e tij të radhës më 15 tetor, ku si fokus do të jetë hapja e negociatave me Shqipërinë.
Kushtet e Komisionit Evropian, 23 mars 2020
1. Nisja e hetimeve për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar të pushuar nga procesi i vettingut.
2. Rezultate të prekshme për luftën ndaj korrupsioni dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë edhe nisjen e hetimeve dhe përfundimin e hetimeve të para për zyrtarët e lartë dhe politikanët.
3. Progres të prekshëm në reformën e administratës publike, zbatimi i reformës zgjedhore dhe një vendim përfundimtar mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit.
4. Lufta ndaj azilantëve të paligjshëm dhe riatdhesimi i tyre.
5. Ndryshimi i ligjit të medias sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Komisioni do të raportojë mbi këto dy çështje, përfshirë përparimin e bërë gjatë prezantimit të kuadrit ligjor të bisedimeve.
6. Miratimi i reformës zgjedhore në përputhje me kërkesat e OSBE-ODIHR, si transparenca në financimin e partive dhe fushatës zgjedhore, vazhdimi i zbatimit të Reformës në Drejtësi.
7. Përparimi i Reformës në Drejtësi, sidomos procesit të vetingut dhe funksionimit normal të SPAK-ut.
8. Ngritja e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës e Lartë, duke marrë parasysh mendimin e Komisionit të Venecias, dhe ngritja e strukturave të specializuara të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
9. Forcimi i luftës kundër korrupsioni dhe krimit të organizuar me rezultate konkrete, duke zbatuar planin e hartuar nga Task-Forca Financiare e BE-së.
10. Miratimi i ligjit mbi regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe të vazhdojë me regjistrimin e pronave.
11. Zbatimi i reformës zgjedhore si dhe ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe së Lartë sipas opinionit të Komisionit të Venecias për Gjykatën Kushtetuese i shtyrë për t’u marrë në qershor.
12. Zbatimi i ligjit mbi regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe ligji për të drejtat e minoriteteve nën presionin e vendeve anëtare si Greqia dhe Bulgaria.