Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka bërë të qartë ambasasdorëve të BE gjatë një konference virtuale online se po pret që procesi i dialogut me Serbinë pret të përmbyllet me një marrëveshje që çon në njohje reciproke.
Një përpjekje të tillë e bëri SHBA në Uashington më 3 qershor, por u tërhoq pas rezistencës së Vuçiç dhe u hoq nga dokumenti i marrëveshjes së 4 qershorit.
Më tej Vuçiç ditën e djeshme theksoi se e sheh ende të largët një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë. Por Hoti duket se mbetet i palëkundur në synimin e tij dhe të qeverisë, ndërkohë që BE deri më tani nuk ka bërë përpjekje konkrete për këtë kërkesë nga pala e Kosovës.
STATUSI NGA AVDULLAH HOTI
Falënderues ndaj vendeve të BE-së që ndihmuan në përballimin e pandemisë
Sot zhvillova një bisedë virtuale me ambasadorët e BE-së, me të cilët biseduam për situatën e përgjithshme në vend, me theks në luftën e përbashkët kundër #COVID19. Me këtë rast, kam falënderuar ambasadorët e vendeve mike për ndihmën dhënë Kosovës në përballimin e situatës me pandeminë COVID-19. Ndihma e vendeve partnere dhe institucioneve ndërkombëtare ka dhënë efekte pozitive dhe presim që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ambasadorët i kam njoftuar edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se Qeveria pret që ky proces të përmbyllet me marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese, që përfundon me njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve.
Në anën tjetër, liberalizimi i vizave mbetet ndër qështjet kyçe që duhen zgjidhur me BE-në, veprim ky që do të hapte një mundësi reale për qytetarët dhe bizneset e Kosovës dhe do të krijonte mundësi të reja të zhvillimit ekonomik të vendit.