Kreu i PD-së Lulzim Basha ka propozuar sot 11 masat urgjente që duhen marrë për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit. Pas takimit me mjekë dhe ekspertë të shëndetësisë për situatën e pandemisë COVID-19, Basha shkruan se 6 muaj nga nisja e pandemisë, Shqipëria vazhdon të ketë nivelin më të ulët të testimeve dhe kapacitetet më të pakta spitalore për të trajtuar të infektuarit.
Ky plan masash, sipas kreut të PD, i hartuar së bashku me mjekë dhe eskpertë të shëndetësisë do të shërbejë për t’u përgatitur për valën e dytë, e cila sipas specialistëve nga e mbarë bota, mund të jetë dhe më e veshtirë se ajo çfarë kemi parë deri tani.
Basha thekson se deri në fund të javës bashkë me mjekët dhe anëtarët e Task Forcës së ngritur pranë PD, do të kemi gati një plan veprimi, të cilin do t’ia paraqesim qeverisë. Ai premton se në këtë situatë të rëndë, PD do të vazhdojë të ofrojë zgjidhje, pasi asgjë nuk ka më shumë rëndësi se jeta dhe shëndeti i qytetarëve.