Pothuajse në unison Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, përmes selive të tyre diplomatike, kanë shprehur kundërshti për mënyrën se si u miratuan dje ndryshimet në Kodin Zgjedhor. E para ishte Ambasada e SHBA-së, e cila përmes një deklarate të shpërndarë edhe në rrjetet sociale përtej keqardhjes për mungesën e konsensusit, nënvizoi se bëhet fjalë për diçka që është përtej “5 qershorit” dhe jo një shkelje e saj. Për SHBA-në ndryshimet duhej të ishin dakordësuar në Këshillin Politik, por Shqipëria, si një vend i NATO-s dhe kandidat për në BE, duhet të garantojë që zgjedhjet e ardhshme të jenë të ndershme e të lira.
ambasadoret
Ndërsa për ambasadorin e Britanisë, Duncan Norman, votimi në Kuvend ishte një zhgënjim për shkak të mungesës së konsensusit mes palëve, duke mos përsëritur dot atë që më herët kishte ndodhur në 5 qershor.
Sakaq, për Ambasadën e Bashkimit Europian në Tiranë, votimi në Kuvend për ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk ka asnjë lidhje me rekomandimet që kishte bërë OSBE/ODIHR-i. Selia e Bashkimit Europian në vendin tonë theksoi në reagimin e saj se fakti që opozita nuk ra dakord për këto ndryshime përbën një zhgënjim për mënyrën se si një ligj i tillë do të duhej të ishte miratuar. Në reagim, Ambasada e BE-së nënvizon edhe rëndësinë që ka një proces zgjedhor model në 25 prill për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
SHBA
Shtetet e Bashkuara i kanë shtyrë udhëheqësit e Shqipërisë – brenda dhe jashtë Parlamentit – për t’u angazhuar me njëri-tjetrin në mënyrë transparente dhe përfshirëse për çështje me rëndësi kombëtare. Ky lloj angazhimi pozitiv prodhoi marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore. Nga ajo kohë kemi bërë të qartë që marrëveshja e 5 qershorit duhet të respektohet dhe se çfarëdo masë shtesë duhet shqyrtuar dhe miratuar në mënyrë të ngjashme, transparente dhe përfshirëse në Këshillin Politik. Sot partia qeverisëse ndaloi diskutimet në Këshillin Politik dhe votoi për të miratuar ndryshime domethënëse të rregullave që do të qeverisin zgjedhjet e 25 prillit. Ndërkohë që ishte brenda kompetencave të Parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime, dhe ndërkohë që këto ndryshime janë shtesë – dhe jo shkelje – të marrëveshjes së 5 qershorit, është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik. Shqipëria është anëtare e NATO-s, aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe Kryesuese e radhës e OSBE-së. Është detyrë e udhëheqësve të Shqipërisë – duke filluar por jo vetëm ata në pushtet – për të kërkuar nga vetja një standard më të lartë dhe për të siguruar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme. Këtë pritshmëri e kemi ashtu si populli shqiptar.
BE
Morëm njoftim mbi miratimin nga Parlamenti të ndryshimeve të tjera në Kodin Zgjedhor. Kujtojmë se këto nuk kanë lidhje me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbi Reformën Zgjedhore siç referohet në Konkluzionet e Këshillit të marsit. Shprehim keqardhjen që nuk u arrit asnjë kompromis në Këshillin Politik para se ndryshimet të votoheshin në Parlament. Me gjithë rezultatin pozitiv të marrëveshjes mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të arritur më 5 qershor 2020, dialogu politik në vend duhet të përmirësohet. Ne inkurajojmë të gjitha palët e interesuara të mbajnë fokusin te zbatimi i reformave të nevojshme për vendin për të përparuar në rrugën e integrimit në BE, përfshirë reformat e parashikuara në marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo do të sillte standarde më të larta të integritetit dhe transparencës në procesin zgjedhor, çka është thelbësore për të ardhmen politike të vendit.
BRITANIA
Marrëveshja e 5 qershorit ishte një hap i rëndësishëm përpara, i bërë i mundur përmes dialogut dhe negociatave. Na vjen keq që ndryshimet e sotme në Kodin Zgjedhor janë bërë pa marrëveshjen e Këshillit Politik dhe pa përpjekje rraskapitëse për të gjetur konsensusin.
Gahler: Shkelja e “5 qershorit”, hije të errët mbi zgjedhjet e ardhshme
Përfaqësuesi i Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian, Michael Gahler, e vlerëson si prishje të marrëveshjes së 5 qershorit të firmosur në prani të ambasadorëve kryesorë në Shqipëri votimin në parlament të ndryshimeve në kodin zgjedhor.
Përmes një reagimi në “Facebook”, Gahler shprehet se ndryshimi i kodit zgjedhor hedh një hije të erret mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që sipas tij, duhet të ishin më të mira. Ndërkohë, ai paralajmëron se prishja e 5 qershorit pengon integrimin në BE.
“Duke votuar sot shkeljen e marrëveshjes së 5 qershorit të negociuar nga Bashkimi Evropian me opozitën, Kryeministri shqiptar, Edi Rama, hodhi një hije të errët mbi zgjedhjet e ardhshme të prillit, të cilat duhet të ishin të lira e të ndershme, dhe më të mira se të mëparshmet. Me këtë veprim Rama qartësisht pengon integrimin europian të Shqipërisë. Më saktësisht, shkelja e marrëveshjes së 5 qershorit rrezikon të bllokojë dhe të shtyjë konferencën e parë ndërqeveritare si hapin e parë për fillimin e negociatave të pranimit në BE. Shqipëria meriton shumë më mirë se kaq”, shkroi Gahler. Megjithatë, përfaqësuesi i PPE-ve i bën thirrje Kryeministrit Rama për reflektim, ndërkohë për të mundësuar këtë eurodeputeti i kërkon kreut të shtetit Ilir Meta që të kthejë për rishqyrtim në parlament ligjin. “Ne i bëjmë thirrje Presidentit t’i kthejë ligjin e sotëm Parlamentit. Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Rama të rishikojë pozicionin e tij për hir të së ardhmes evropiane të popullit shqiptar”, vijoi shkrimin e tij në “Facebook” eurodeputeti Gahler