Gjithë zhurma që bëri opozita fasadë në parlament, apo më saktë disa kokrra të saj sharlatane, u mbyllën më turp… E gjithë kjo “sherrnajë” e tyre ishte në rastin më të mirë, thjesht për t’i rritur pazarin Ramës… pra për të marrë “ryshfet” sa më të madh nga “kryesharlatani”, që ishte ndërkohë edhe krijuesi i “opozitës fasadë”… Shpresoj që kjo që po deklaroj të mos jetë e vërtetë… Fakti që kjo “shpurë” e diskretituar në parlament jo vetëm nuk ka pasur asnjë reagim serioz pas miratimit nga Rama të projektit të tij, por thjesht ka luajtur teatrin e mirëkuptuar me të dhe madje një pjesë e tyre i kanë votuar tinëzisht këto ndryshime… të le të mendosh se ky ishte një përfundim i pritshëm, racional, i saktë dhe i vërtetë… Pavarësisht zhurmës lehaqenase të porositur nga Rama për disa nga “aktorët” e opozitës fasadë… E ardhmja do ta provojë me siguri matematike këtë që po them!
Gjithçka ka hartuar, deklaruar dhe po miraton Rama përsa i përket ndryshimeve në sistemin zgjedhor janë jo vetëm antidemokratike e antipopullore, por mbi të gjitha kundër motivimit masiv dhe pjesëmarrjes në zgjedhje të partive të reja… Ndryshimet janë qartësisht e në thelb shkatërrimtare të partive të reja, ose më saktë janë qartësisht kundër futjes së partive të reja në politike, kundër rolit të tyre për të shkatërruar establishmentin e partive të mëdha e tradicionale…
Përgjegjësinë më të madhe dhe kryesore e ka Rama, që duke vepruar në mënyrë të njëanshme e tinëzare, i ka mashtruar të gjithë, madje në sytë e publikut ka nxjerrë blof dhe e ka bërë qesharake edhe opozitën fasadë… Çdo tentativë për të përfshirë opozitën e vërtetë në konceptimin, hartimin dhe miratimin e kësaj poshtërsie historike është diabolike dhe do të dështojë me siguri… Publiku duhet të mbajë mënd mirë se në miratimin e kësaj poshtërsie, ka qenë pjesëmarrëse, haptas apo tinëzisht, edhe një pjesë e opozitës fasadë apo anëtarë sharlatanë të saj, që kanë përfituar eventualisht “dhuratat” më të majme nga kryesharlatani… madje edhe ndonëse disa prej tyre prej tyre kanë bërë teatrin e votimit kundër reformës, sepse vota e tyre nuk ka qenë e domosdoshme… dhe duke votuar gjoja kundër do të mund ruhej faqja e tyre e ndotur në sytë e publikut…
Po shpjegoj më poshtë në mënyrë sistematike përse ndryshimet e bëra nga Rama dëmtojnë rëndë shfaqjen e partive të reja anti-establishment… duke qenë në realitet kundër pluralizmit dhe pritshmërisë qytetare për të votuar parti të reja dhe diktuar në përbërjen e parlamentit e të qeverisë së ardhshme.
Së pari, po e filloj nga pragu, që nga 3 përqind u ul në 1 përqind… Ky ishte një blof apo tallje që nuk ka asnjë vlerë reale për partitë e reja, sepse konkurrimi bëhet në nivel qarku dhe çdo parti e re do të përballet me pragun ‘natyral’ që ekziston në çdo rast në nivel qarku… Dhe që përqindja e të cilit varet nga madhësia e qarkut… Në vota, ky prag është pothuajse i njëjtë në çdo qark, i barabartë me numrin e votave për një mandat që është rreth 20 mijë shumëzuar me përqindjen e pjesëmarrjen në votime në qarkun përkatës (shifër që lëviz nga 50-53 %) që do të thotë se për të fituar një mandat në çdo qark do të duheshin mbi 10.5-12 mijë vota… Kurse në përqindje kjo madhësi do të ishte në Kukës (qarku më i vogël me 3 mandate) jo më shumë se 33 përqind. Në Fier (me 16 mandate) jo më shumë se 6.7 përqind. Dhe në Tiranë (me 36 mandate) jo më shumë se 2,8%... Ulja e pragut nga 3% në shkallë kombëtare ishte një lojë e Ramës ose për të ulur nivelin e “ulëritjes” së sharlatanëve të opozitës fasadë ose për t’i paraqitur ata si fitimtarë në betejën “konstruktive” me Llukashenkon shqiptar, ndërkohë kjo do të shitej edhe si një mësim/pësim për opozitën destruktive jashtë parlamentit që tenton të realizojë me “ultimatum”, por pa sukses fitore përballë “diktatorit”. S’po e zgjas më me këtë blof të shëmtuar që besoj e kuptojnë të gjithë, qoftë edhe më naivët… që është kundër partive të reja…
Së dyti, heqja e mundësisë së konkurrimit të partive të reja me koalicione, qoftë edhe duke mundësuar bashkimin eventual të partive të reja anti-establishment me njëra tjetrën në koalicione anti-establishment, i vendos partitë e reja në kushtet të disfavorshme përballë partive të mëdha. Sepse partitë e reja në këto rrethana nuk kanë më asnjë interes apo nxitje për t’u bashkuar mes tyre përballë partive të mëdha tradicionale që kanë jo vetëm përmasa të mëdha, organizime të konsoliduara, por edhe mjete të shumta… Pra prishja e koalicioneve nuk është vetëm kundër partive të vogla e të vjetra, por disfavorizon në ekstrem partitë e reja… sidomos ajo që është vrastare për partitë e reja në këtë lloj konkurrimi është aplikimi i formulës d’Hondt që përkthen votat në mandate. Sepse kjo formule favorizon partitë kryesore tradicionale… dhe duke filluar nga partia e tretë i defavorizon… ndërkohë që partitë e reja i dërrmon fare…
Së treti, dhe kjo është më e rënda… Formula e Ramës për të “ngrirë renditjen” në listën e deputetëve është e poshtër sepse ajo shitet si “listë e hapur” dhe nga ana tjetër “ajo është praktikisht e mbyllur”, pra një mashtrim i trashë që qytetarët do të ndjejnë vetëm pasi zgjedhjet të kenë përfunduar dhe të shikojnë se kanë hedhur votat e tyre për listën e Ramës të përbërë nga po ato fytyra të urryera e të neveritshme. Disa prej tyre do të habiten pas ‘pilafit”, por do të ishte shumë vonë! Kurse për partitë e reja kjo “formulë” është teorikisht dhe praktikisht e mbyllur… Ajo është dërmuese për partitë e reja. Partitë e reja do ta kenë të pamundur të motivojnë më shumë se 1-2 kandidatë në listat e tyre në secilin nga 12 qarqet…Sepse duke filluar nga kandidati i dytë, i renditur në listën e partisë së re, shansi për të ndryshuar renditjen, pra për të zhvendosur të parin në listë është teorikisht e praktikisht zero… Kështu do të ishte pothuajse e pamundur që çdo parti e re të motivonte më shumë se 1 kandidat në çdo qark… Kjo do ta bënte të vështirë veprimin e partive të reja për të thyer establishmentin sepse në çdo qark kandidati i parë i çdo liste të partisë së re do të gjendej i vetëm përballë makinerisë së partisë tradicionale të establishmentit…
Përfundimisht mund të thuhet se kjo poshtërsi tregon frikën e madhe të Ramës e dobësinë e tij ekstreme prandaj jo vetëm partitë e reja s’duhet të ligështohen, përkundrazi…ato duhet të angazhohen më fuqimisht në shkatërrimin e establishmentit…dhe veçanërisht për të shporrur të Keqen sektare… Sfida qytetare është bërë në pamje të parë ndoshta më e vështirë, por jo e pamundur dhe në thelb edhe më e realizueshme tashmë… Sepse është rritur avantazhi moral qytetar… Dhe me siguri edhe mbështetja qytetare… për shkak të rritjes së revoltës kundër së Keqes që po reagon egërsisht… Prandaj me qetësi dhe kthjelltësi duhet vepruar masivisht dhe nuk duhet konsumuar kohë duke reaguar ndaj ambasadorëve sepse në fund të fundit kjo është sfidë e shqiptarëve dhe për shqiptarët…