Presidenti Ilir Meta kujton heroin e kombit shqiptar, Vojo Kushi i cili së bashku me shokët e tij për 6 orë bëri qëndresë ndaj pushtuesve fashistë, në 10 tetorin e 78 viteve më parë.
Meta citon Vojo Kushin i cili deklaronte se ‘’Nuk ka gjë më të madhe se t’ia falësh jetën atdheut’’.
Sipas Presidentit, ajo rezistencë ishte jashtë çdo parashikimi nga pushtuesit teksa Meta shkëput nga kjo ngjarje fragmentin kur Vojo Kushi kërceu si tarzan mbi autoblindën e armikut duke tmerruar pushtuesin.
STATUSI NGA ILIR META
78 vite më parë Tirana mbajti frymën për orë të tëra. Kodra e Kuqe, për 6 orë u ndez tym e flakë. Qindra fashiste kishin rrethuar një nga lagjet më antifashiste të kryeqytetit për të arrestuar “Tarzanin” dhe shokët e tij, Sadik Stavalecin, Xhorxhi Martinin dhe Muharrem Llanajn, në shtëpinë e patriotes tiranase Ije Farka.
Armiku i kishte bërë gabim llogaritë.
Qëndresa e Vojo Kushit dhe shokëve të Tij ishte jashtë çdo parashikimi nga pushtuesit. Ndërsa Vojo Kushi humbi në këtë betejë shokët dhe mbeti i vetëm e pa municione, përmblodhi të gjitha fuqitë dhe kërceu si Tarzan i vërtetë mbi autoblindën e armikut duke e tmerruar pushtuesin dhe mbetur përjetë frymëzues për të gjithë shqiptarët në betejat për liri.
Gjithmonë para se të niste shokët në aksion, Vojo Kushi u thoshte: “Nuk ka gjë më të madhe se t’ia falësh jetën Atdheut.”
Kush më bukur dhe burrërisht e bëri këtë se Vojo Kushi? Një mirënjohje e thellë sot i shkon Piktorit tonë të madh, Sali Shijaku, i cili 78 vite më parë, si një fëmijë 9-vjeçar i Kodrës së Kuqe, e përjetoi këtë betejë me ankth, dhimbje dhe shumë emocion.
Kjo ngjarje e gdhendur fort në kujtesën e Tij, falë talentit dhe dashurisë për këtë Hero të Popullit, u fiksua në kryeveprën monumentale të Tij, që paraqet ngadhnjimin e Heroit mbi armikun.
Lavdi Heronjve të Atdheu